Industria e prodhimit të verës, vlerë e shtuar në ofertën turistike
2022-10-26 15:00:08

Foto: VCG

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po mbështet zhvillimin e industrisë së verës në Shqipëri. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Shqipëria numëron rreth 11 mijë hektarë vreshta të varieteteve të ndryshme dhe gjatë viteve të fundit, prodhimi i verës është rritur me rreth 11.2%, duke fituar qëndrueshmëri në volumin e prodhimit në rreth 190-195 mijë tonë/vit, bën të ditur “ATSH”.

Kjo ecuri pozitive konfirmon potencialin që ka ky sektor për t’u rritur dhe për t’u kthyer në një model të suksesshëm zhvillimi.

Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me BERZH-in po punojnë për zbatimin e programeve këshilluese dhe trajnuese, të cilat kanë ndikim në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe ato konkurruese për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që operojnë në sektorin e verës.

Ekspertët vlerësojnë se sektori i verës në Shqipëri, me vreshtat dhe kantinat  dhe produktet e tyre kanë një potencial të jashtëzakonshëm, ndaj bashkëpunimi me partnerët është i rëndësishëm për ta zhvilluar më tej këtë sektor, për ta bërë më produktiv dhe të qëndrueshëm.

Nisur nga kjo qasje, zhvillimi i sektorit të prodhimit të verës nuk mund dhe nuk duhet të shihet i veçuar nga  turizmi.

Në këtë mënyrë, rritja e ofertës për produktet cilësore “Made in Albania”, kombinuar edhe me përsosjen e formave të marketingut e promovimit, do t’i transformojë zonat e prodhimit të verës në destinacione turistike, duke i bërë më të vizitueshme e duke i shtuar vlerë të gjithë zinxhirit, nga prodhuesi te konsumatori. (Elona)