Kina publikon pamjen e parë me rreze X të forta të diellit
2022-11-24 20:39:23

foto: VCG

foto: VCG

Sateliti kinez i eksplorimit diellor ka transmetuar pamjen e vet të parë diellore që kur u dërgua në hapësirë në tetor, njoftoi Observatori i Malit të Purpurt (PMO) me qendër në provincën lindore të Kinës Jiangsu.

Observatori Diellor i Përparuar me Bazë në Hapësirë (ASO-S) - i quajtur “Kuafu-1” në gjuhën kineze - dërgoi pamje me të ashtuquajtura rreze X të forta të zjarreve diellore që shpërthyen në orën 1:00 të mëngjesit sipas Kohës Universale më 11 nëntor 2022, tha Gan Weiqun, kryeshkencëtari i satelitit nga PMO në varësi të Akademisë Kineze të Shkencave (CAS). 

Gan-i tha se pamja u mor nga imazhuesi me rreze X të rënda që mbart sateliti. Megjithëse ende në periudhën e testimit, efekti i pamjes është i shkëlqyer, duke lejuar identifikimin efektiv të detajeve të shpërthimit dhe strukturës së përimtuar të diellit.

 “Kuafu-1” u nis me një raketë “Marshimi i Madh-2D” më 9 tetor nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it në Kinën Veriperëndimore. 

Observatori diellor në hapësirë, i quajtur “Kuafu”, sipas një gjigandi në mitologjinë kineze që ndjek diellin pa u lodhur, funksionon në një orbitë sinkrone me Diellin, e cila nuk  pengohet nga rrotullimi i Tokës, ndërsa një teleskop në Tokë mund ta shohë Diellin vetëm gjatë ditës.

"ASO-S është në gjendje ta hetojë diellin 24 orë në ditë për shumicën e vitit," tha Gan. "Koha më e gjatë e pushimit të tij nuk është më shumë se 18 minuta kur ecën për një kohë të shkurtër nëpër hijen e Tokës çdo ditë nga maji në gusht." (Artan)