Kina mbështet kërkesat e vendeve në zhvillim për financimin klimatik
2022-11-11 19:25:34

Kina mbështet kërkesat e vendeve në zhvillim, veçanërisht atyre më të prekura, për fonde nga vendet e pasura lidhur me humbjen dhe dëmet që lidhen me ndikimet e ndryshime klimatike, u shpreh i dërguari i posaçëm për ndryshimin klimatik i Kinës Xie Zhenhua.

Xie, gjithashtu përfaqësuesi i posaçëm i presidentit kinez Xi Jinping, i tha këto të martën gjatë një konference shtypi në sesionin e 27-të të Konferencës të Palëve (COP27) të  Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin Klimatik (UNFCCC).

Si një vend në zhvillim, edhe Kina pësoi humbje kolosale këtë vit për shkak të katastrofës klimatike, u shpreh Xie.

Ai vuri në dukje se zgjidhja për çështjet e humbjes dhe dëmeve është e qartë, domethënë parimi i "përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme", i përcaktuar nga UNFCCC-ja, Marrëveshja e Parisit dhe Protokolli i Kiotos, duke u bazuar në studimet shkencore dhe përgjegjësitë historike.

"Kina dëshiron, megjithëse nuk është detyruar, që të ndihmojë vendet në zhvillim të forcojnë përshtatshmërinë e tyre nëpërmjet bashkëpunimit Jug-Jug," tha Xie, duke shtuar se Kina u ka ofruar 2 miliardë juanë (rreth 275.8 milionë dollarë) vendeve në zhvillim për përshtatjen dhe zbutjen e ndikimit.

Xie i nxiti gjithashtu vendet e zhvilluara që të zbatojnë premtimet e tyre të bëra në Konferencën e Ndryshimit të Klimës të Kopenhagës para më shumë se një dekade, për të dhënë 100 miliardë miliardë dollarë çdo vit për të ndihmuar vendet në zhvillim. 

"Kanë kaluar 13 vjet qysh kur vendet e zhvilluara premtuan 100 miliardë dollarë amerikanë në vit në konferencën e Kopenhagës të vitit 2009, po ato nuk e kanë përmbushur premtimin deri tani," tha i dërguari kinez për klimën. 

"Ajo që do të bëjmë nuk është të rinegociojmë Marrëveshjen e Parisit, por t'i shndërrojmë premtimet në veprime dhe të arrijmë rezultate konkrete," theksoi Xie Zhenhua. (Xu Guang)