Ukraina kërkon 7.8 miliardë dollarë ndihmë të huaj deri në fund të vitit
2022-11-16 15:07:41

Foto: VCG

Ukraina po synon të tërheqë 7.8 miliardë dollarë në ndihmë të huaj deri në fund të vitit, njoftoi agjencia e lajmeve “Interfax-Ukraine”, duke cituar ministrin e Financave Serhiy Marchenko.

Marchenko u tha gazetarëve në Kiev se Ukraina po llogarit të marrë 4.8 miliardë dollarë nga partnerët ndërkombëtarë këtë muaj dhe pjesën tjetër të shumës në dhjetor, përcjell “Xinhua”.

“Dhjetori është muaji i fundit i vitit dhe zakonisht shpenzimet janë më të lartat dhe mbi mesataren mujore. Prandaj, natyrisht, ne tani po kërkojmë të gjitha mundësitë për të kaluar pa dhembje si nëntorin ashtu edhe dhjetorin”,- tha Marchenko.

Duke komentuar financimin në periudhën janar-mars 2023, Marchenko tha se Ukraina do të përdorë një pjesë të ndihmës së paralajmëruar prej 18 miliardë euro (rreth 18.58 miliardë dollarë) nga Bashkimi Evropian për të mbuluar boshllëkun buxhetor.

Sipas qeverisë, Ukrainës i duhen rreth 5 miliardë dollarë në muaj për të kompensuar deficitin e saj buxhetor. Muajin e kaluar, Ministria e Financave njoftoi se Ukraina kishte marrë 24.1 miliardë dollarë ndihmë ndërkombëtare që nga fillimi i konfliktit me Rusinë më 24 shkurt. (Elona)