Angazhimi i Kinës për teknologjinë shkencore në të mirë të botës
2022-11-30 17:14:45

foto nga China Daily

Vizitorët ndërvepruan me një figurë virtuale në një ekspozitë të teknologjisë së lartë në Pekin, në korrik 2022/ foto nga China Daily

Angazhimi i Kinës në shkencë dhe teknologji nuk do të thotë shkëputje nga bota, thanë ekspertët, por sipas tyre qëllimi është që vendi të kthehet në një kontribues më i aftë dhe inovativ kur trajton sfidat globale me komunitetin ndërkombëtar.

Komuniteti shkencor kinez do të vazhdojë të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar, të startojë më shumë projekte kërkimore dhe të ndjekë inovacione më të mëdha që mund t'i shërbejnë botës, dhe gjithashtu të marrin pjesë në mënyrë proaktive në qeverisjen globale të çështjeve të lidhura me shkencën dhe teknologjinë, shtuan ata.

Raporti për Kongresin e 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës deklaronte se Kina do të zgjeronte shkëmbimet dhe bashkëpunimin e shkencës dhe teknologjisë me vendet e tjera, do të kultivonte një mjedis të ndërkombëtarizuar për kërkime dhe do të krijonte një ekosistem të hapur dhe konkurrues inovacioni globalisht.

Megjithatë, disa ekspertë perëndimorë spekuluan se theksi i Kinës për t'u bërë më i mbështetur te vetja në shkencë dhe teknologji tregon se vendi po përpiqet të shkëputet nga bota për t'u bërë më elastik për t'u marrë me pasiguritë dhe ndikimet e jashtme.

Liang Yingda, drejtor i Departamentit të Strategjisë dhe Planifikimit të Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë, tha se Kina ka qenë gjithmonë e angazhuar me komunitetin shkencor ndërkombëtar. Kina ka krijuar bashkëpunim shkencor dhe teknologjik me mbi 160 vende dhe rajone, duke përfshirë 114 marrëveshje bashkëpunimi në nivel qeveritar.

Në vitin 2021, Kina mbajti mbi 40 shkëmbime në nivel ministror për tema të tilla si shëndeti publik, ndryshimet klimaterike, energjia e pastër dhe trajtimi i pandemisë Covid-19. Vendi nënshkroi gjithashtu 21 marrëveshje të reja bashkëpunimi në nivel qeveritar.

Më 28 tetor, studiues dhe zyrtarë nga Kina dhe Belgjika mbajtën në Bruksel simpoziumin e katërt vjetor të shkëmbimit të shkencës dhe teknologjisë. Cao Zhongming, ambasadori i Kinës në Belgjikë, tha në fjalën e hapjes së simpoziumit se Kina është një kontribuuese dhe mbështetëse e multilateralizmit, si dhe gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për sfidat globale.

Një shkëmbim i ngjashëm u zhvillua midis Kinës dhe Irlandës më 13 tetor, kur zyrtarë të shkencës nga të dy vendet festuan 10-vjetorin e Partneritetit Strategjik për Bashkëpunim Reciprokisht Përfitues.

Që nga viti 2016, Kina ka nisur dhe mbështetur rreth 2000 projekte të përbashkëta kërkimore me më shumë se 60 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare, duke përfshirë fusha si bujqësia, energjia, mjedisi, burimet, komunikimi dhe shkencat shëndetësore, tha Liang.

Buxheti i përgjithshëm për këto projekte është rreth 10 miliardë juanë (1.4 miliardë dollarë).

Për më tepër, Kina ka marrë pjesë në gati 60 projekte globale shkencore, duke përfshirë Reaktorin Eksperimental Ndërkombëtar Termonuklear dhe “Square Kilometer Array”. Vendi është gjithashtu anëtar i mbi 200 organizatave ndërkombëtare dhe mekanizmave shumëpalësh dhe më shumë se 1200 ekspertë kinezë mbajnë pozicione të larta në organizatat ndërkombëtare të shkencës dhe teknologjisë.

