Vizita e Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel në Pekin dëshmi e dimensioneve të reja të lidhjes Kinë-BE
2022-12-05 20:34:17

“Disa javë më parë organizova një diskutim mbi marrëdhëniet BE-Kinë në agjendën e Këshillit Europian. 27 udhëheqësit ranë dakord mbi rëndësinë kritike të marrëdhënieve BE-Kinë. Ne diskutuam se si ti menaxhojmë ato më së miri në interes të Europës, por edhe në interesin global”.

Aq sa është informues ky mesazh i koncentruar dhe i drejtpërdrejtë i numrit një të Këshillit Europian Charles Michel i deklaruar pas bisedimeve me udhëheqësit më të lartë të shtetit dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, duke përfshirë Presidentin Xi Jinping dhe Kryeministrin Li Keqiang më 1 dhjetor 2022, ai përçon qartë dhe paekuivoke platformën strategjike të Bashkimit Europian në linjën e marrëdhënieve të saj të ardhshme me gjigandin aziatik, fuqinë e dytë më të madhe ekonomike në botë, dhe bën nul të gjithë hamendësimet e trumbetuara prej atyre qarqeve politike, ekonomike e ushtarake, jo vetëm në ndonjë vend të kësaj organizate, por edhe në SHBA, që nuk reshtin përpjekjet për të influencuar në përkeqësimin e lidhjeve midis Kinës dhe BE-së.

Foto:Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kreun e Këshillit Europian Charles Michel(Foto:Xinhua)

E nisa këtë shënim me konfesionin publik të Charles Michel në deklaratën përmbyllëse të vizitës së tij në Pekin më 1 dhjetor 2022 se ai përcillte edhe aspekte personale të përvojës së tij në marrëdhëniet me Kinën si burrë shteti kur tregoi se me të vërtetë ishte takimi i tij i parë i drejtpërdrejtë prej më shumë se tre-orësh me Presidentin Xi, që kur kishte marrë postin e lartë në hierarkinë e organizatës, por ai zbuloi se kishte qenë edhe më parë në Kinë dhe vizita e tij e fundit kishte qenë në nëntor 2016 si kryeministër i Belgjikës shumë vite para pandemisë.

Me sa mund të kuptohet Charles Michel donte të thoshte se tani në postin e kreut të KE-së nuk kishte shkuar në një ‘tokë të panjohur’, të banuar nga një popull i ‘panjohur’ prej 1.4 miliard njerëzish dhe nuk po takonte udhëheqës të ‘panjohur’, por donte të garantonte dhe po e citoj: “Unë kam ardhur në Pekin për t'u përfshirë në një dialog të sinqertë, të thellë dhe ballë për ballë me udhëheqjen e Kinës”.  

Në këtë kuadër është sinjifikativ fakti se udhëheqësit e BE-së i kishin dhënë atij mandat të plotë që të zhvillonte më tej dialogun me Kinën, tha një burim nga Brukseli në kushtet e anonimitetit i cituar nga agjencia AFP.

Kurse nga ana e tij, President Xi Jinping vuri në dukje se Kina dhe Europa janë dy forca kryesore që ruajnë paqen botërore, dy tregje të rëndësishme që nxitin zhvillimin e përbashkët dhe dy qytetërime të mëdha që promovojnë përparimin njerëzor. “Marrëdhëniet kino-europiane kanë ruajtur vrullin e rritjes dhe i përmbahen parimit të përfitimeve të ndërsjella, gjë që është në interes të përbashkët të Kinës, Europës dhe bashkësisë ndërkombëtare”.

Charles Michel shkoi në Pekin në një kohë kur, sikurse e përforcoi edhe ai me vlerësimet e tij, bota përballet me kriza të shumta si lufta në Ukrainë, kriza e energjisë dhe ushqimit, ngadalësimi i ekonomisë globale, ndryshimet klimatike dhe shëndetit global. “Këto çështje globale kërkojnë dialog dhe veprim. Ne duhet të diskutojmë se ku mund të punojmë më mirë së bashku, por edhe të diskutojmë dhe menaxhojmë dallimet tona. Unë besoj në fuqinë e dialogut. Si BE ashtu edhe Kina kanë interes në një botë të bazuar në rregulla me Kartën e OKB-së në thelb”, deklaroi ai.

