Xi: Kina do të vijojë të punojë me vendet anëtare të G20-s lidhur me ekonominë digjitale
2022-11-16 18:47:11

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping  u bëri thirrje vendeve anëtare të G20-s të forcojnë bashkëpunimin për të çliruar potencialin e ekonomisë digjitale për rritjen globale.

Duke folur në samitin e G20-s të mërkurën, presidenti Xi nxiti përpjekjet për të krijuar bashkërisht një mjedis të hapur, përfshirës, të drejtë e jodiskriminues për zhvillimin e sektorit digjital.

"Vendet duhet të punojnë së bashku për të nxitur ndërlidhshmërinë në epokën digjitale e të marrin masa efektive për të përmirësuar aftësitë e njohuritë digjitale të të gjithë njerëzve, duke ndihmuar veçanërisht vendet në zhvillim dhe grupet më të cenueshme për t’u integruar në valën digjitale dhe duke u përpjekur për të eliminuar ndarjen digjitale. Kina ka shpallur Nismën e Rrugës Digjitale të Mëndafshit dhe e ka bërë ekonominë digjitale një fushë kyçe bashkëpunimi në Nismën e Zhvillimit Global, dhe pret me kënaqësi të bashkëpunojë me të gjitha palët në këtë aspekt," vuri në dukje ai.

Presidenti Xi theksoi më tej se G20-a duhet të mbështesë multilateralizmin, t’i japë përparësi zhvillimit dhe të eliminojë ndarjen digjitale, duke ndjekur zhvillimin e nxitur nga risitë për të ndihmuar në rimëkëmbjen pas pandemisë.

Kina e përfshiu ekonominë digjitale në agjendën e G20-s për herë të parë në samitin e Hangzhou-t më 2016, duke propozuar metoda inovative zhvillimi dhe duke shfrytëzuar hovin e rritjes.

Samiti miratoi "Deklaratën e Samitit të Balit të liderëve të G20-s".

Në mbrëmjen e së martës, Xi Jinping-u dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan morën pjesë në darkën e mirëseardhjes të Samitit të Liderëve të G20-s, të shtruar nga presidenti indonezian Joko Widodo dhe bashkëshortja e tij Iriana.

Në aktivitetet përkatëse morën pjesë edhe Wang Yi, He Lifeng e të tjerë.  (Fang Xiaoyu/Artan)