Xi Jinping takohet me Joe Bidenin
2022-11-15 09:23:06

Pasditen e së hënës, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një takim me homologun e tij amerikan Joe Biden në Bali të Indonezisë. Të dy krerët e shteteve patën shkëmbime të sinqerta e të thella mendimesh mbi çështjet strategjike në marrëdhëniet kino-amerikane, si edhe për problemet e rëndësishme globale dhe rajonale.

Xi Jinping takohet me homologun amerikan Joe Biden(Foto:Xinhua)

Xi Jinping takohet me homologun amerikan Joe Biden(Foto:Xinhua)

Gjatë takimit, Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina dhe ShBA-ja kanë kaluar mbi 50 vjet ulje-ngritjesh që nga vendosja e kontakteve dhe e marrëdhënieve diplomatike deri më sot, duke pasur përfitime e humbje dhe duke marrë përvoja e mësime. Historia është libri më i mirë dhe të dyja palët duhet të mësojnë prej saj e të përballen së bashku me të ardhmen, theksoi ai. Gjendja e tanishme e marrëdhënieve kino-amerikane nuk përputhet me interesat themelore të dy vendeve e popujve dhe me pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare. “Si udhëheqës të dy fuqive të mëdha, ne duhet të luajmë rol drejtues, të gjejmë rrugën e duhur të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe të promovojmë ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një nivel më të lartë. Politikanët duhet të mendojnë dhe të qartësojnë drejtimin e zhvillimit të vendit të tyre, si edhe se si të shkojnë mirë me vendet e tjera dhe me botën,” tha ai.

Xi Jinping-u paraqiti situatën kryesore dhe arritjet e Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës. Ai vuri në dukje se politikat e brendshme dhe të jashtme të PKK-së e të qeverisë kineze janë të hapura e transparente dhe se synimet e tyre strategjike janë të qarta e ruajnë një shkallë të lartë vazhdimësie dhe stabiliteti. “Ne do të vijojmë të palëkundur reformën e hapjen dhe do të promovojmë ndërtimin e një ekonomie të hapur botërore. Do të vazhdojmë të ndjekim me vendosmëri një politikë të jashtme të pavarur paqësore, do të nxitim dialogun, konsultimet, zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, thellimin e zgjerimin e partneritetit global, si edhe mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar me OKB-në në qendër dhe të rendit ndërkombëtar të bazuar mbi ligjin ndërkombëtar, dhe do të promovojnë ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit”, tha presidenti kinez.

Xi Jinping-u vuri në dukje se bota është në një pikë kthese të rëndësishme historike dhe të gjitha vendet jo vetëm duhet të përballen me sfida të papara, por edhe të shfrytëzojnë mundësitë që gjenden përpara tyre si kurrë më parë. Marrëdhëniet kino-amerikane duhet të shikohen dhe të trajtohen nga kjo perspektivë. Kina kurrë nuk kërkon të ndryshojë rendin ekzistues ndërkombëtar, nuk ndërhyn në punët e brendshme të Shteteve të Bashkuara dhe nuk ka ndër mend të sfidojë apo zëvendësojë Shtetet e Bashkuara. Të dyja palët duhet t'i përmbahen respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë dhe të sigurojnë së bashku që marrëdhëniet ndërmjet tyre të ecin përpara në kursin e duhur, pa ngecje e pa përplasje, theksoi më tej kreu i shtetit kinez. Respektimi i normave bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, shtoi ai, është çelësi për të dyja palët për të menaxhuar konfliktet e dallimet dhe për të parandaluar kundërvënien e konfliktet, si edhe përbën mbrojtjen dhe garancinë kryesore për marrëdhëniet kino-amerikane.

Presidenti Xi shpjegoi në mënyrë sistematike origjinën e çështjes së Tajvanit dhe pozicionin parimor të Kinës. Ai theksoi se çështja e Tajvanit është thelbi i interesave themelore të Kinës, baza politike e marrëdhënieve kino-amerikane dhe vija e parë e kuqe e pakapërcyeshme e këtyre marrëdhënieve. Zgjidhja e çështjes së Tajvanit është punë e vetë popullit kinez dhe punë e brendshme e Kinës. “Zoti President ka thënë shumë herë se nuk e mbështet ‘pavarësinë e Tajvanit’ dhe nuk ka ndër mend ta përdorë Tajvanin si një mjet për të kërkuar epërsi konkurruese ndaj Kinës e as për të frenuar Kinën. Shpresojmë që Shtetet e Bashkuara të mbajnë premtimet e tyre,” theksoi Xi.

Ai shtoi më tej se liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut janë kërkesat e përbashkëta e njerëzimit dhe objektivat e vazhdueshëm të Partisë Komuniste të Kinës. Shtetet e Bashkuara kanë demokraci të stilit amerikan dhe Kina ka demokraci të stilit kinez, të cilat janë që të dyja në përputhje me kushtet e tyre kombëtare. Sistemi demokratik i asnjë vendi nuk mund të jetë i përsosur dhe ka nevojë për zhvillim e përmirësim të vazhdueshëm. E ashtuquajtura “demokraci kundër autoritarizmit” nuk është tipar i botës së sotme dhe as në përputhje me prirjen e kohës, tha Xi.

