Konfuci, shkolla e të gjithëve
2022-11-11 10:02:06

Shqiptarët kanë një histori mbi 70 vjeçare të mësimit të kinezishtes. Në kulmin e marrëdhënieve dypalëshe në vitet 70-të të shekullit të kaluar kinezishtja mësohej në klasat e kryeqytetit, në selitë e institucioneve të rëndësishme, linjat e prodhimit, fabrika apo miniera. Shumë shqiptarë që punonin me specialistë të ardhur nga Kina nisën të mësonin gjuhën e vendit aziatik, të tjerë kanë kryer studimet në Kinë, ku kanë mësuar gjuhën kineze dhe janë diplomuar në degë të ndryshme në universitetet kineze.

Profesoresha Zhang Xiaoying(Foto:BFSU)

Profesoresha Zhang Xiaoying(Foto:BFSU)

Faqja zyrtare e Institutit të Konfudit në Tiranë(Foto:Universiteti i Tiranës)

Faqja zyrtare e Institutit të Konfudit në Tiranë(Foto:Universiteti i Tiranës)

Tradita e mësimit të kinezishtes është ringjallur në Shqipëri nëpërmjet Institutit Konfuci, me seli në Tiranë. Ky institut u themelua më 18 nëntor të vitit 2013. Në 7 vitet e fundit janë regjistruar 4280 studentë. Prej vitit 2015 deri më sot, ndër to mund të themi që janë mbi 200 studentë që kanë përfituar bursa si në vlerë monetare po ashtu dhe bursa studimi në Kinë, në universitetet partnere. Që nga fillimi i tij në Shqipëri, Instituti Konfuci ofron kurse të gjuhës dhe kulturës kineze, seminare, programe shkëmbimi, bursa në universitetet më të mira të Kinës.

Prof. Dr. Zhang Xiaoying Drejtore e Institutit Konfuci në Shqipëri flet për veprimtarinë e tij prej afro një dekade

CMG: Cili është aktiviteti i Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës që nga themelimi e deri më tani?

Prof. Dr Zhang Xiaoying: Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës (CIUT) u themelua në Nëntor 2013 në partneritet me Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BFSU). Tani jemi nëntë vjeç. CIUT filloi të mësojë gjuhën kineze në vitin 2015 dhe filloi HSK(汉语水平考试),testin e aftësisë në gjuhën kineze në vitin 2017. Zhvillimi i Institutit të Konfucit CIUT është gradual dhe konsistent, duke ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme.

Qëllimi ynë në thelb është i dyfishtë. E para është të mësojë gjuhën kineze për studentët shqiptarë të të gjitha moshave në të gjithë Shqipërinë pasi është i vetmi Institut Konfuci në Shqipëri. Qëllimi i dytë është nxitja e shkëmbimit dhe bashkëpunimit akademik midis Universitetit të Tiranës UT dhe Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit BFSU, midis universiteteve të tjera si në Shqipëri ashtu edhe në Kinë. Kjo është arsyeja pse Instituti Konfuci u krijua fillimisht në bazë të partneritetit midis dy universiteteve. Secila palë kontribuon dhe ndan suksesin dhe arritjet.

CMG: Në prag të 10-vjetorit të veprimtarisë së Institutit Konfuci, a janë arritur objektivat e tij për promovimin e gjuhës dhe kulturës kineze në Shqipëri?

Studenti kinez Erion (Foto CMG)

Studenti kinez Erion (Foto:CMG)

Prof. Dr Zhang Xiaoying: Qëllimi i  Institutit Konfuci është afatgjatë, pasi komunikimi kulturor është komunikim i dyanshëm dhe kërkon kohë për t'u realizuar. Por me mbështetjen e fortë të të dy universiteteve partnere, ky Institut ka shënuar arritje të rëndësishme. Në 7 vitet e fundit kemi pasur gjithsej 4280 studentë të regjistruar. Programi i shkëmbimit të studentëve është i fuqishëm. Për momentin kemi 8 studentë kinezë që vijnë në Universitetin e Tiranës për të studiuar gjuhën shqipe. Kemi edhe studentë shqiptarë që studiojnë gjuhën kineze online në universitete të ndryshme në Kinë. Ka një energji të mirë që lëviz përreth.

