PE miraton rezolutën për strategjinë e re të zgjerimit
2022-11-25 14:54:23

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Me shumicë votash, në Parlamentin Europian u miratua rezoluta për zgjerimin e BE-së, e cila konstaton se zgjerimi është politika e jashtme më efektive e BE-së dhe se ky proces është një investim në prosperitetin e kontinentit.

Rezoluta, e paraqitur nga deputeti kroat Tonino Picula, u miratua në seancën plenare të Parlamentit Europian me 502 vota "pro", ndërsa 75 deputetë votuan kundër dhe 61 abstenuan.

Rezoluta i propozon BE-së të zhvillojë një strategji të re zgjerimi, të përcaktojë qartë qëllimet e tij në zgjerim dhe të zbatojë reformat institucionale evropiane si heqja e unanimitet në pranimin e vendeve të reja anëtare, raporton “RTSH”.

“Sundimi i ligjit duhet të jetë në qendër të procesit dhe çdo vend kandidat duhet të gjykohet sipas meritave të veta”, thuhet në dokument.

Po ashtu, rezoluta propozon pranimin me faza të vendeve kandidate në politikat evropiane, iniciativat dhe tregun e përbashkët, duke përfshirë aksesin në fondet evropiane, të cilat do t'u mundësonin qytetarëve të ndjejnë përfitimet e anëtarësimit gjatë procesit të negociatave.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se politika e përbashkët e jashtme u bë shumë e rëndësishme gjatë konfliktit në Ukrainë, por se shpejtësia e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet e bazuar në progresin në kapitujt themelorë të negociatave për anëtarësim. (Irma)