Kancelari gjerman zotohet të ndihmojë në rindërtimin e Ukrainës
2022-10-26 14:53:49

Foto:VCG

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u zotua se do të ofrojë ndihmë të gjerë në rindërtimin e Ukrainës, duke përfshirë ndihmën për bujqësinë, sektorin shëndetësor dhe restaurimin e rrjeteve energjetike të vendit.

“Së bashku me partnerët tanë, ne do të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”,- tha Scholz në hapjen e një forumi biznesi gjermano-ukrainas në Berlin, citon “Xinhua”.

Rindërtimi i Ukrainës do të kushtojë 349 miliardë dollarë amerikanë, sipas një analize të publikuar muajin e kaluar nga Banka Botërore, Bashkimi Evropian (BE) dhe qeveria e Ukrainës.

“Nevojat e Ukrainës për rimëkëmbje dhe rindërtim janë masive dhe në rritje”,- tha presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, në fillim të këtij muaji.

Ndërkohë, kryeministri ukrainas Denys Shmyhal ka vlerësuar se kostoja e rindërtimit në vend do të jetë deri në 750 miliardë dollarë amerikanë.

Scholz premtoi se kompanitë gjermane do të investojnë në Ukrainë, duke theksuar se kushdo që investon në rindërtimin e Ukrainës sot, investon në një shtet të ardhshëm anëtar të BE-së.

Ukraina është kandidate për anëtarësim në BE që nga qershori dhe Scholz përsëriti mbështetjen e Gjermanisë për pranimin e saj. (Elona)