Samiti i G20-s dhe takimi i liderëve të APEC-ut në fokusin e analistit
2022-11-21 14:35:30


Kontinenti aziatik javën e kaluar shënoi dy evente të rëndësishme jo vetëm për këtë rajon, por dhe globalisht. Më 15 dhe 16 nëntor u mbajt në ishullin Bali të Indonezisë Samiti i 17-të i Grupit të 20 Vendeve (G20). Vendet e G20-s zënë 80 për qind të ekonomisë botërore, 75 për qind të tregtisë ndërkombëtare dhe dy e tretat e popullsisë globale. Këto vende kanë edhe ushtritë më të fuqishme, ekonomitë më të përparuara dhe shoqëritë më novatore në botë.

Në kohën e sotme situata ndërkombëtare është e trazuar, ekonomia botërore është në prirje rënieje dhe zhvillimi global përballet me sfida të mëdha. Në këtë sfond, vendi kryesues i radhës i G20-s, Indonezia, përcaktoi si temë të samitit “Rimëkëmbje e përbashkët, rimëkëmbje më e fortë.” Në samit morën pjesë udhëheqës botërorë, si presidenti kinez Xi Jinping, presidenti amerikan Joe Biden, kryeministri i Indisë Narendra Modi dhe presidenti indonezian Joko Widodo, të cilët zhvilluan takime të rëndësishme dypalëshe në prezencë, duke trajtuar tema me rëndësi globale.

Ndërkohë në kryeqytetin tajlandez Bangkok u zhvillua të premten Samiti i CEO-ve të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC). Presidenti kinez Xi bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta për krijimin e hapësirave të reja të zhvillimit dhe ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët të Azi-Paqësorit.

Për këto dy evente të rëndësishme në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës prof.asc Enver Bytyçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, ndan opinionet e tij.

Foto:Xinhua

CMG: Zhvillimi i samitit të G20 në një aktualitet botëror të ngarkuar me konflikte, por dhe sfida të shumta gjeopolitike, ekonomike dhe financiare çfarë mesazhi përcolli?

Prof.asc Enver Bytyçi: Samiti i G20-s këtë vit u mbajt në Bali të Indonezisë dhe ishte i dimensioneve të veçanta krahasuar me samitet e mëparshëm. Ishte një samit që u mbajt me prani fizike të udhëheqësve të 20 vendeve më të fuqishme të botës dhe për pasojë kishte zhvillime shumë interesante pas shumë vitesh kishte takime, biseda midis presidentësh dhe kryeministrash. Kishte një rend intensive jo vetët takimesh, por edhe debatesh e konsultash deri sa erdhi tek dokumenti përfundimtar i këtij samiti.

Samiti mbahet në një situate tepër komplekse dhe të veçantë që ka të bëjë me konfliktin në Ukrainë sepse kryefjala e samitit ishte ky konflikt dhe pasojat e tij. Tashmë kanë kaluar afërsisht 10 muaj nga koha kur ka nisur ky konflikt dhe pasojat e tij janë evidente, janë kriza e ushqimit, kriza ekonomike dhe krizat e njëpasnjëshme dhe ndoshta kemi dhe një lloj trazire sociale  midis qeverive në vende të ndryshme të botës dhe qytetarëve të pakënaqur nga rritja e kostos së jetesës dhe mungesa e elementëve jetësorë.

Në këtë kuptim them se ky samit ishte i një rëndësie të veçantë.

CMG: Vendet e G20-s zënë 80 për qind të ekonomisë botërore, 75 për qind të tregtisë ndërkombëtare dhe dy e tretat e popullsisë globale. G20-a mblodhi liderët e vendeve me interesa të ndryshëm për diskutimin e çështjeve globale. Një ndër takimet e rëndësishme të Samitit ishte ai midis presidenti kinez Xi Jinping dhe atij amerikan Joe Biden. Opinioni juaj për takimin

Prof. asc. Enver Bytyçi: Natyrisht takimi më i rëndësishëm në G20 është takimi midis presidentit kinez Xi Jinping dhe atij amerikan Joe Biden. Të dy presidentët u takuan për here të pare pas disa vitesh dhe ky ishte një takim përmbajtësor për shkak se të dy presidentët ranë dakord për çeshtje të rëndësishme globale. Çeshtja kryesore kishte të bënte me mospërdorimin e armëve bërthamore, një kërcënim serioz pas nisjes së konfliktit në Ukrainë .

Dakordësimi për mospërdorimin e armëve bërthamore qetësoi në një fare mënyre shpirtrat e njerëzimit  për shkak se bota po përjetonte një ankth dhe frikë të jashtëzakonëshme nga mundësia e këtij rreziku. Pozicionimi i Kinës  ishte shumë i rëndësishëm që me vizitën e kancelarit Scholz në Pekin në këtë aspekt, por u rikonfirmua dhe në takimin që u mbajt në Bali të Indonezisë të presidentëve kinez dhe amerikan. Ajo për të cilën të dy presidentët u morën vesh kishte të bënte me klimën, mjedisin, pakësimin e karbonit në hapësirë dhe me përmirësimin e ajrit për njerëzimin.

