Forcat ruse tërhiqen nga lumi Dnieper
2022-11-11 11:07:52

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, urdhëroi trupat ruse të largohen nga ana perëndimore e lumit Dnieper dhe të forcojnë mbrojtjen kundër ofensivave ukrainase në bregun e majtë, raporton “Xinhua”.

“Pas një vlerësimi gjithëpërfshirës të situatës aktuale, propozohet të ndërtohet mbrojtje përgjatë bregut të majtë të lumit Dnieper”,- deklaroi Shoigu.

Pjesa kryesore e qytetit Kherson ndodhet në bregun e djathtë të lumit dhe autoritetet ushtarake e cilësuan një vendim të vështirë për t'u tërhequr, por më e rëndësishmja ishte se do të mbronte jetën dhe aftësinë luftarake të forcave ruse.

Autoritetet ushtarake shprehën gjithashtu shqetësimin se bombardimet e vazhdueshme të Ukrainës ndaj Hidrocentralit Kakhovka në lumin Dnieper mund të përmbytin një zonë të madhe në rrjedhën e poshtme, duke shkaktuar shumë viktima civile dhe duke izoluar trupat ruse në bregun e djathtë.

Shoigu kërkoi nga Sergei Surovikin, komandant i grupit të përbashkët të forcave ruse në Ukrainë, të marrë të gjitha masat për të siguruar zhvendosjen e sigurt të personelit, armatimit dhe pajisjeve pas lumit Dnieper.

Pas tërheqjes, trupat ruse mund të vendosen për të kryer ofensivë në drejtime të tjera, raportoi Surovikin.

Më shumë se 115.000 njerëz ishin evakuuar nga bregu i djathtë i lumit në rajonin Kherson, shtoi Surovikin, duke theksuar se humbjet e Rusisë në drejtimin Kherson ishin dukshëm më të vogla se ato të Ukrainës. (Irma)