Balluku: Energjia e rinovueshme, prioritet për Shqipërinë
2022-10-06 11:26:28

Ministrja e Energjetikes Belinda Balluku (Foto Rtsh)

Ministrja e Energjetikes Belinda Balluku (Foto Rtsh)

Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit mes “Albgaz” dhe kompanisë spanjolle “ENAGAS”, duke i hapur rrugë të dyja palëve për të bashkëpunuar dhe ndërvepruar për projekte të rëndësishme që qeveria shqiptare ka në sektorin e gazit.  E pranishme gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se energjia e rinovueshme është një prioritet për Shqipërinë dhe se kjo marrëveshje do të ndikojë në hapat që do të hidhen në të ardhmen, bën të ditur “RTSH”.  

Balluku tha se pavarësisht se vendi prodhon 100% të energjisë së rinovueshme, sërish ka nevojë për burime alternative.  

“Në javën e parë të tetorit kemi arritur të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi, e cila vendos në një kuadër të pastër ligjor hapat që do të hedhim në të ardhmen. Nuk ka asnjë shtet i cili është imun nga kriza që ka krijuar në ditët e sotme energjia. Nuk është thjesht çështja e çmimit, nuk është thjesht tregu që po sillet në një mënyrë të paprecedent, por ka të bëjë me sigurimin e energjisë”,- tha Balluku.  

Sipas saj, Shqipëria ka qenë imune nga problemi i gazit rus, por nga ana tjetër nuk është imunë nga importet e energjisë elektrike.  

“Ne prodhojmë 100% energji të rinovueshme, por edhe në ditët më të mira energjia nuk është më shumë se 75% e nevojës të tregut. Jemi të detyruar që 25% ta blejmë në import. Asnjë shtet nuk është i përgatitur për të përballuar këtë krizë energjetike”,- theksoi ministrja.  

Aktualisht në vend ka nisur ndërtimi i disa parqeve fotovoltaike. Për të pasur një burim të qëndrueshëm, sipas ministres, ka nisur prej kohësh një projekt, i cili u kthye në një projekt rajonal me interes për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. (Elona)