Foto nga VCG
Sipas vendimit të "OPEC+" për uljen e prodhimit mesatar ditor të naftës bruto me 2 milionë fuçi që nga nëntori, mediat në Shtetet e Bashkuara kanë shpërthyer në diskutime të zjarrta këto ditë. Fillimisht, administrata e presidentit Biden shpresonte se rritja e prodhimit nga vendet kryesore prodhuese të naftës në Lindjen e Mesme do të kufizonte çmimet e naftës dhe kështu do të ndihmonte Shtetet e Bashkuara të kontrollonin inflacionin, por rezultati ishte krejtësisht i kundërt. Uebsajti “The Hill” komentoi se vendimi i “OPEC+” i dha Bidenit një goditje të rëndë në aspektin e politikës së jashtme. Abdullah, një analist politik nga Emiratet e Bashkuara Arabe, theksoi se "Uashingtoni nuk është i vetëdijshëm për lindjen e një Gjiri të ri që nuk është më nën komandën e Uashingtonit".
Pse "OPEC+" vendosi të ulë prodhimin? Analistët theksuan se, nga njëra anë, arsyeja është që rënia e fundit e çmimeve ndërkombëtare të naftës ka ulur të ardhurat dhe fitimet e vendeve eksportuese të naftës. Të shqetësuar për një rënie të mëtejshme të çmimeve të naftës, ato zgjodhën një strategji të pakësimit të prodhimit për të garantuar çmimet. Nga ana tjetër, për shkak të ndikimit të lojërave gjeopolitike, pasiguria e perspektivës ekonomike globale është rritur dhe kërkesa për naftë në të ardhmen mund të bjerë. Me një fjalë, çmimet e naftës janë jetike për vendet e "OPEC+" si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe vendimi i tyre për të ulur prodhimin bazohet në interesat e tyre ekonomike.
Foto nga VCG
Por vendimi i mërziti Shtetet e Bashkuara. Për muaj të tërë, zyrtarët e qeverisë amerikane kanë qenë aktivë brenda dhe jashtë vendit, duke u përpjekur të zbutin çmimet e energjisë që janë në rritje të shpejtë dhe të frenojnë inflacionin e lartë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në ShBA. Megjithatë, vendimi i "OPEC+" për të ulur prodhimin ka të ngjarë të zhbëjë përpjekjet e tyre të mëparshme dhe të sjellë telashe në zgjedhje për Partinë Demokratike.
Më e rëndësishmja, kjo është një shuplakë e rëndë për diplomacinë e qeverisë amerikane. Kur Biden vizitoi Arabinë Saudite në korrik të këtij viti, një qëllim i rëndësishëm ishte të kërkonte çmime më të ulëta të naftës për Shtetet e Bashkuara për të ulur inflacionin. Sipas CNN-it, në ditët para mbledhjes së "OPEC+", zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane të energjetikës, ekonomisë dhe politikës së jashtme ende po përpiqeshin të lobonin në vendet përkatëse për të votuar kundër shkurtimeve të prodhimit, por dështuan.
Pavarësisht se sa e ashpër apo e butë tregohet ShBA-ja, vendet e Gjirit nuk ia kanë dhënë këtë mundësi. Me sa duket, ato thjesht nuk janë më të gatshme të marrin urdhra nga Uashingtoni dhe vendosmëria e tyre për të mbrojtur interesat e veta është shumë e fortë.
Foto nga VCG
Le të marrim si shembull Arabinë Saudite. Marrëdhënia e saj me Shtetet e Bashkuara ka ndryshuar nga një aleat i vendosur i "naftës për siguri" në të kaluarën, në një marrëdhënie të largët tani. Në vitin 2019, kur u sulmuan objektet e naftës saudite, presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump tha: "Ky është një sulm ndaj Arabisë Saudite, jo ndaj Shteteve të Bashkuara." Pasi administrata Biden mori detyrën, ajo është angazhuar në diplomacinë e të drejtave të njeriut në Lindjen e Mesme, duke e rritur forcën centrifugale të Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme ndaj Shteteve të Bashkuara.
Foto nga VCG
Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme kanë rritur gradualisht autonominë e tyre. Disa analistë besojnë se me tkurrjen strategjike të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, fuqitë rajonale si Arabia Saudite kanë më shumë të drejtë fjale në marrjen e vendimeve përkatëse. Pas shpërthimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, vendet prodhuese të naftës në Lindjen e Mesme kanë më shumë hapësirë për të manovruar në gjeopolitikë dhe ato nuk janë të gatshme të mbështeten vetëm te Shtetet e Bashkuara. Është një fakt i padiskutueshëm që sistemi i aleancave të ShBA-së në Lindjen e Mesme po shpërbëhet gradualisht dhe aftësia e saj për të komanduar aleatët po dobësohet dita-ditës.
Pas shpalljes së vendimit për uljen e prodhimit të naftës nga "OPEC+", pati prej atyre në Shtetet e Bashkuara që kërcënuan se do të merrnin kundërmasa dhe disa ligjvënës madje filluan të nxitin hartimin e projektligjeve në përpjekje për t'u hakmarrë ndaj vendeve të Gjirit. Në një koment të CNN-it të dielën theksohet se vendimi i "OPEC+" për të ulur prodhimin "dëmtoi Shtetet e Bashkuara", por Uashingtoni duhet të pranojë se këto vende kanë interesat dhe strategjitë e tyre kombëtare dhe nuk janë të lidhura me ShBA-në.
Ironikisht, kur Shtetet e Bashkuara shprehën zemërimin për shkurtimet e prodhimit të naftës nga "OPEC+", presidenti francez Emmanuel Macron i kritikoi Shtetet e Bashkuara, duke thënë se veprimi i tyre i shitjes së gazit natyror me një çmim të lartë kur aleatët evropianë kanë mungesë të energjisë nuk është "kuptimi i vërtetë i miqësisë" midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Ndërsa dënuan rritjen e çmimit të naftës të shkaktuar nga shkurtimet e prodhimit të "OPEC+", Shtetet e Bashkuara kanë rritur në mënyrë agresive çmimin e gazit natyror që u shesin aleatëve evropianë.