Duke i vënë theks të veçantë ‘besimit (të tij) në fuqinë e dialogut’ si dhe ‘qëndrimit të përbashkët se si BE-ja ashtu edhe Kina kanë interes në një botë të bazuar në rregulla me Kartën e OKB-së në thelb’ Michel i la të kuptohet mbarë botës, e veçanërisht SHBA-së, se multilateralizmi është rruga e shpëtimit të njerëzimit, se dialogu mbizotëron mbi konfrontimin e ethet e Luftës së Ftohtë, dhe se OKB-ja dhe Karta e saj janë busulla e botës, të cilat nuk mund ti kapërcejë asnjë fuqi e madhe në interes të synimeve të veta hegjemoniste.  

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

‘Multilateralizëm’, ‘dialog’ e ‘OKB-në në thelb’ në shkallë botërore janë një trinom që në fakt ka karakterizuar të gjithë politikën e jashtme të Kinës dhe dakordësia e BE-së në këtë udhërrëfyes është shërbesë për të zgjeruar frontin anti-hegjemonist, që bëhet më efikas kur Pekini dhe Brukseli janë në sintoni duke rënë dakord, që dallimet në disa qëndrime nuk ka pse të jenë shkak konfrontimesh, veçanërisht në kushtet aktuale të gjendjes në botë.

Sikurse edhe në veprimtarinë e mëparshme intensive të Presidentit Xi me udhëheqës të lartë të fuqive më të mëdha të botës apo të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale gjatë muajit nëntor, një ndër temat kryesore të takimit me Charles Michel ishte Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës dhe vendimet e tij historike, që, sikurse është pranuar unanimisht në Kinë ashtu edhe jashtë saj, kanë rëndësi jo vetëm për këtë vend por edhe për të ardhmen e botës, çka u konfirmua edhe nga kreu i Këshillit Europian

Konkretisht Xi e informoi emisarin e lartë të KE-së se Kongresi i 20-të ka miratuar planin e Kinës, sipas të cilit, brenda vendit do të vijojë të ndiqet rruga e socializmit me karakteristika kineze dhe filozofia e zhvillimit me njeriun në qendër, duke këmbëngulur në thellimin e reformave dhe të hapjes. Duke parashtruar pesë karakteristikat e modernizimit të stilit kinez, Xi theksoi se aktualisht ndryshimet e botës, kohës dhe historisë janë duke u përshpejtuar dhe të gjitha vendet po mendojnë për të ardhmen. 

Kurse sa i përket aspektit të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit Xi deklaroi se Kina do të ndjekë me vendosmëri një politikë të jashtme të pavarur paqësore, do t’i përmbahet qëllimit diplomatik të mbrojtjes së paqes botërore e të promovimit të zhvillimit të përbashkët, dhe do të jetë e përkushtuar për të nxitur ndërtimin e bashkësisë me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.

Xi tha më tej se zhvillimi i Kinës është rritje e forcës së paqes në botë dhe se ajo nuk do të kërkojë kurrë hegjemoni ose ekspansion. Modernizimi i stilit kinez dhe integrimi europian janë zgjedhje të bëra nga Kina dhe Europa duke u nisur nga perspektiva e së ardhmes. Të dyja palët duhet të kuptojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën, theksoi ai, duke shtuar se Pekini pret që BE-ja të bëhet një partnere e rëndësishme e Kinës në ndjekjen e rrugës së modernizimit të stilit kinez dhe në ndarjen e mundësive të tregut super të madh, hapjes institucionale dhe thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Kinës.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar prej kohësh është gur themeli për marrëdhëniet Kinë-BE. Në dhjetë muajt e parë të vitit 2022, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës e Europës arriti në 711.4 miliardë dollarë amerikanë, 6.3 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vjetshme. Kina është partnerja më e madhe tregtare e BE-së dhe kjo e fundit vazhdon të jetë partnerja e dytë më e madhe tregtare e Kinës. Kina dhe BE-ja kanë formuar një lidhje të fuqishme simbiotike ekonomike.

