Ulja e çmimeve të ushqimeve të shportës në Greqi, e dobishme për konsumatorët
2022-11-26 14:44:17

Ministri grek (Foto Greekcitytimes)

Ministri grek (Foto Greekcitytimes)

Masa e ndërmarrë nga autoritetet greke për të ulur çmimet e ushqimeve të shportës, në fillim të nëntorit, për të zbutur ndikimin e inflacionit, ka rezultuar e dobishme për konsumatorët, deklaroi ministri i Zhvillimit dhe Investimeve, Adonis Georgiadis, citon “Xinhua”.

“Çmimet e qëndrueshme në një mjedis me rreth 10 për qind normë inflacioni është tashmë një kontribut shumë domethënës”,- deklaroi ministri për gazetarët, ndërsa vizitoi një market në Athinë.

“Kemi thënë se do të jetë një dimër i vështirë, por po bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë më të lehtë për publikun”, tha ai.

Sipas një marrëveshjeje me qeverinë, rrjetet kryesore të supermarketeve të Greqisë ofrojnë të paktën 51 mallra thelbësore me çmime të ulëta për të përmbushur nevojat ditore të qytetarëve.

Shporta shtëpiake, e cila përditësohet çdo javë, përfshin nga buka, mielli, vezët, mishi, peshku, makaronat, pijet, produktet e qumështit, letra higjienike dhe qumeshti formulë për fëmijë deri te ushqimi për kafshët shtëpiake.

Çmimet e produkteve të përfshira në shportë janë më të ulëta se ato jashtë listës.

Konsumatorët mund t'i shfletojnë këto produkte dhe çmimet e tyre në çdo supermarket në faqen e internetit të ministrisë dhe t'i identifikojnë ato në raftet e supermarketeve me një etiketë të veçantë.

Sipas faqes së internetit të ministrisë, nga 816 produkte të përfshira në shportë këtë javë, çmimet janë ulur për 167 artikuj, janë rritur për 60 dhe kanë mbetur të pandryshuara për 589 në krahasim me javën e kaluar, ndërsa rënia e përgjithshme e çmimeve ka qenë 18.1 për qind.

Nisma, e cila do të zgjasë gjatë gjithë dimrit, ka nxitur konkurrencën dhe çmimet e reduktuara ose të qëndrueshme tani zbatohen gjithashtu për produktet që nuk përfshihen në shportë, tha Georgiadis. (Irma)