Natyrisht që roli i Kinës në këtë aspekt është shumë i madh, ashtu si dhe i Indisë, SHBA-së dhe vendeve të tjera  të industrializuara, por Kina ka një peshë të jashtëzakonëshme. Në kushtet e krizës aktuale ka mundësi që jo vetëm Kina por dhe vendet e tjera të heqin dorë nga investimet e mëdha për përmirësimin e klimës dhe investimin pastaj tek jetesa e qytetarëve, rritja e mirëqenies së tyre për të përballuar pasojat e krizës energjitike dhe ushqimore.

Në takim elaborimi i temës së mjedisit do të thotë që Kina mban përgjegjësi globale dhe jo vetëm për qytetarët e saj. Kjo do të thotë se ajo u solidarizua dhe ra dakord në bisedimet me presidenti amerikan   që të rritet kontributi i saj   në përmirësimin e klimës.

Çeshtja themelore për të cilën të dy presidentët nuk do të merreshin vesh ishte çeshtja dhe raporti që kanë SHBA me Tajvanin. Natyrisht që amerikanët njohin “Një Kinë” çka do të  thotë që Tajvani nuk do të njihet si shtet i pavarur prej tyre, por gjithësesi amerikanët synojnë të mbajnë një marrëdhënie specifike me ishullin e Tajvanit dhe ta mbajnë atë larg idesë së bashkimit me Kinën. Nga ana e saj Kina natyrisht që është për bashkimin me Tajvanin, derisa ka “një Kinë”, një shtet kinez presupozohet që edhe ishulli i Tajvanit, i cili deri në vitin  1971 përfaqësonte Kinën të bashkohet me të. Ajo që përbën thelbësoren në këtë takim është rikonfirmimi i presidentit Xi bashkimi i Tajvanit me Kinën nuk do të bëhet me luftë, por me mjete paqësore, që do të thotë se në këtë zone të Paqësorit, të botës do të ruhen ekuilibrat dhe harmonia.

Tajvanezët kanë investuar në Kinë rreth 370 miliardë dollarë që do të thotë se ekonomia e Tajvanit, sipërmarrësit e tij janë integruar plotësisht në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Kinën. Ky integrim është pa dyshim edhe një integrim shpirtëror, kulturor, që është i pranishëm sepse  të dy popujt kanë të njejtën histori dhe  trashëgimi kulturore.

CMG: Presidenti Xi pati takime dhe me liderë europianë ndër të cilët presidenti francez Macron dhe kryeministrja italiane Meloni. A ishin premtues këto takime sa i përket shkëmbimeve Kinë-BE në të ardhmen e afërt?

Prof. asc. Enver Bytyçi: Konflikti në Ukrainë ka sjellë në vëmendjen e Perëndimit dy element. Elementi i pare është që në Europë dhe në Perëndim duhet të aplikohet sistemi i demokracisë. Por elementi kryesor është elementi i stabilitetit global, që do të thotë se çeshtjet ideologjike, të sistemeve të qeverisjes që nuk kanë të bëjnë me natyrën e vendeve të tjera, të lihen  në një plan të dytë dhe prioritet të marrë stabiliteti, siguria  dhe paqja në botë. Në këtë kuptim them se marrëdhënia e shteteve europiane me Kinën kanë interesin që të krijojnë një botë stabile, të paqtë dhe të sigurtë.

Kina është aktor shumë i rëndësishëm, ndoshta ndër dy ose tre aktorët më të rëndësishëm në botë, ku kam parasysh Bashkimin Europian si një tërësi, SHBA-në dhe vetë Kinën, që kontribuon në këtë aspekt. Fakti që Kina i përmbahet ruajtjes së rendit botëror do të thotë që  Kina është një fuqi e madhe konstruktive në ruajtjen e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në botë.

Pikërisht për këtë arësye vëmendja e vendeve europiane është shtuar në kontakt dhe në marrëdhëniet me lidershipin kinez. Pas takimit të Olaf Scholz në Pekin në Bali presidenti kinet u takua me presidentin francez Macron dhe kryeministren e Italisë Meloni. Vendet e perëndimit janë në kontakt me lidershipin kinez dhe bisedojnë për problematikat e mëdha globale dhe për pasojë e shohin Kinën si një partner shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e këtyre problemeve globale. Kjo është me rëndësi të veçantë. Kina duhet ta përmbushë misionin e saj në këtë aspekt dhe punon intensivisht në ruajtjen e stabilitetit të paqes dhe stabilitetit në botë, por ka dhe politikat e saj të veçanta.  

CMG: Samiti i G20-s është shumë i rëndësishëm për botën. Çështje të tilla si siguria globale, ndryshimet klimatike, kriza energjetike dhe recesioni ekonomik kanë shpërthyer në mënyrë të përqendruar.  Samiti miratoi "Deklaratën e Samitit të Balit të liderëve të G20-s". Keni ndonjë koment rreth deklaratës?