Foto:Xinhua

Kryeministri kinez Li Keqiang takohet me kreun e Këshillit Europian Charles Michel(Foto:Xinhua)

Në këtë aspekt Michel e përforcoi realitetin e sotëm në progres sepse Kina është partneri kryesor tregtar në mallra i BE-së, që arrijnë në pothuajse 2 miliardë euro çdo ditë dhe Kina përbën mbi 22% të importeve evropiane. “Rritja e Kinës në dekadat e fundit ka përfituar si Kinën ashtu edhe BE-në dhe ka kontribuar në mënyrë thelbësore në transformimin dramatik ekonomik të Kinës”, deklaroi presidenti i KE-së.

Meqë aspekti ekonomik ka qenë jetik dje, është sot dhe do të jetë edhe nesër logjika të drejton të mendosh se fuqitë e mëdha jo vetëm duhet të jenë solidare për zhvillimin e tyre e kapërcimin e krizave por edhe të ndihmojnë vendet më pak të zhvilluara. E u duk qartë se si Pekini ashtu edhe Brukseli e shikojnë këtë si domosdoshmëri të kohës sonë.

Por në këtë mes nuk mund të mos tërheq vëmendjen lidhur me disa veprime armiqësore të SHBA-së ndaj vendeve të tjera, përfshi edhe aleatin BE, që konsistojnë në miratimin nga pala amerikane të “Aktit të uljes së inflacionit” dhe “Aktit të mikroçipave dhe të shkencës”.

Dhe Presidenti francez Emmanuel Macron, që po vizitonte Uashingtonin në atë kohë, nuk mund të mos shprehej se këto kanë krijuar dallime të mëdha mes SHBA-së dhe Europës, duke çuar në ndarje në Perëndim ose duke penguar investimet transatlantike.

Ndërkohë në një konferencë për shtypin më 2 dhjetor, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian u shpreh se këto akte kanë si qëllim të mbrojnë vetëm interesat amerikane, duke shpërfillur ndikimin e tyre ndaj vendeve të tjera, duke përfshirë edhe të ashtuquajturit “aleatë” dhe “partnerë”.

“Ky është një shembull tjetër i të menduarit hegjemonist të SHBA-së”, tha ai. Në vijim Zhao Lijian vuri në dukje se SHBA-ja thotë se Europa është një aleate e rëndësishme, por në fakt e konsideron atë si një “rrufepritëse”. Për shembull, pala amerikane është pasuruar nga kriza e Ukrainës, ndërsa Europa u godit nga kriza dhe duhet të përballojë inflacionin dhe çmimet e larta të energjisë. Edhe tani, vendet europiane ende po merren me problemet që ka lënë prapa SHBA-ja pas agresioneve ushtarake në Siri, Afganistan, Irak etj.

Por krahas vendeve europiane kontributi i vendeve fqinjë të Afganistanit, për shembull, ka ardhur në rritje dhe Mbledhje e Trete e Ministrave të Jashtëm e zhvilluar në Tunxi, Provinca Anhui, në Kinë më 31 mars 2022 nën drejtimin e Kinës e konfirmoi një gjë të tillë. Një deklaratë e përbashkët e lëshuar pas atij takimi jo vetëm riafirmoi respektimin e pavarësisë e sovranitetit të këtij vendi nga vendet fqinjë por u kërkoi vendeve kryesisht përgjegjëse për situatën aktuale në Afganistan që të përmbushin pamëdyshje angazhimet për rimëkëmbjen ekonomike dhe zhvillimin e ardhshëm të tij. Nga ana tjetër, deklarata e përbashkët shprehu mbështetjen për përpjekjet e Afganistanit drejt zhvillimit të pavarur dhe mori përsipër të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike të këtij vendi në të dy nivelet dypalëshe dhe shumëpalëshe. 

Prandaj tingëllon i dobishme në interes reciprok dhe si kundërpërgjigje ndaj qëndrimit hegjemon amerikan konstatimi i shefit të KE-së Michel sipas të cilit me Kinën angazhimi i hapur në të gjitha aspektet e marrëdhënieve të tyre është e vetmja rrugë përpara. “Ne ramë dakord të vazhdojmë shkëmbimet tona në dritën e Samitit të ardhshëm BE-Kinë në 2023”, tha ai.

