15 vende evropiane letër KE-së: Çmim tavan për gazin për zbutjen e krizës
2022-09-29 11:51:51

Foto nga VCG

Foto nga VCG

15 vende evropiane i janë drejtuar me një letër Komisionit Evropian, ku kanë kërkuar që të paraqesë një propozim për një tavan të çmimit të shitjes me shumicë të gazit natyror.

Letra, është nënshkruar nga ministrat e Energjisë të Belgjikës, Bullgarisë, Kroacisë, Francës, Greqisë, Italisë, Letonisë, Lituanisë, Maltës, Portugalisë, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë, Sllovenisë dhe Spanjës.

Ministrat i kërkojnë KE-së të paraqesë një propozim për t'u diskutuar në Këshillin e Energjisë më 30 shtator në Bruksel, pasuar nga një propozim legjislativ sa më shpejt të jetë e mundur, bën të ditur “RTSH”.

“Tavani i çmimeve, që është kërkuar që në fillim nga një numër gjithnjë në rritje i shteteve anëtare, është masa e vetme që do të ndihmojë çdo shtet anëtar të zbusë presionin inflacionist, të menaxhojë pritshmëritë dhe të sigurojë një kornizë në rast të ndërprerjeve të mundshme të furnizimit”,- theksohet në letër.

Kriza energjetike po shkakton presione të paqëndrueshme inflacioniste që po godasin rëndë familjet dhe bizneset. (Elona)