foto nga VCG
Samiti i Grupit të 20 Vendeve (G20) për vitin 2022 do të zhvillohet më 15 dhe 16 nëntor në Bali të Indonezisë. Në këtë samit do të marrin pjesë udhëheqës botërorë, si presidenti kinez Xi Jinping, presidenti amerikan Joe Biden, kryeministri i Indisë Narendra Modi dhe presidenti indonezian Joko Widodo. Kjo është edhe vizita e parë jashtë vendit e presidentit Xi pas Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së.
Në një kohë trazirash dhe paqëndrueshmërie të madhe ndërkombëtare, vendet e G20-s janë në qendër të veprimit. Së bashku, ato zënë 80 për qind të ekonomisë botërore, 75 për qind të tregtisë ndërkombëtare dhe dy e tretat e popullsisë globale. Këto vende kanë edhe ushtritë më të fuqishme, ekonomitë më të përparuara dhe shoqëritë më novatore në botë. Por ato kanë gjithashtu edhe konfliktet që kërkojnë më shpejt zgjidhje, si konflikti tregtar ndërmjet Kinës e ShBA-së dhe kundërvënia gjeopolitike ndërmjet ShBA-së, Evropës e Rusisë. Këto vende mund të bashkohen për zgjidhjen e problemeve, por edhe të ndahen duke e acaruar situatën.
Dialogu duke respektuar njëri-tjetrin, bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë të vetmet mënyra që mund ta çojnë këtë botë të ndërvarur në një drejtim më pozitiv.
foto nga VCG
Në raportin e tij në Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së, Xi Jinping-u tha: "Vetëm kur vendet të zhvillohen bashkërisht, mund të ketë një zhvillim të vërtetë; vetëm kur vendet të lulëzojnë bashkërisht, mund të ketë një lulëzim të vërtetë". Pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, Kina ka marrë pjesë në formulimin dhe zbatimin e Nismës së Pezullimit të Shërbimeve të Borxheve të G20-s dhe ka pezulluar më shumë borxhe në krahasim me anëtarët e tjerë të grupit. Gjatë Mbledhjes Ministrore të Tregtisë, Investimeve dhe Industrisë të G20-s, që u zhvillua po në Indonezi, Kina deklaroi qartazi se është e gatshme të punojë bashkërisht me anëtarët e tjerë të G20-s për nxitjen e reformës së Organizatës Botërore të Tregtisë dhe për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshm të Kombeve të Bashkuara.
Të marrim si shembull nismën "Një brez, një rrugë" të Kinës. Qysh nga shpallja e saj në vitin 2013, kjo nismë është bërë një simbol i njohur i produktit publik global dhe një platformë praktike për bashkëpunim. Si pjesë përbërëse e "Një brez, një rrugë", Kina ka nënshkruar mbi 200 dokumente bashkëpunimi me 149 vende e 32 organizata ndërkombëtare. Deri në fund të vitit 2021, kompanitë kineze kanë investuar mbi 43 miliardë dollarë amerikanë në zonat e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar të vendeve partnere të "Një brez, një rrugë" dhe kanë krijuar mbi 340 mijë vende pune për banorët vendorë. Deri në gusht të vitit 2022, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe vendeve partnere të "Një brez, një rrugë" ka arritur në afro 12 trilionë dollarë amerikanë dhe investimet e drejtpërdrejta jofinanciare të Kinës në këto vende i kanë kaluar 140 miliardë dollarët amerikanë.
foto nga VCG
Sot G20-a ka detyra edhe më të ndërlikuara. Fuqia dhe ndikimi i vendeve të G7-s, që quhen edhe si "ekonomi të zhvilluara", po dobësohet gjithnjë e më shumë, pasi ky grup vendesh po orientohet më shumë drejt gjeopolitikës dhe kundërvënies. Në vend që të bëhet një pjesëmarrëse pozitive dhe aktive në qeverisjen globale, G7-a po planifikon të kthehet në një bllok politik si ata të Luftës së Ftohtë, që priret më shumë drejt kundërvënies sesa bashkëpunimit.
Po ashtu, edhe vetë vendet e G7-s ndodhen përpara presionit të madh. Inflacioni më i lartë gjatë katër dekadave në ShBA, paqëndrueshmëria politike në Britaninë e Madhe dhe çmimi tepër i lartë i gazit natyror në vendet anëtare të BE-së janë vetëm maja e ajsbergut gjigant të sfidave që ndodhen përpara atyre. Rrëmuja e brendshme nuk mund të sjellë stabilitet të jashtëm.
Është koha që bashkësia më e gjerë globale të marrë përgjegjësi më të mëdha për zhvillimin dhe sigurinë e vet. Ndërsa G20-a, duke mbledhur liderët e vendeve me interesa të ndryshëm për diskutimin e çështjeve globale, ofron një rast të rrallë për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit të vërtetë.
foto nga VCG