Elena Duka: një çast në jetë më tjetërsoi qënien
2022-10-20 11:04:11


Elena Duka

Elena Xhina (Duka) ka lindur në Gjirokastër. Ajo ka kryer studimet për Drejtësi dhe më pas ka ndjekur studimet pasuniversitare, duke marrë titullin Doktor Shkencash. Ka qenë deputete në Legjislaturën 2017-2021 dhe aktualisht është këshilltare ligjore e ministrit të Drejtësisë. Elena është autore e disa botimeve shkencore në fushën e së drejtës. Ajo ka botuar librin "Dritëhijet e një procesi" dhe librin me poezi "Pak Magji". Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Elena ndan detaje nga jeta e saj personale dhe profesionale.

Elena Duka 

CMG: Elena cili është kuptimi i emrit tuaj kur pyesni sot për të ?

Elena Duka: Emri im ka histori të thjeshtë ashtu si çdo emër tjetër në fakt, që është vendosur në të njëjtat vite që më është vendosur mua emri. Ideja ka qenë përherë që emri të trashëgohej edhe kështu ndodhi. Mua më trashëguan emrin ndërsa e veçanta është që të dyja gjyshet e mia nga mami dhe nga babi kanë mbajtur të njëjtin emër "Elena ". Ndaj dhe emri im mban emrin e atyre të dyjave.
CMG: A mund të na dërgosh në sirtarin tënd të kujtimeve? Çfarë mund të gjejmë atje ?

Elena Duka: Sirtarin tim të kujtimeve unë e ruaj me shume fanatizëm, duke qenë që edhe vetë kujtimet i ruaj ashtu. I dashuroj detajet që kanë ndërtuar të tashmen time, e cila bazat i ka në të shkuarën. Kam mbajtur shumë gjëra që sot vijnë si kujtime të ëmbla të një epokë ku edhe unë jetën e shihja me nuanca të ëmbla .
Fëmijëria e te gjithëve pa perjashtim është e bukur dhe ka shumë emocione dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe që mos të mbeten kujtime.

CMG: Çfarë do t'i ktheje vetes apo jetës sërish në të tashmen, nëse do të të jepej mundësia?

Elena Duka: Për mua apo për çdo njeri tjetër është i rëndësishëm shpirti i plotë.
Me vjen keq që ta them, por zemra dhe shpirti dikur kanë qenë shumë më plot se sot. . Më merr malli që të kem edhe njëherë rreth meje njerez që e duan jetën dhe vlerësojnë njeri- tjetrin. po aq sa dikur. Me kalimin e kohës gjërat zbehen dhe si të tilla na bëjnë të kemi mall apo dëshirë për t'i rikthyer.

CMG: A keni qenë ju një vajzë me ëndrra ?

Elena Duka : Nuk ka ende një njeri që nuk ka ëndrra, por edhe që të kem qenë një vajzë e udhëhequr nga ëndrrat nuk mund të them. Kam qenë thjesht një vajzë që pranoja me qetësi çdo kapitull të jetës. Çdo faqe e re që hapja në jetë i krijoja një hapësirë dhe qetësi që të mund të vazhdoja pavarësisht nëse ishte një ndodhi e mirë apo jo . Në fund të ditës e gjithë jeta është rrugëtim që patjetër ëndrra do të ketë, por jo deri në pikën që të udhëhiqemi prej tyre. Ne duhet të pranojmë që mbi të gjitha duhet të punojmë.

CMG: A ka qenë nëna juaj udhërrëfyese e jetës suaj?

Elena Duka: Unë nuk mendoj se do arrij në një moment të them se jam më e mirë se nëna ime . Ajo ka pasur tiparet më të bukura që ka një grua. Një nënë e qetë dhe balancuese për çdo gjë. Kur flas për udhërrëfimin e jetës, patjetër që e gjej veten pas udhëzimeve të nënës sime . Ajo është një njeri që ka ditur se si të ndërtojë jo vetëm një fëmijë, por një kështjellë dhe kjo e gjitha në sajë të durimit.

CMG: Cilat janë tre fjalët më të përdorura në fjalorin tuaj ?

Elena Duka : Ne fakt nuk e kam konstatuar këtë gjë dhe nuk mendoj që e kam menduar më parë . Unë kam një jetë të mbushur plot me mirësi dhe këto mirësi janë vajzat e mia. Ndaj mendoj që emrat më të përdorur tek unë janë emrat e tyre .

Elena Duka 

CMG: Nëse jeta do ishte një stinë, cila do të ishte stina ku do jetoje gjithnjë?

Elena Duka: Gjithnjë në pranverë dhe jo pa qëllim. Pranvera është stina më e bukur e përtëritjes dhe energjive të mira. Unë do doja të merrja të njëjtën energji në çdo kohë ndaj dhe zgjedh të lulëzoj si në pranverë.

CMG: Jeta ka një mision, por dhe disa vlera që të përfundosh misionin. Cilat janë vlerat më të larta në shoqëri sipas jush ?

Elena Duka: Unë vetë jam shumë mirënjohëse. Do doja që të njëjtin nivel mirënjohje ta gjëja tek çdo njeri. Po! Jeta është një mision i bukur.
CMG: Nëse vajzat të pyesin sot për historinë tuaj të jetës "Si do t'ia nisje”?
Elena Duka:
Na ishte njëherë një vajzë e ndrojtur, por plot ëndrra.
Unë ja them fillimisht vetes këtë histori e më pas bijave të mia . Njeriu bën mirë të njohë fillimisht veten.

CMG: Çfarë i thua më shpesh vetes ?

Elena Duka : Me ndodh shpesh ky reflektim dhe një nga gjërat që i them me shpesh vetes është se çdo njeri ka mundësi për më shumë . Unë kam mundësi për më tepër për t'u rritur dhe bërë një grua me e mirë .Gjithçka është në përmirësim !

Elena Duka dhe vajzat e saj 

CMG: I thua shpesh vetes "Bravo! "?

Elena Duka: Jo asnjëherë, mjaftohem tek arritjet që ja njoh vetes dhe kaq.

CMG: Ju i jepni librit, apo libri ju jep juve ?

Elena Duka: Libri është gjithçka. Bota e librit i jep një lexuesi, por nga ana tjetër shkrimtari jep aty pjesë nga shpirti i tij. Vetëm nëse jep nga vetja mund t'ia dalësh që të jesh edhe një libërdashës i mirë edhe një libërshkrues plot emocione .
CMG: Çfarë është jeta për ju ?

Elena Duka: Jeta është një rrugëtim me të papritura dhe ne asnjëherë nuk e dimë se kë do ndeshim në këtë rrugëtim. Është vetëm një çast ai që mua më ka tjetërsuar qënien. Aty ku unë njoha pratnerin tim, linda vajzat e mija apo bëra hapa në karrierën time.

Intervistoi Megi Latifi