CMG: A është rritur interesimi i të rinjve shqiptarë për të mësuar gjuhën dhe kulturën kineze në këtë institut?

Prof. Dr Zhang Xiaoying: Për habinë time, të rinjtë shqiptarë janë shumë të interesuar për gjuhën dhe kulturën kineze pavarësisht ndarjes mes dy vendeve në vitet 1970. Vitin e kaluar, studentët e regjistruar arritën në 647, një rritje prej 12% se një vit më parë. Kjo është pjesërisht për shkak të fuqisë së KOL, udhëheqësit kryesor të opinionit, i famshëm në internet  dhe vërtet i fuqishëm.

CMG: Cilat janë objektivat e Institutit Konfuci për vitin e ardhshëm?

Prof. Dr Zhang Xiaoying Ne do të vazhdojmë atë që kemi bërë. Janë dy gjëra që ne do t’i kushtojmë rëndësi të madhe vitin e ardhshëm. Për sa i përket mësimit të gjuhës kineze, ne do të pasurojmë kurrikulën tonë duke ofruar kurse të reja si Taiji për të përmbushur kërkesat e reja të studentëve tanë. Do të krijojmë programe për trajnimin e më shumë mësuesve vendorë. Për sa i përket bashkëpunimit akademik, ne do të  nxisim nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit.

Studenti kinez Flori (Foto CMG)

Studenti kinez Flori (Foto:CMG)

Vitet e fundit në Shqipëri është vënë re një tendencë në rritje e fëmijëve dhe studentëve në mësimin e kinezishtes. Për ta kjo gjuhë është sa e bukur aq edhe sfiduese. Arsyet kryesore të mësimit të kinezishtes lidhen kryesisht me fuqinë ekonomike të Kinës dhe shikohet si mundësi punësimi për të ardhmen. Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe të Fakultetit të Ekonomisë janë kategoria më e interesuar për të mësuar gjuhën kineze, pasi ata e kanë pjesë të kurrikulave mësimore.

Çdo të mërkurë në mbrëmje prej afro një viti në qendër të Tiranës në “Chinese Garden” (Kopshti kinez), përveç shijimit të kuzhinës kineze mblidhet dhe “Klubi i librit” ku studentë, pedagogë të Istitutit, por dhe të interesuar pas filozofisë dhe letërsisë kineze lexojnë faqe librash dhe i komentojnë ato. Një ndër studentet e spikatura të Institutit Konfuci Atinela Nikolla është dhe një ndër drejtueset e takimeve të këtij klubi, ndërsa po lexohet libri “Tao te ching” i filozofit të shquar kinez Laozi.

CMG: Kur ka nisur “Klubi i librit”, kjo iniciativë kaq interesante jo vetëm letrare, por edhe filozofike e njohëse me autorë kaq të rëndësishëm të kulturës kineze?

Atinela Nikolla: “Klubi i librit” është një event që organizohet çdo javë pranë ambjenteve të “Chinese Garden” dhe trajton kryesisht filozofinë e Laozi, “Tao te ching”. Është një filozofi e kulturës lindore, shumë e thjeshtë për t’u përthithur dhe shumë interesante. E lexojmë librin në gjuhën shqip dhe në kinezisht.

CMG: Pjesmarrja në këtë lexim të së mërkurës kryhet vetëm në kinezisht dhe cilët janë pjesmarrësit në veprimtari?

Atinela Nikolla: Leximi i kapitujve bëhet në të dyja gjuhët.Pjesmarrësit janë studentë nga Instituti Konfuci por dhe kushdo që ka dëshirë të njohë filozofinë dhe kulturën kineze.

CMG: Për ty Atinela, çfarë është gjuha dhe kultura kineze?

Studentja kineze Arta (Foto:CMG)

Studentja kineze Arta (Foto:CMG)

Atinela Nikolla: Për mua është një trajtim i ri, zgjerim horizonti, udhëtim drejt një universi të ri shumë shpirtëror, në paqe me veten, që të bën të jesh më aktiv dhe mendërisht.

CMG: Nuk e ke vizituar asnjëherë Kinën , por studjon në Institutin Konfuci, Në cilin nivel?

Atinela Nikolla: Në nivelin e tretë. Ndërkohë studioj në Fakultetin e Shkencave Sociale për Filozofi.