Sa i përket rezultatit akademik, Kina ishte bashkautore e mbi 183.000 punimeve me 169 vende vitin e kaluar, një rritje 1.5 herë krahasuar me 71.000 punimet e botuara në vitin 2015. Kina hapi gjithashtu 53 laboratorë të përbashkët me vendet e Nismës “Një brez, një rrugë” dhe ka trajnuar mbi 15.000 punëtorë të huaj shkencorë.

“Përballë pandemisë Covid-19 dhe sfidave për rimëkëmbjen ekonomike globale, vendet duhet të rrisin hapjen dhe bashkëpunimin në shkencë dhe teknologji dhe së bashku të gjejnë zgjidhje për sfidat globale”,- tha Liang.

foto nga VCG

foto nga VCG

Lidhje të forta

Dialogu dhe bashkëpunimi midis profesionistëve të shkencës dhe teknologjisë mund të ndërtojë një lidhje të fortë që kalon kufijtë kulturorë, kombëtarë, racialë dhe fetarë, tha Zhang Yuzhuo, nënkryetar i Shoqatës së Kinës për Shkencën dhe Teknologjinë.

“Ai mund të korrigjojë keqkuptimet dhe të gjejë terren të përbashkët për bashkëpunim midis palëve të ndryshme të interesit. Shkencëtarët dhe inxhinierët nga vende të ndryshme mund të punojnë së bashku për të gjetur risi dhe zgjidhje, për të trajtuar së bashku sfidat e kohës sonë dhe për të promovuar prosperitetin për njerëzimin”,- shtoi ai.

Sipas Zhang, kjo do të gjeneronte marrëdhënie të përmirësuara që janë të domosdoshme për ndërtimin e besimit, promovimin e shkencës së hapur dhe përmirësimin e bashkëpunimit.

“Shkëmbimet në shkencë dhe teknologji kanë një avantazh unik në promovimin e besimit të ndërsjellë dhe zbutjen e fërkimeve midis kombeve. Komuniteti shkencor kinez është i vendosur të vazhdojë të luajë një rol pozitiv në zhvillimin e qeverisjes globale për çështjet që lidhen me shkencën dhe teknologjinë. Dera jonë e hapjes do të çelet edhe më tej”,- tha Zhang.

Yu Jihong, kimiste dhe pedagoge në Universitetin Jilin, tha se angazhimi i Kinës për vetëbesim dhe forcë në shkencë dhe teknologji nuk do të thotë se ajo do të shkëputet nga bota.

“Shpresojmë që vendi të zgjerojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në mënyrë që ne të mund të përdorim dhe të kontribuojmë në burimet globale të inovacionit”,- tha ajo.

Wang Xiujie, studiuese nga Instituti i Gjenetikës dhe Biologjisë Zhvillimore të Akademisë Kineze të Shkencave, tha se për të kontribuar më mirë në inovacionin ndërkombëtar, Kina duhet të prodhojë përparime të rëndësishme globalisht.

“Shkëmbimet mes shkencëtarëve bazohen kryesisht te pasionet, interesat e tyre, njohjen e gjetjeve dhe projekteve të reja shkencore. Nëse shkencëtarët kinezë mund të krijojnë përparime më origjinale përmes vetëbesimit dhe forcës në shkencë dhe teknologji, shkencëtarët e huaj do të kenë më shumë gjasa të angazhohen me Kinën”,- tha ajo.

Xu Chuang, profesor në Kolegjin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Kinës, tha se Kina ka rritur shtrirjen e saj shkencore vitet e fundit. Fusha e tij e mjekësisë veterinare për lopët qumështore ka marrë grante të shumta për bashkëpunim ndërkombëtar me vende si Mongolia dhe Italia.

“Sa herë që e ndaj historinë time, kolegët e mi të huaj shpesh habiten se sa e përkushtuar dhe mbështetëse është Kina në promovimin e bashkëpunimit global. Përmes bashkëpunimit ndërkombëtar shkencor, ne jo vetëm që arrijmë të ndajmë njohuritë dhe zgjidhjet tona në trajtimin e sfidave të përbashkëta, por gjithashtu lehtësojmë një qarkullim të shëndetshëm të talenteve dhe ideve që janë të dobishme për përparimin shkencor”,- tha ai.