Xi Jinping takohet me homologun amerikan Joe Biden(Foto:Xinhua)

Xi Jinping takohet me homologun amerikan Joe Biden(Foto:Xinhua)

Xi Jinping-u vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara zbatojnë doktrinën kapitaliste, ndërsa Kina socializmin, dhe të dy palët po ndjekin rrugë të ndryshme. Ky dallim nuk është shfaqur sot dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Është shumë e rëndësishme që Kina dhe Shtetet e Bashkuara ta pranojnë dhe respektojnë këtë ndryshim, në vend që të imponojnë uniformitetin dhe të përpiqen ta ndryshojnë - apo edhe ta përmbysin - sistemin e palës tjetër. Pala amerikane duhet të reflektojë lidhur me angazhimet e saj me veprime konkrete, në vend që të thotë një gjë dhe të bëjë një gjë tjetër.

Xi Jinping-u theksoi se Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë dy vende të mëdha me histori, kultura, sisteme shoqërore dhe rrugë zhvillimi të ndryshme. Ato kanë pasur dallime në të shkuarën, kanë në të tashmen dhe do të kenë edhe në të ardhmen. Megjithatë, kjo nuk duhet të bëhet pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve kino-amerikane. “Ne e kundërshtojmë politizimin dhe ‘armëzimin’ e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, shkencore dhe teknologjike. Në gjendjen e tanishme, interesat e përbashkët të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara nuk janë pakësuar, por janë shtuar. Rimëkëmbja e ekonomisë globale pas epidemisë, reagimi ndaj ndryshimeve klimatike dhe zgjidhja e çështjeve të pikave të nxehta rajonale janë të pandashme nga koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, dhe janë gjithashtu në interesin e përbashkët të tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë njëra-tjetrën, të përfitojnë nga njëra-tjetra, të fokusohen në situatën e përgjithshme dhe të sigurojnë një atmosferë të mirë e marrëdhënie të qëndrueshme për bashkëpunimin ndërmjet tyre, vuri në dukje Xi Jinping-u.

Presidenti amerikan Joe Biden tha nga ana e tij se ai njihet prej shumë vitesh me presidentin Xi Jinping dhe ka mbajtur komunikim të rregullt me të, por kjo në asnjë mënyrë tjetër nuk mund të zëvendësojë takimet ballë për ballë. Ai shprehu urime për rizgjedhjen e Xi Jinping-ut si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së. Biden vuri në dukje se, si dy vende të mëdha, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë përgjegjësinë për të pasur marrëdhënie konstruktive, duke shtuar se ShBA-ja është e përkushtuar për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit ndërmjet dy krerëve të shteteve dhe qeverive në të gjitha nivelet, duke zhvilluar një dialog të sinqertë për çështjet ku të dyja palët nuk pajtohen dhe duke luajtur një rol kyç në forcimin e bashkëpunimit të nevojshëm për të trajtuar sfidat e rëndësishme globale, si ndryshimet klimatike dhe siguria ushqimore. “Dua të ritheksoj se një Kinë e qëndrueshme dhe në zhvillim është në interes të Shteteve të Bashkuara e të botës. Shtetet e Bashkuara e respektojnë sistemin e Kinës dhe nuk kërkojnë ta ndryshojnë atë, nuk kërkojnë një Luftë të Ftohtë të re, nuk kërkojnë t’i kundërvihen Kinës duke forcuar aleancat, nuk përkrahin ‘pavarësinë e Tajvanit’, nuk mbështesin ‘dy Kina’ ose ‘një Kinë e një Tajvan’ dhe nuk kanë ndër mend të përplasen me Kinën. Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndër mend të kërkojnë të ‘shkëputen’ nga Kina, as të pengojnë zhvillimin ekonomik të Kinës apo ta rrethojnë Kinën,” tha presidenti i ShBA-së.

Xi Jinping takohet me homologun amerikan Joe Biden(Foto:Xinhua)

Xi Jinping takohet me homologun amerikan Joe Biden(Foto:Xinhua)

Biden shtoi se mënyra se si zhvillohen marrëdhëniet amerikano-kineze është vendimtare për drejtimin e ardhshëm të botës. "Ne kemi përgjegjësinë për të treguar që Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë të afta për të menaxhuar dallimet, për të parandaluar shndërrimin e konkurrencës në konflikt dhe për të gjetur mënyra për të bashkëpunuar në çështjet urgjente globale," tha Biden. Qeveria amerikane ndjek politikën e “një Kine”, nuk kërkon ta përdorë çështjen e Tajvanit si një mjet për të frenuar Kinën dhe shpreson të shohë paqen dhe stabilitetin në të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit, theksoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Të dy krerët e shteteve shkëmbyen mendime edhe për krizën në Ukrainë dhe çështje të tjera. Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina është shumë e shqetësuar për gjendjen e tanishme në Ukrainë. Kina ka qëndruar gjithmonë në anën e paqes, do të vazhdojë të promovojë bisedimet e paqes dhe mbështet e pret me padurim rifillimin e bisedimeve të paqes midis Rusisë e Ukrainës. Kina shpreson gjithashtu që Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian të zhvillojnë dialog gjithëpërfshirës me Rusinë, tha Xi.

Samiti i Grupit të 20 Vendeve (G20) për vitin 2022 do të zhvillohet më 15 dhe 16 nëntor në Bali të Indonezisë. Në këtë samit do të marrin pjesë udhëheqës botërorë, si presidenti kinez Xi Jinping, presidenti amerikan Joe Biden, kryeministri i Indisë Narendra Modi dhe presidenti indonezian Joko Widodo. Kjo është edhe vizita e parë jashtë vendit e presidentit Xi pas Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së.(Zhan Dian/Artan)