Kina, ndihmë për zhvillimin bujqësor të Shqipërisë
2022-10-20 11:16:21

Ambasada Kineze në Shqipëri dhe Instituti i Shkencave të Mekanizimit Bujqësor të Kinës, në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Profesionale “Mihal Shahini” në Shqipëri, nisën trajnimin për ndërtimin e një ferme moderne.

Ambasada e Kinës në Tiranë, në një postim në “Facebook”, shkruan se Kina është e gatshme të ndajë përvojën e saj me Shqipërinë, për të ndihmuar zhvillimin bujqësor dhe rural të saj.

“Urime Shqipërisë për ceremoninë e suksesshme të hapjes së trajnimit për ndërtimin e një ferme moderne. Trajnimi u organizua nga Ambasada e Kinës në Shqipëri, Instituti i Shkencave të Mekanizimit Bujqësor të Kinës në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Profesionale “Mihal Shahini” në Shqipëri”, -thuhet në mesazhin e ambasadës.

“Si një nga vendet kryesore bujqësore dhe vendi më i madh në zhvillim në botë, Kina ka grumbulluar përvojë të pasur në rigjallërimin e zonave rurale dhe zhdukjen e varfërisë dhe është e gatshme ta ndajë atë me Shqipërinë për të ndihmuar zhvillimin bujqësor dhe rural të saj, si dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve”,- përfundon postimi i ambasadës. (Elona)