Instituti Konfuci  në Shqipëri që nga themelimi i tij numëron rreth 4000 studentë të regjistruar  për të ndjekur kurset e gjuhës dhe kulturës kineze. Për vitin akademik 2021-2022, numërohen mbi 460 studentë të regjistruar, nga niveli HSK 1 deri në nivelin HSK 6. Përveç kësaj, gjatë gjithë vitit më shumë se 120 studentë nga Instituti morën pjesë në kampin veror 2-javor të organizuar nga Universiteti i Gjuhëve të huaja të Pekinit (BFSU). Aktualisht Instituti ofron edhe kurse për fëmijë dhe disa prej tyre ndjekin rregullisht kurset e gjuhës kineze.

Instituti Konfuci ka bashkëpunime dhe me botën akademike në Shqipëri. Për këtë flet drejtori ekzekutiv i Institutit Erion Malaj

“Aktualisht ne kemi disa marrëdhënie institucionale midis Institutit dhe disa universiteteve të tjera jashtë Tiranës. Bëhet fjalë për Universitetin e Vlorës, të Elbasanit dhe Universitetin e Korçës. Njëkohësisht më pare kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi bashkëpunim dhe me Universitetin e Durrësit. Këto bashkëpunime i vlejnë shumë Institutit tone dhe njëkohësisht komunitetit për t’i krijuar mundësinë që të studiojnë gjuhën dhe kulturën kineze, tashmë jo vetëm në Tiranë, por në rang kombëtar, duke qenë se jemi vetëm ne promotorë të drejtpërdrejtë të gjuhës dhe kulturës kineze në Shqipëri. Instituti ka disa forma të tjera bashkëpunimi dhe me institucione lokake ku do të përmendja Bashkinë e Tiranës apo me ministry dhe institucione administrative për të ndihmuar në promovimin e gjuhës dhe kulturës kineze. Pak kohë më pare u mbyll “Java e kulturës kineze”, ku ne ishim një ndër njësitë më aktive. Momentalisht  stafi ynë, pedagogët dhe studentën kanë përkthyer një sërë materialesh që i shërbejnë turistëve kinezë që do të vizitojnë në vijim Shqipërinë. Këto janë materiale që për here të pare përkthehen në gjuhën kineze, të cilat ata do t’i gjejnë  në formatin e një libri të vogël në çdo pike turistike që do të vizitojnë në Tiranë”

Instituti Konfuci në Shqipëri ofron mundësi që studentët të mësojnë gjuhën kineze me mësues vendas dhe kinezë për të gjitha nivelet. Ata mund ta realizojnë këtë nëpërmjet një planprogrami të ofruar nga fakulteti ose duke u regjistruar në Institut. Që nga shkurt 2022, Instituti ka 4 pedagogë vendës dhe 4 kinezë.

Dy vajza të reja kineze, Lu dhe Yafen ndodhen prej një viti në Shqipëri, ku punojnë si mësuese të gjuhës kineze në Institutin Konfuci. Ato tregojnë se nxënësit dhe studentët e tyre shqiptarë janë shumë të pasionuar pas gjuhës kineze, të cilën e mësojnë me zell. Lu dhe Yafen kanë vizituar shumë qytete të Shqipërisë dhe Saranda i ka mahnitur për bukurinë e saj natyrore. Atyre u pëlqen të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.

Një rijësi e Institutit Konfuci prej një viti janë kurset e Taichi, nga profesoresha kineze Tan Xiao.

Veprimtari të Instutit Konfuci në Ambasadën e Kinës në Tiranë (Foto Instituti Konfuci)

“Unë jam mësuese e Taichi-së. Jam shumë e lumtur që punoj për Institutin Konfuci. Javën e ardhëshme nisin kurset e Taichi-së, të cilat do të zgjasin 6 javë. Çdo të martë dhe të enjte të interesuarit mund të vijnë në Institutin Konfuci për të praktikuar Taichi. Çdo seancë do të jetë dy orëshe nga ora 17.30-19.30. Në këto kurse do të mësoni si të praktikoni Taichii, sepse në ditët e sotme njerëzit më së shumti ndjehen të lodhur apo të stresuar. Nëpërmjet praktikimit të Taichi-së ata mund të realizojnë lidhjen midis trupit dhe mendjes dhe do të kenë shumë përfitime. Kjo është arësyeja që miliona njerëz në mbarë botën praktikojnë Taichi, këtë art të mrekullueshëm”, u shpreh Tan.

