Guvernatori Sejko: 69% e shqiptarëve zotërojnë një llogari bankare
2022-11-11 14:14:35

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se përfshirja financiare e shqiptarëve po përmirësohet ndjeshëm dhe rritja e numrit të individëve që zotërojnë një llogari bankare është një prej treguesve më domethënës. 

Gjatë një takimi për sistemin e pagesave, guvernatori Sejko tha se 69% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë tashmë një llogari bankare, raporton “RTSH”.

“Objektivi ynë fillimisht ishte arritja e një niveli të përfshirjes financiare të popullsisë në masën 70%, por vlerësojmë se në periudhën afatshkurtër ky nivel do të tejkalohet, duke shënuar përafrim të ndjeshëm me vendet e Ballkanit dhe ato të Bashkimit Evropian”, tha Sejko.

Ai u shpeh se siguria në komunikim dhe në ndërveprim është jo vetëm e nevojshme, por edhe e domosdoshme, në kushtet e komunikimit të hapur që imponon open-banking, si dhe në kuadër të rreziqeve të shtuara në sferën e sigurisë kibernetike, me të cilat po përballet Shqipëria së fundi. 

Banka e Shqipërisë vlerëson se deri tani objektivat e strategjisë kombëtare të pagesave me vlerë të vogël 2018-2023 janë arritur dhe në disa raste janë tejkaluar. Konkretisht, në vitin 2021 është arritur një nivel i përdorimit të pagesave elektronike prej 12.5 pagesash për frymë, duke tejkaluar edhe objektivin e synuar të Strategjisë prej 10 pagesash deri në fund të vitit 2023, ndërkohë që, në vitin 2022, vlerësohet se kjo shifër do të arrij nivelin 16 pagesa për frymë.

Sipas guvernatorit Sejko, pagesat me kartë dhe ato homebanking gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e përditshmërisë së shqiptarëve. 

Nga të dhënat e disponuara sa i takon volumit të transaksioneve homebanking për këtë 9-mujor, rezulton se është shënuar një rritje prej 22%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke vijuar trendin rritës të shfaqur ndër vite. (Irma)