Ministri i Jashtëm iranian: SHBA duhet të provojë vullnetin e vërtetë në negociatat bërthamore
2022-11-07 11:31:44

Foto: VCG

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të provojnë vullnetin e tyre të vërtetë në negociatat që synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore iraniane të vitit 2015, sipas faqes së internetit të Ministrisë së Jashtme, njofton “Xinhua”.

Shtetet e Bashkuara duhet të provojnë se nuk do të shkelin detyrimet e tyre duke vendosur sanksione, tha Amir-Abdollahian në takimin e parë të koordinatorëve kombëtarë të Grupit të Miqve në Mbrojtje të Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili filloi të shtunën në Teheran.

Ai vuri në dukje tërheqjen e njëanshme të SHBA-së nga pakti bërthamor, i njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), në 2018, duke thënë se ai tregoi mospërfilljen e Uashingtonit për detyrimet e tij ndërkombëtare dhe shkeljen e qartë të rezolutës së miratuar nga Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit.

Ministri i Jashtëm iranian theksoi se vendi i tij i përmbahet vazhdimit të negociatave bërthamore për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore, ndërsa theksoi të drejtën e tij të patjetërsueshme për të përdorur energjinë paqësore bërthamore në të gjitha dimensionet e saj, përfshirë pasurimin e uraniumit për qëllime paqësore.

Irani nënshkroi JCPOA me vendet kryesore në korrik 2015, duke rënë dakord të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj vendit. Megjithatë, ish-presidenti amerikan Donald Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione të njëanshme ndaj Iranit, duke e shtyrë këtë të fundit të heqë disa nga angazhimet e tij sipas paktit.

Bisedimet për ringjalljen e JCPOA filluan në prill 2021 në Vjenë. Asnjë përparim nuk u arrit pas raundit të fundit të bisedimeve të mbajtura në fillim të gushtit të këtij viti. (Fatosi)