Vetëm 4 për qind amerikanë të kualifikuar morën vaksinat bivalente përforcuese të Covid-19
2022-10-12 15:39:28

Vaksinimi covid ne SHBA (Foto Yahoo)

Vaksinimi covid ne SHBA (Foto Yahoo)

Të dhënat e hershme tregojnë se pak më shumë se 11 milionë amerikanë ose rreth 4 për qind e atyre që kualifikohen, kanë marrë vaksinat e reja bivalente përforcuese të Covid-19, sipas një raporti të “The Washington Post”.

Pavarësisht parashikimeve për një valë të vjeshtës dhe dimrit, me potencialin për të sëmurur miliona dhe për të vrarë dhjetëra mijëra, pak amerikanë kanë marrë dozat përforcuese të vaksinave, thuhet në raport, citon “Xinhua”. Rreth gjysma e amerikanëve thonë se kanë dëgjuar pak ose aspak për vaksinat, sipas një sondazhi të fundit nga “Kaiser Family Foundation”.

Një analizë e Fondit të Commonwealth-it parashikon që rreth 90.000 vdekje nga Covid-19 mund të parandalohen këtë vjeshtë dhe dimër nëse më shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara marrin përforcuesin e tyre deri në fund të vitit.

Deri më 6 tetor, rreth 68 për qind e popullsisë së SHBA-së ishte plotësisht e vaksinuar, sipas të dhënave më të fundit nga Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Por më pak se gjysma e popullsisë plotësisht të vaksinuar ka marrë një dozë përforcuese. (Elona)