Një fermë fotovoltaike në Gjermani(Foto:VCG)

Një fermë fotovoltaike në Gjermani(Foto:VCG)

Duke qenë konkret në përpjekjen për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Kinë-BE, Presidenti Xi, ndërkohë, i parashtroi udhëheqësit të lartë të kësaj organizate katër pikëpamje si më poshtë. Së pari, të dy palët duhet të synojnë njohjen e drejtë. Kina mbështet autonominë strategjike të BE-së dhe përkrah unitetin dhe përparimin e Europës. Së dyti, Kina dhe BE-ja duhet të menaxhojnë siç duhet dallimet. Kina është e gatshme të ruajë dialogun me palën europiane për të drejtat e njeriut mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Së treti, Kina dhe BE-ja duhet të zhvillojnë bashkëpunim të nivelit më të lartë. Kina do të realizojë hapjen e nivelit të lartë dhe do të përshpejtojë krijimin e një modeli të ri zhvillimi. Pala evropiane është e mirëpritur të vazhdojë të marrë pjesë në këtë proces. Dhe së fundmi, Kina dhe BE-ja duhet të forcojnë bashkërendimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Si Kina, ashtu edhe BE-ja përkrahin sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelb.  Ato mund të praktikojnë së bashku multilateralizmin e vërtetë, të punojnë së bashku për të përballuar sfidat dhe të ruajnë së bashku paqen dhe zhvillimin botëror.

Duke iu referuar ‘vijës së kuqe’ të Pekinit lidhur me çështjen e rajonit të Tajvanit, kreu i KE-së Charles Michel rikonfirmoi se BE-ja i përmbahet politikës së “një Kine”, respekton sovranitetin e integritetin territorial të Kinës dhe nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës. “BE-ja është e gatshme të bëhet një partnere bashkëpunimi e besueshme e Kinës”, ishte qëndrimi zyrtar i ardhur nga Brukseli kur qarqe të caktuara në Uashington e pasuesit e tyre në ndonjë vend tjetër perëndimor vazhdojnë manovrat për të turbulluar ujërat në ngushticën e Tajvanit. 

“BE-ja ka një interes të madh për paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit: 40% e tregtisë sonë kalon përmes saj. Është e rëndësishme të promovohet stabiliteti dhe prosperiteti në Azinë Lindore”, deklaroi Michel.

Lidhur me fushën e shëndetësisë duke patur parasysh çfarë tragjedie ka shkaktuar pandemia COVID19 në mbarë botën, ai tha se të dy palët po bashkëpunojnë për iniciativën për një ‘Traktat Pandemie’. “Ky është një shembull konkret i bashkëpunimit ndërkombëtar”, deklaroi kreu i KE-së. 

Në komentet e tij Michel përshëndeti gatishmërinë për rifillimin e Dialogut BE-Kinë mbi të Drejtat e Njeriut, dhe informoi se ishte diskutuar gjithashtu për të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe të drejtat e minoriteteve, e ne këtë kuadër ai iu referua rajonit të Xinjiang, por shpejtoi të deklaroi se kjo nuk ka të bëjë aspak me ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.  

Në këtë kuadër e shikoj të arsyeshme ti referohem këndvështrimit kinez të shprehur nga Presidenti Xi lidhur me qëndrimin perëndimor, temë e vjetër kjo, sa u përket të drejtave të njeriut. Më poshtë është shpjegimi i plotë që bëri Presidenti Xi i cituar nga mediat lokale: “Është e rëndësishme të menaxhohen siç duhet dallimet. Kina dhe Europa ndryshojnë në histori, kulturë, nivel zhvillimi dhe ideologji. Është e natyrshme që të dyja palët të kenë pikëpamje të ndryshme për disa çështje. Ata duhet të ruajnë komunikimin dhe koordinimin në mënyrë konstruktive. Është thelbësore të respektohen shqetësimet kryesore dhe interesat thelbësore të njëri-tjetrit, veçanërisht sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial, dhe të përmbahen nga ndërhyrja në punët e brendshme të njëri-tjetrit, në mënyrë që të ruhet së bashku themeli politik i marrëdhënieve Kinë-BE. Kina është e gatshme për Dialogun Kinë-BE për të Drejtat e Njeriut të zhvilluar mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë”.

