Javën e kaluar, në selinë e përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, delegacioni i Kinës ishte ndoshta ndër më të zënët. Krahas fjalimit në debatet të zakonshme në sesionin e 77-të të Asamblenë së Përgjithshme të OKB-së, pala kineze mori pjesë e drejtoi edhe disa mbledhje shumëpalëshe dhe ministri i Jashtëm i Kinës zhvilloi takime të veçanta me dhjetëra homologë të vendeve të tjera, si edhe drejtues të organizatave ndërkombëtare. Këto përpjekje diplomatike për nxitjen e solidaritetit dhe për arritjen e unanimitetit i sollën qëndrueshmëri e qartësi të çmuar botës në lëkundje, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një artikull të tij.
Debatet e zakonshme në sesionin e 77-të të Asamblenë së Përgjithshme të OKB-së/ foto nga VCG
Sivjet, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u hap në një vjeshtë të trazuar. Nga njëra anë, nuk ka mbaruar ende pandemia e COVID-19, janë shtuar rreziqet për recesionin e ekonomisë botërore dhe kriza e Ukrainës e ka acaruar më tej krizën energjetike dhe atë ushqimore. Nga ana tjetër, janë dukur përsëri mendësia e Luftës së Ftohtë dhe politika e blloqeve dhe unilateralizmi e proteksionizmi janë në rritje. Në mbledhjet e sivjetshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, disa vende perëndimore ngulën këmbë në nxitjen e kundërvënieve, duke shfrytëzuar konfliktin ndërmjet Rusisë e Ukrainës. Por, nga ana tjetër, vendet në zhvillim kanë nevojë të ngutshme për daljen nga vështirësitë reale. Ndonjë media perëndimore e përshkroi këtë gjendje duke theksuar se "përçarja ndërmjet 'dy botëve' u përhap në arenën e OKB-së."
Në këto rrethana, në fjalimin e tij në debatet e zakonshme në këtë sesion të Asamblesë së Përgjitshme të OKB-së, Wang Yi, anëtar i Këshillit të Shtetit të Kinës dhe njëherësh ministër i Jashtëm i Kinës, i shtjelloi edhe një herë botës nismat e presidentit Xi Jinping për sigurinë globale dhe për zhvillimin global, duke paraqitur propozimin prej gjashtë pikash: "paqe, jo luftë", "zhvillim, jo varfëri", "hapje, jo mbyllje", "bashkëpunim, jo kundërvënie", "solidaritet, jo përçarje" dhe "drejtësi, jo ngacmim". Ky propozim tregon qartazi qëndrimin parimor të Kinës në një sërë çështjesh të mëdha ndërkombëtare dhe pasqyron edhe aspiratat e përbashkëta të pjesës dërrmuese të vendeve të botës. Nga një sërë veprimesh diplomatike jashtë mbledhjes, shihet se pala kineze ka bërë përpjekje duke synuar nxitjen e paqes dhe të zhvillimit, komentoi CMG-ja.
Aktualisht, konflikti Rusi-Ukrainë është sfida më serioze përpara paqes e sigurisë globale. Gjatë këtij sesioni të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri i Jashtëm i Kinës u takua përkatësisht me homologët e tij nga Rusia e Ukraina dhe mori pjesë në mbledhjen e ministrave të jashtëm të Këshillit të Sigurimit mbi çështjen e Ukrainës. Pala kineze theksoi se duhet të respektohen tërësia territoriale e të gjitha vendeve, duhet të ndiqen synimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, duhet t'u kushtohet rëndësi shqetësimeve të arsyeshme të të gjitha palëve dhe duhet të mbështeten të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës. Kreu i diplomacisë kineze u bëri thirrje palëve të rifillojnë sa më shpejt dialogun dhe të shmangin shpërdorimin e sanksioneve të njëanshme. Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha se vendi i tij i kushton rëndësi statusit ndërkombëtar e ndikimit të rëndësishëm të Kinës dhe shpreson se pala kineze do të luajë rol kryesor për zbutjen e krizës së tanishme. Kjo dëshmon se përpjekjet e Kinës për nxitjen e paqes dhe të bisedimeve kanë gjetur mirëkuptimin dhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, thuhet në artikullin e CMG-së.
Selia e përgjithshme e OKB-së në Nju Jork/ foto nga VCG
Përfaqësuesit kinezë kanë ndërmarrë veprime të shumta edhe për sa i përket nxitjes së zhvillimit global. Nën drejtimin e palës kineze, u zhvillua normalisht mbledhja ministrore e Grupit të Miqve të Nismës së Zhvillimit Global. Si një pjesë e rëndësishme në kuadrin e Asamblesë së Përgjithme të OKB-së të sivjetshme, në këtë mbledhje morën pjesë drejtuesit e afro 10 organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e nivelit të lartë të 60 vendeve, përfshirë ministrat e jashtëm të 40 vendeve. Në këtë mbledhje pala kineze shpalli se do të marrë masa në shtatë fusha për zbatimin e Agjendës së OKB-së 2030, duke përshirë zbutjen e varfërisë, sigurimin e ushqimeve, industrializimin, energjinë e pastër, arsimin digjital etj. Këto masa fituan vlerësime të larta prej palëve.
Korosi Csaba, presidenti i sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, vuri në dukje se Kina ka luajtur rol kyç në punët e Asamblesë së Përgjithshme dhe ka ofruar vizionin dhe rrugëzgjidhjet e saj për përballimin efikas të sfidave të tanishme. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e vlerësoi Kinën për rolin e saj të rëndësishëm në mbështetjen e multilateralizmit dhe në nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar e të zhvillimit të vazhdueshëm. Ai theksoi se OKB-ja e përkrah Nismën e Zhvillimit Global dhe shprehu besimin se kjo nismë do ta nxitë më tej konkretizimin e Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030. (Wang Lei/ Artan)