Orban: Sanksionet e Perëndimit e kthejnë konfliktin e Ukrainës në luftë ekonomike globale
2022-09-28 16:17:05

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka paralajmëruar se sanksionet e vendeve perëndimore kundër Rusisë e kanë kthyer konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës në një luftë ekonomike globale. Një numër në rritje vendesh në mbarë botën po bëhen viktima të konfliktit në Ukrainë, tha Orban në hapjen e sesionit të vjeshtës të Parlamentit, citon “Xinhua”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian (BE) po furnizonin Ukrainën me armë dhe para, por rezervat ruse në pajisje dhe njerëz ishin të pafundme.

Sipas Orban, burokratët e BE-së premtuan se sanksionet do të dëmtonin Rusinë dhe do t'i jepnin fund konfliktit, por asgjë nga këto nuk ndodhi.

“Evropianët janë bërë më të varfër, për shkak të sanksioneve, ndërsa Rusia nuk ka rënë në gjunjë”,- argumentoi ai, duke theksuar se kjo armë ka dështuar, pasi me sanksionet, Evropa është vetëplagosur.

Orban tha gjithashtu se familjet në të gjithë Evropën po paguanin çmimin e sanksioneve në faturat e tyre të energjisë. Ai tha se përmes inflacionit dhe rritjes së çmimeve, vendet evropiane tani po paguajnë një shtesë sanksionesh.

Orban tha gjithashtu se ishte i bindur se nëse sanksionet përfundonin, çmimet do të uleshin shumë shpejt: “Le të jemi të hapur, nëse heqim sanksionet, çmimet do të bien menjëherë përgjysmë dhe inflacioni gjithashtu të paktën do të përgjysmohet”.

Ai tha se beson me vendosmëri se pa sanksionet, ekonomia evropiane do të fitonte forcë dhe do të shmangte recesionin kërcënues.

“Ne kërkojmë një armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime paqeje në vend të zgjatjes dhe thellimit të konfliktit”,- tha ai, duke vënë në dukje se përparësitë e Hungarisë ishin të ruante sigurinë dhe sovranitetin e saj ekonomik dhe kombëtar. (Elona)