OKB: Ndihma për refugjatët në Afrikën Perëndimore, nën kërcënim
2022-10-30 15:24:54

Mungesa e fondeve kërcënon ndihmën për shumicën e 575.000 refugjatëve në Çad, numri më i madh i refugjatëve në Afrikën Perëndimore.

Refugjatë në Çad(Foto:VCG)

Refugjatë në Çad(Foto:VCG)

Stephane Dujarric, zëdhënësi kryesor i shefit të OKB-së Antonio Guterres, tha se Programi Botëror i Ushqimit mund të detyrohet të shkurtojë në mënyrë drastike ndihmën për deri në 300.000 refugjatë nga Sudani, Republika e Afrikës Qendrore, Nigeria dhe Kameruni, citon “Xinhua”.

Sipas tij, kjo do të thotë se deri në nëntor, vetëm 10 për qind e refugjatëve  mund të marrin ndihmë ushqimore për shkak të mungesës së financimit.

Refugjatë në Çad(Foto:VCG)

Refugjatë në Çad(Foto:VCG)

Përveç 575.000 refugjatëve që nga muaji i kaluar, ai tha se numri i njerëzve të zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Çad është më shumë se dyfishuar, nga 169.000 në vitin 2020 në 381.000 në 2022-shin.

Dujarric tha se Çadi vuan gjithashtu nga përmbytjet më të këqija në vitet e fundit, duke prekur më shumë se 1 milion njerëz. Në mbështetje të Planit Kombëtar të Reagimit të qeverisë për përmbytjet, Programi Botëror i Ushqimit ofron ushqim dhe ndihmë në para për familjet e prekura.

“Agjencia po na thotë se atyre u duhen 102 milionë dollarë amerikanë për të vazhduar ofrimin e ndihmës urgjente për të mbuluar gjashtë muajt e ardhshëm për refugjatët dhe njerëzit më të prekur nga përmbytjet”,- tha Dujarric. (Irma)