Prof. asc Enver Bytyçi: Organizatorët e Samitit të G20-s, lidershipi i Indonezisë ishte kujdesur që në këtë samit  çeshtja e konfliktit në Ukrainë të trajtohej me një gjuhë të butë. Kjo sepse mendonin se në këtë samit bënin pjesë edhe vende të cilat kanë një marrëdhënie të veçantë me Rusinë. E vërteta është se vendet që kanë një marrëdhënie të veçantë me Rusinë, përfshirë Kinën, Indinë, Egjiptin dhe Turqinë mbajtën një qëndrim konstruktiv gjatë gjithë punimeve të G20-s. Konstruktiviteti i tyre qëndron në faktin se ato e njohin sovranitetin shtetëror të Ukrainës dhe kufijtë e saj, madje asnjeri prej këtyre vendeve nuk ka njohur as aneksimin e Krimesë në vitin 2014. Është konstruktiv sepse të gjitha vendet janë kundër përdorimit  të armëve të shkatërrimit në masë, ku përfshihen edhe armët bërthamore dhe ky është një rezultat spektakolar për G20.

Rrallëherë bota ka patur një unifikim të tillë, apo një harmoni të tillë në qëndrimet e veta përballë një konflikti të caktuar, ku bota është e përçarë pavarësisht Kartës së OKB-së. Për pasojë në këtë samit kishte një frymë konstruktive  dhe pozitive e të gjitha vendeve pjesmarrëse. Për këtë arësye edhe dokumenti përfundimtar u miratua me votën e 19 vendeve, përveç Rusisë. Ky dokument është një bazë e mire për një bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen për t’i dhënë fund konfliktit. Ajo që bie në sy në këtë dokument dhe bisedimet që janë zhvilluar është thirrja ndaj Rusisë për t’i dhënë fund  luftës dhe për t’u ulur  në tryezën e bisedimeve. Të njejtën gjë po bëjnë të gjithë pjesmarrësit por do të shohim se si do të shkojnë gjërat në terren dhe nëse do të ketë bisedime për t’i dhënë fund  konfliktit dhe për të realizuar paqen  dhe stabilitetin dhe në këtë pjesë të Europës.

Gjthësesi Samiti i Balit dhe qëndrimet e udhëheqësve të G20-s ishin qëndrime konstruktive, pavarësisht refuzimit të ministrit të jashtëm rus Lavrov për të nënshkruar dokumentin përfundimtar.    

Foto:VCG

CMG: Një tjetër ngjarje e rëndësishme e javës që kaloi ishte Samiti i CEO-ve të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) që u zhvillua në kryeqytetin taljandez Bangkok. Cili pritet të jetë ndikimi i pritshëm i këtij forumi në aktualitetin global?

Prof. asc. Enver Bytyçi: Sa më shumë të ketët takime shumëpalëshe të liderëve politikë globalë apo rajonalë siç është APEC, aq më mire do të ndjehet bota. Sigurisht që në asnjë takim nuk do të ketë përputhje të plotë të ideve dhe vizioneve për zhvillimin e botës dhe njerëzit kanë gjithmonë qëndrime dhe mendime të ndryshme dhe për pasojë dhe shtetet ku lëvizin interesa, marrëdhëniet, investimet, tregtia apo ndikimet dhe për pasojë nuk mund të presim që të ketë një harmoni të plotë midis vendeve.

Takime të tilla  hedhin ide për zhvillime të reja globale ose rajonale. APEC është një organizatë rajonale e Azi Paqësorit, ku bëjnë pjesë shumë shtete të Azisë. Republika Popullore e Kinës ka një rol të rëndësishëm në këtë organizatë për shkak të fuqisë që ka, numrit të madh të popullsisë, vendit që ze në prodhimin e përgjithshëm shoqëror në botë, apo dhe për fuqinë politike dhe ushtarake.

Me rëndësi është fakti që në këtë organizatë të gjitha shtetet ndjehen të barabartë dhe askush nuk imponon askënd dhe për pasojë gjithçka zhvillohet në raport me interesat e përbashkëta të tyre. Nëse në raport me këto interesa nuk funksionon diçka do të thotë që nuk merren vendime të përbashkëta.

Funksionimin e organizatave të tilla e bën të rëndësishëm rregulli ku të funksionojë konsensusi dhe APEC, pavarësisht se në statutin e saj nuk e përmban rregullin e vetos, funksionon me një lloj konsensusi dhe jo nëpërmjet imponimit të shumicës së shteteve ndaj  pakicës, gjë që ndodh në BE, NATO dhe disa organizata të tjera.

Ekzistenca e konsensusit bën që të gjitha vendet të ndjehen të barabarta në çdo lloj organizimi. APEC mendoj që i përket kësaj kategorie  ku shtetet ndjehen të barabartë  dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe mbi këtë bazë është ndërtuar bashkëpunimi, marrëveshjet për tregtinë, investimet, ndihmën reciproke mes shteteve, infrastrukturën. Mendoj se qëllimi kryesor i APEC është bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve si dhe energjitikës dhe fusha të tjera, të cilat kanë ndikim të përbashkët për zhvillimin, mirëqenien dhe stabilitetin e këtij rajoni.


Intervistoi Eda Merepeza