Kina hedh poshtë akuzat e Sunakut, mohon sulmin ndaj gazetarit të BBC-së
2022-11-30 10:46:40

Foto: MPJ

Ministria e Jashtme kineze hodhi poshtë të martën akuzat e kryeministrit britanik Rishi Sunak kundër Kinës, duke përfshirë atë që një gazetar i BBC-së ishte "sulmuar" në Shangai.

Në përgjigje të kritikave të Sunakut ndaj politikës së kontrollit të COVID-19 të Kinës dhe sulmit të pretenduar ndaj një gazetari të BBC-së në Shangai, zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijian tha në një konferencë të rregullt shtypi se pala britanike shpërfill faktet, ngatërron të drejtën me të gabuarën dhe ndërhyn në punët e brendshme të Kinës.

Zhao vuri në dukje se gazetari u largua nga policia e Shangait, sepse nuk pranoi të ikte kur policia e informoi qartë se do të pengonte grumbullimin e njerëzve në një udhëkryq dhe nuk zbuloi identitetin e vet të gazetarit.

Policia e lejoi gazetarin të largohej pasi verifikoi identitetin e tij dhe i dha atij njoftim ligjor, vuri në dukje zëdhënësi, duke theksuar se e gjithë procedura ishte krejtësisht bazuar në ligj.

Gazetari, që nuk pranoi të bashkëpunonte me policinë, u soll si viktimë, ndërsa BBC-ja i shtrembëroi faktet, duke trilluar që gazetari i saj "u arrestua dhe rrah" nga policia kur ishte duke punuar, tha Zhao, duke shtuar që është një praktikë e zakonshme e BBC-së t’ua hedhë fajin të tjerëve.

Zëdhënësi përsëriti se gazetarët e huaj gëzojnë të drejtën për të raportuar në Kinë, por ata duhet të respektojnë ligjet dhe rregulloret kineze. Ai përmendi më tej abuzimin e qeverisë britanike ndaj protestuesve e gazetarëve dhe raportet e BBC-së rreth Kinës, veçanërisht lidhur me ato që ndodhën në Xinjiang dhe Hong-Kong të Kinës.

"Pala britanike duhet të respektojë faktet, të jetë e matur në fjalë e veprime dhe të ndalojë përdorimin e standardeve të dyfishta," paralajmëroi ai.

Të martën, edhe ambasada kineze në Mbretërinë e Bashkuar hodhi poshtë pretendimet e Sunakut se Kina përbën "një sfidë sistemike ndaj vlerave e interesave të Mbretërisë së Bashkuar" dhe se ka "shkelje të të drejtave të njeriut" në Xinjiang dhe Hong-Kong.