Grevat në rafineritë e naftës në Francë, panik për karburantet
2022-10-10 15:12:40

Grevat ne France (Foto Thestar)

Grevat ne France (Foto Thestar)

Konfederata e Përgjithshme e Punës (CGT) në Francë njoftoi vazhdimin e grevës në rafineritë “TotalEnergies” dhe “ExxonMobil, duke çuar në panik lidhur me karburantin në vend, njofton “Xinhua”.

Sipas Ministrisë së Tranzicionit të Energjisë, 20.7 për qind e pikave të servisit kishin vështirësi me të paktën një produkt të shtunën, krahasuar me 19 për qind të premten.

Delegati i “ExxonMobile” në “CGT”, Christopher Aubert, tha se të paktën 70 për qind e punëtorëve të kompanisë ishin në grevë të shtunën.

Nga ana e tij, udhëheqësi i sindikatave Pedro Afonso tha se të gjithë punëtorët në grevë ishin në rafinerinë “TotalEnergies”, të vendosur në Feyzin pranë qytetit të Lyon.

Veprimet e grevistëve çuan në një ulje të dërgesave të karburantit, duke shkaktuar frikë te francezët për mungesën e karburantit pasi disa pika shërbimi “Total” ishin mbyllur.

Ministrja për Tranzicionin e Energjisë, Agnes Pannier-Runacher, deklaroi se masat e marra, duke përfshirë autorizimin e automjeteve të rënda të mallrave që furnizojnë stacionet me karburant për të qarkulluar në fundjavë, bënë të mundur stabilizimin e situatës në nivel kombëtar.

Të premten, disa politikanë francezë, përfshirë presidentin Emmanuel Macron, bënë thirrje për dialog dhe përgjegjësi midis grevistëve të “TotalEnergies” dhe kompanisë.

Greva filloi më 27 shtator, duke e detyruar kompaninë të mbyllte përkohësisht rafinerinë më të madhe të vendit në rajonin e Normandisë më 28 shtator. (Fatosi)