Një supermarket në Spanjë(Foto:VCG)

Një supermarket në Spanjë(Foto:VCG)

Më duhet të sjell në vëmendje të lexuesit se vetë vendet anëtare të BE-së dhe rajone të shumta të kontinenti europian në përgjithësi kanë probleme serioze sa u përket minoriteve e të drejtave të tyre dhe konfliktet lidhur me këtë aspekt janë të ashpra midis shumë vendeve, që nganjëherë përfshijnë më shumë se një palë. Kësisoj merr vlerë konstatimi i Presidentit Xi kur deklaroi se është e rëndësishme të menaxhohen siç duhet dallimet sepse Kina dhe Europa ndryshojnë në histori, kulturë, nivel zhvillimi dhe ideologji.

Ndërkohë në një takim të veçantë me Pesidentin e Këshillit Europian Charles Michel, Kryeministri kinez Li Keqiang mirëpriti kompanitë e huaja të vazhdojnë investimet në Kinë, dhe u bëri thirrje të dy palëve për t'u hapur më tej ndaj njëri-tjetrit. “Kina do të mbetet gjithmonë e angazhuar ndaj politikës bazë shtetërore të hapjes, do të vazhdojë të nxisë një mjedis ndërkombëtar biznesi të orientuar nga tregu e të bazuar në ligj dhe do t’i trajtojë të tëra kompanitë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë”, tha ai.

Pala kineze, sipas Li Keqiang, është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Bashkimin Europian në bazë të respektit e barazisë së ndërsjellë, duke i trajtuar siç duhet dallimet, për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE. Ai theksoi se Kina shpreson të shohë një BE të bashkuar e të begatë.

Në bisedimet Kinë-BE të dy palët shkëmbyen mendime edhe mbi krizën e Ukrainës, dhe sikurse raportohet nga mediat kineze por edhe të huaja Presidenti Xi shpjegoi qëndrimin e Kinës, duke theksuar se zgjidhja e krizës ukrainase me mjete politike është në përputhje me interesat e Europës dhe interesat e përbashkëta të të gjitha vendeve të kontinentit euroaziatik. 

Është për tu vënë në dukje së në emër të Bashkimit Europian, Charles Michel shprehu ngushëllime të thella për vdekjen për shkak të sëmundjes të ish-presidentit Jiang Zemin.   

Rezultatet e bisedimeve të Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel me Presidentin Xi Jinping dhe udhëheqës të tjerë në Pekin mund të konsiderohen një impuls i ri në marrëdhëniet e gjithanshme midis Kinës dhe BE-së, por edhe kontribut ndaj komunitetit ndërkombëtar për kapërcimin e krizës globale, që sa vjen e ashpërsohet në të gjitha aspektet. Dakortësimi i të dy palëve për bashkëpunim lidhur me zgjidhjen e problemeve nevralgjike është një veprim konstruktiv i dy aktorëve ndër më potencialët të skenës aktuale botërore sikurse edhe fleksibiliteti për të mos lejuar që dallimet midis tyre të bëhen shkak për frenimin e zhvillimit të lidhjeve të gjithanshme. Dukshëm bie në sy se BE-ja është në kërkim të një rruge të re në politikën e saj globale duke mos ndjekur vetëm koordinatën Bruksel-Uashington, e cila me oshilacionet e saj ka dëmtuar seriozisht interesat e vendeve europiane, dhe sikurse tregojnë të gjitha zhvillimet Kina ofron mundësitë si një faktor determinues me peshë në interes reciprok për një BE më autoritare dhe të aftë të përballojë krizat aktuale. Prandaj vizita e numrit një të KE-së në Pekin Charles Michel dhe rezultatet e saj pas vizitës muajin e kaluar të Olaf Scholz, Kancelarit të Gjermanisë, vend i konsideruar si motori i BE-së, dhe me lidhje të fuqishme me Kinën, nuk mund të mos jenë komplementare dhe shtysë për dimensione të reja të partneritetit strategjik midis Kinës e BE-së në interesin e ndërsjellë dhe në të mirë të gjithë njerëzimit.