Sipas të dhënave statistikore të doganës kineze, në 3-tremujorët e parë të këtij viti, vlera e përgjithshme e import-eksportit të mallrave të Kinës arriti në 31.11 trilionë juanë, duke u rritur 9.9 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga janari deri në shtator, vlera e eksportit të mallrave të Kinës ishte 17.67 trilionë juanë, ndërsa e importit 13.44 trilionë juanë, përkatësisht 13.8 % e 5.2% më shumë se në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar. Drejtori i Qendrës Studimore të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal të Institutit të Kërkimeve pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës Zhang Jianping vuri në dukje:
nga VCG
"Të dhënat e rritjes së tregtisë së jashtme në tre tremujorët e parë janë më të mirat ndër të dhënat makroekonomike të Kinës. Ato tregojnë plotësisht nxitjen sistematike të politikës për ruajtjen e qëndrueshmërisë së tregtisë së jashtme në fillim të këtij viti dhe zbatimin e fuqishëm të politikës për stabilitetin e tregtisë së jashtme dhe të investimeve të huaja nga mesi i këtij viti, si dhe përpjekjet e përbashkëta të ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme, duke ndihmuar në arritjen e këtij rezultati relativisht të mirë."
Në shtator, vlera e përgjithshme e import-eksportit të mallrave arriti në 3.81 trilionë juanë, duke u rritur me 8.3 % në krahasim me të njëjtin muaj të vjetshëm. Ndër to, vlera e përgjithshme e eksportit arriti në 2.19 trilionë juanë, me një rritje 10.7 %, dhe vlera e përgjithshme e importit ishte 1.62 trilionë juanë, 5.2 % më shumë. Zhang Jianping-u u shpreh se, në sfondin e shpërthimeve të epidemisë sivjet, tregtia e jashtme e Kinës shfaqi qëndrueshmëri të fortë.
nga VCG
Në tre tremujorët e parë, ASEAN-i vazhdoi të ruajë statusin e partnerit më të madh tregtar të Kinës. Sipas të dhënave statistikore, vlera e përgjithshme e tregtisë ndërmjet Kinës dhe vendeve të ASEAN-it ishte 4.7 trilionë juanë, me një rritje 15.2 % dhe duke zënë 15.1% të vlerës së përgjithshme të tregtisë së jashtme të Kinës. Zhang Jianping u shpreh:
"Në kornizën e nismës 'Një brez, një rrugë', Kina dhe ASEAN-i kanë zhvilluar një bashkëpunim sistematik, duke e përmirësuar efektshmërinë e tregtisë dypalëshe. Në procesin e zbatimit të marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Strategjik (RCEP) këtë vit, për shkak se Kina dhe ASEAN-i janë dy tregje thelbësore të RCEP-it, ato mund të gëzojnë plotësisht efektin e krijimit të këtij tregu të ri. Mund të parashikojmë se ASEAN-i do të vijojë të ketë statusin e partnerit më të madh tregtar të Kinës në të ardhmen. Vlera e përgjithshme e tregtisë mes Kinës dhe ASEAN-it ka arritur afro 900 miliardë dollarë amerikanë, dhe objektivi tjetër do të jetë niveli i 1 trilionë dollarëve ."
nga VCG
Duhet të përmendim se në nëntë muajt e parë të këtij viti, Kina eksportoi produkte elektromekanike me një vlerë 10.04 trilionë juanë, me një rritje 10 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme, duke përbërë 56.8% të vlerës së përgjithshme të eksportit. Ndër to, vlera e eksportit të automjeteve ishte 259.84 miliardë juanë, duke u shtuar 67.1 %. Zhang Jianping është i mendimit se kjo pasqyron gjendjen e zhvillimit të sektorit të automjeteve me energji të reja të Kinës:
"Ky rezultat vjen nga forca e inovacionit e rritur në mënyrë të pandërprerë e ndërmarrjeve kineze të automjeteve, por edhe nga përkrahja dhe inkurajimi i politikës shtetërore për automjetet me energji të reja. Sipas të dhënave statistikore, është arritur rritja e eksportit të automjeteve kineze, duke përfshirë edhe ato me energji të reja. Ky është një kulm i zhvillimit të sektorit kinez të automjeteve. Sipas të dhënave statistikore të këtij viti, në fakt, Kina e ka kaluar Gjermaninë, një vend i madh për prodhimin e automjeteve, duke u renditur në vendin e dytë pas Japonisë në fushën e eksportit të automjetit. Kjo tregon arritjet dhe përparimin thelbësor të Kinës në këtë fushë."
nga VCG
Zhang Jianping u shpreh po ashtu se në tremujorin e 4-të të këtij viti, mjedisi i tregtisë ndërkombëtare do të bëhet më i paqartë dhe më i ndërlikuar. Ndërmarrjet e tregtisë së jashtme duhet t'i kushtojnë vëmendje më të madhe ndryshimit të tregut dhe të bëjnë vlerësime në bazë të treguesve të ndryshëm kompleksë.