Shkencëtarët kinezë dhe të huaj: Rruga e Qumështit peshon më pak
2022-10-07 14:37:38

 Në thellësi të Rrugës së Qumështit(Foto:VCG)

Në thellësi të Rrugës së Qumështit(Foto:VCG)

Një ekip kërkimor i përbërë nga shkencëtarë kinezë dhe të huaj ka matur me saktësi masën e Rrugës së Qumështit, duke zbuluar se ajo është rreth 550 miliardë herë më e madhe se masa e Diellit.

Masa e sapomatur e Rrugës së Qumështit është gati gjysma e vlerës mesatare të matur nga ekipet e tjera kërkimore, e cila ishte rreth 1 trilion herë masa e Diellit, raporton “Xinhua”.

Rezultatet u publikuan së fundi në revistën “Monthly Notices of the Royal Astronomical Society”.

“Rezultatet tona të fundit sugjerojnë se Rruga e Qumështit mund të jetë më e hollë nga sa mendonim më parë”,- tha Xue Xiangxiang, anëtarja kryesore e ekipit kërkimor dhe studiuese në Observatorin Kombëtar Astronomik të Akademisë Kineze të Shkencave (NAOC).

Sipas saj, kjo do të thotë se ka shumë më pak materie të errëta jo-shkëlqyese, por gravitacionale, në galaktikë nga sa është vlerësuar fillimisht.

Sipas Xue, masa është thelbësore për të kuptuar dinamikën e galaktikës.

Në këtë hulumtim, shkencëtarët morën rezultatet bazuar në të dhënat nga teleskopi spektroskopik me fibra LAMOST, një teleskop optik kryesor në Kinë dhe sateliti Gaia i Agjencisë Hapësinore Europiane.

Mostra e madhe e të dhënave spektroskopike të ofruara nga LAMOST është një nga avantazhet kryesore të këtij hulumtimi në krahasim me studimet e ekipeve të tjera kërkimore, tha Xue.

Ekipi hulumtues përbëhej nga shkencëtarë nga “China Three Gorges University”, NAOC, “Sëinburne University of Technology” në Australi dhe “Shanghai Jiao Tong University”. (Irma)