Simpoziumi ndërkombëtar mbi Rrugën e Mëndafshit do të mbahet në qytetin historik të SHBA-së
2022-10-26 11:40:22

Foto: VCG

Një simpozium ndërkombëtar mbi rolin e Rrugës së Mëndafshit në zhvillimin e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në kulturë, art, industri dhe tregti që nga shekulli i 18-të do të mbahet këtë javë në Paterson, New Jersey - "Qyteti i Mëndafshtë" i SHBA-së në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.

Simpoziumi, që do të mbahet në universitetin “William Paterson” të mërkurën dhe të enjten, do të shfaqë prezantime akademike, diskutime dhe ekspozita arti të krijuara për të ofruar një vështrim të ri në orientimin historik të Rrugës së Mëndafshit dhe Paterson, bën të ditur “Xinhua”.

Ngjarja dyditore, e organizuar nga Qendra për Artin Kinez në “William Paterson” do të transmetohet në internet.

"Ne shpresojmë të stimulojmë kërkimin historik mbi Rrugën e Mëndafshit, të zgjerojmë dhe përmirësojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, të ofrojmë një forum diskutimi midis qeverive dhe universiteteve të qyteteve simotra dhe të promovojmë zhvillimin e shkëmbimeve kulturore, arsimore, ekonomike dhe tregtare",- tha Zhiyuan Cong, profesor i artit dhe drejtor i qendrës, në një deklaratë për shtyp.

E themeluar në vitin 2009, Qendra për Artin Kinez në “William Paterson” është qendra e parë jofitimprurëse për artin kinez në Shtetet e Bashkuara që synon të promovojë shkëmbimet kulturore dhe artistike midis dy vendeve. (Elona)