OBSH: Vaksinimi, mjeti më efektiv kundër gripit dhe Covid 19
2022-10-26 14:15:24

Foto: VCG

Zyra Europiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i bën thirrje popullatës të marrë vaksinat kundër gripit dhe Covid 19 sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas OBSH-së, vaksinimi vazhdon të jetë një nga mjetet më efektive në luftën kundër gripit dhe Covid 19, citon “Xinhua”. 

"Me Covid 19 dhe gripin sezonal që qarkullojnë, shëndeti i njerëzve të cenueshëm është në rrezik më të madh",- tha në një konferencë për shtyp drejtori rajonal i OBSH-së, dr. Hans Kluge.

Që nga fillimi i shtatorit, rastet rajonale të Covid 19 janë trefishuar, sipas OBSH-së në Evropë dhe në javën e dytë të tetorit, rajoni evropian përbënte gati 60 për qind të rasteve të reja globale dhe 42 për qind të vdekjeve të reja globale. Megjithatë, sipas Kluge, rritja nuk ka çuar në nivelet e mëparshme të sëmundjeve të rënda.

"Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë maksimumin për të parandaluar infeksionet, për të mbrojtur të cenuarit dhe për të përgatitur sistemet tona shëndetësore për të menaxhuar kërcënimet e shumta",- tha ai. (Elona)