Ekonomia gjermane parashikohet të tkurret me 0.4 për qind në vitin 2023
2022-10-02 12:52:36

Foto: VCG

Gjermania do të hyjë në një recesion në vitin 2023, me një rënie të produktit të brendshëm bruto (PBB) prej 0.4 për qind, sipas një parashikimi të përbashkët të publikuar nga institutet kryesore ekonomike në vend.

Në pranverë, institutet ende parashikonin se ekonomia më e madhe e Evropës do të rritej me 3.1 për qind. Sidoqoftë, parashikimi i ri kryesisht pasqyron shtrirjen e krizës energjetike, sipas Institutit për Kërkime Ekonomike “RËI Leibniz”, Institutit për Kërkime Ekonomike “Halle” (IËH), Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore dhe Institutit “Ifo”, citon “Xinhua’.

Gjermania ka mungesa në një pjesë të konsiderueshme të furnizimit me gaz që nga fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë, duke rritur rrezikun që vëllimet e mbetura të furnizimit dhe magazinimit nuk do të jenë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën gjatë dimrit.

Çmimet e gazit në Evropë janë trefishuar, pasi furnizimet ruse në Gjermani nëpërmjet gazsjellësit “Nord Stream 1” janë ulur vazhdimisht dhe më në fund janë ndalur krejtësisht. Pasi shpërthimet shkaktuan katër rrjedhje të mëdha gazi në Nord Stream 1 dhe 2, situata nuk ka gjasa të zgjidhet shpejt.

Për të siguruar furnizimin e saj, Gjermania ka kërkuar partnerë të rinj tregtarë dhe gjithashtu po rrit përdorimin e qymyrit dhe energjisë bërthamore. Ministri i Çështjeve Ekonomike Robert Habeck ka ruajtur opsionin e funksionimit të dy termocentraleve bërthamore në tremujorin e parë të vitit 2023.

I nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë, inflacioni në Gjermani u rrit në një rekord të ri prej 10 për qind në shtator, sipas të dhënave paraprake nga Zyra Federale e Statistikave (Destatis). Rritja e çmimeve të prodhimit dhe ndërprerjet e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga pandemia Covid-19 kanë rritur më tej çmimet e konsumit.

Inflacioni në Gjermani pritet të rritet edhe më tej në muajt e ardhshëm, përpara se të arrijë mesatarisht 8.8 për qind vitin e ardhshëm, sipas parashikimit të përbashkët të instituteve. Objektivi i Bankës Qendrore Evropiane për inflacionin prej rreth 2 për qind nuk pritet të arrihet para vitit 2024. (Irma)