BE do të japë 500 milionë euro për Ballkanin Perëndimor për të trajtuar krizën energjetike
2022-10-28 11:14:12

Foto: Xinhua

Bashkimi Evropian do të japë 500 milionë euro (504 milionë dollarë amerikanë) në grante për vendet e Ballkanit Perëndimor për të trajtuar krizën energjetike, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë një konference të përbashkët shtypi në Shkup, me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, përcjell “Xinhua”.

Von der Leyen tha se paketa e mbështetjes së energjisë do të ndihmojë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor të investojë në lidhjet energjetike, efikasitetin e energjisë dhe energjinë e rinovueshme.

Ajo tha se grupi i parë prej 80 milionë euro (80.6 milionë dollarë) nga gjithsej 500 milionë euro do të ndihmojë Maqedoninë e Veriut të trajtojë ndikimin e çmimeve të larta të energjisë.

Von der Leyen po ashtu mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje ndërmjet Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) dhe Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja do të lejojë Frontex-in të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për të menaxhuar flukset migratore, për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe për të trajtuar krimin ndërkufitar.

Në turin e saj në Ballkanin Perëndimor, presidentja e KE-së do të vizitojë gjithashtu Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi. (Irma)