Çdo vit në  Universitetin e Tiranës vijnë për të ndjekur kursin 1 vjeçar të gjuhës shqipe studentë nga Universiteti i Gjuhëve të Huaja të Pekinit. I takuam disa prej tyre në “Klubin e librit” dhe u shprehën shumë të lumtur që ndodhen në Shqipëri. Të rinjtë kinezë me emrat shqiptarë Arta, Erion, Luljeta dhe Flori, pas dy vitesh studime të gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit këtë vit akademik do të vazhdojnë studimet në Universitetin e Tiranës.

Përgjatë vitit akademik studentët e institutit kryejnë veprimtari të shumta kulturore Në kuadër të promovimit të kulturës kineze janë organizuar aktivitete të ndryshme kulturore si: “Konkursi i Kulturës Kineze”, “Festa e Fenerit Kinez”, aktivitete me muzikë dhe valle tradicionale kineze konkurse të kaligrafisë, ping pong, përgatitja e çajit sipas kulturës së lashtë kineze.

Instituti Konfuci organizon që prej vitit 2017 konkursin “Chinese Bridge”, një konkurs ndërkombëtar që organizohet nga Zyrat e Institutit Konfuci (Hanban). Ky konkurs përfshin aftësitë e të mësuarit dhe të kuptuarit të gjuhës kineze, njohuritë rreth Kinës dhe talenteve kulturore kineze.

Institutet Konfuci (孔子学院Kǒngzǐ Xuéyuàn) janë institucione publike jofitimprurëse, qëllimi i të cilave është të promovojnë gjuhën dhe kulturën kineze ndërkombëtarisht. Instituti i parë Konfuci u hap më 21 nëntor 2004 në Seul, Koreja e Jugut.

Studentët e huaj në Kinë(Foto:VCG)

Studentët e huaj në Kinë(Foto:VCG)

Sipas të dhënave të Ministrisë kineze të Arsimit deri në nëntorin e vitit 2021, numri i njerëzve që po mësojnë gjuhën kineze në botë tejkalon 25 milionë, ndërsa numri i njerëzve që ka mësuar dhe përdorur gjuhën kineze është rreth 200 milionë. 1500 institute dhe klasa Konfuci numërohen në 159 vende të botës, në të cilat kanë studjuar më shumë se 13 milionë studentët. Mbi 180 vende kanë zhvilluar projekte për mësimdhënien e gjuhës kineze. 75 vende kanë vendosur gjuhën kineze në sistemin kombëtar të arsimit. Mbi 4000 universitete kanë degë ose kurse të gjuhës kineze  Prej vitit 2021, gjuha kineze është bërë gjuhë zyrtare e Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së. Aktualisht në nivel global mësojnë kinezisht mbi 25 milion vetë.

Instituti "Konfuci" është bërë një platformë e rëndësishme për shtimin e miqësisë midis popullit kinez e popujve të tjerë e për nxitjen e shkëmbimeve midis qytetërimit kineze e qytetërimeve të tjera botërore.

Shqipëria po bëhet dita-ditës një vend kozmopolit, ku takon shtetas nga vende të ndryshme të botës, që jetojnë e punojnë këtu, por më së shumti është tepër i lartë interesimi i shqiptarëve për gjuhët dhe kulturat e botës. Instituti Konfuci dhe të tjera institucione, si Këshilli Britanik, Aleanca Franceze, Instituti Goethe  apo Instituti Italian i Kulturës, janë dritare të promovimit të gjuhës dhe kulturës botërore në Shqipëri.

Viti 2023 shënon 10 vjetorin e veprimtarisë së Institutit “Konfuci” në Shqipëri. Drejtuesit e tij premtojnë shtim të kurrikulave mësimore dhe veprimtarive kulturore, që synojnë më shumë dije, shkëmbime kulturore dhe njerëzore  e mbi të gjitha miqësi.

Siç ka thënë filozofi i madh kinez Konfuci, “Arsimi ushqen besimin. Besimi lind shpresën.Shpresa udhëheq paqen.

Realizoi Eda Merepeza