Shpëtim Baci: Në Parma ndjehem si në shtëpinë time
2022-09-26 10:13:04

Shpëtim Baci ka mbaruar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës dhe për disa vite ka punuar si mjek në Marinën e Vlorës. Në vitin 2000 ai  shkoi në Itali, ku vijoi studimet për mjekësi në Universitetin e Parmës. Prej 22 vitesh ai jeton bashkë me familjen e tij në qytetin e Parmës si dhe ushtron profesionin e mjekut në një prej spitaleve të këtij qyteti. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG)  mjeku Shpëtim Baci tregon për integrimin e tij në Itali si dhe eksperiencën si mjek në këtë vend.

CMG: Kur jeni larguar nga Shqipëria dhe cili ka qenë qëllimi i ikjes në Itali?

Shpëtim Baci: Unë u largova nga Shqipëria në vitin 2000 për t’u bashkuar me familjen sepse bashkëshortja studionte në Fakultetin e Mjekësisë në Katanxaro për infermiere. Ky ishte shkaku që unë lashë Shqipërinë dhe erdha në Itali.

CMG: Studimet në fushën e mjekësisë ju i keni kryer në Shqipëri apo Itali?

Shpëtim Baci: Unë studimet i kam kryer në Shqipëri nga viti 1987 deri në vitin 1992. Këtë vit isha në Shqipëri sepse organizuam 30 vjetorin  si mjekë, bashkë me shokët e universitetit të diplomuar në vitin 1992. Në Itali duhet të bëja përsëri universitetin sepse nuk njihej diploma shqiptare. Kështu që në Itali në vitin 2001 pas kërkesës që bëra në Univeristetin e Parmës, mu dha e drejta të bëja dy vite shkollë si dhe gjashtë muaj praktikë në spitalin e Parmës. Pastaj më dhanë të drejtën e të ushtruarit të profesionit të mjekut në Itali, si mjek kirurg.

CMG: Keni 22 vite që jetoni në qytetin e Parmës, dhe ky ishte destinacioni juaj i parë në Itali?

Shpëtim Baci: Unë në fillim isha në Regio Calabria dhe ndenja 9 muaj atje, pastaj për probleme familjare dhe private ngaqë nuk kishte universitet për të bërë studimet për njohjen e diplomës së mjekut, u detyrova të vija në Parma ku ndodhej dhe një i afërm i imi, duke gjetur mbështetje te familja e tij. Në Parma kam që në tetor të vitit 2000, pra 22 vjet që jetoj në këtë qytet.

CMG: Sa vite keni që e ushtroni profesionin e mjekut në Itali dhe si ndjeheni në ushtrimin e këtij profesioni në një vend të huaj?

Shpëtim Baci: Unë u diplomova në Itali më 17 dhjetor të vitit 2002 dhe pasi bëra praktikën fillova të punoja mjek në 1 tetor të vitit 2003 në të njëjtin spital ku jam sot, që quhet “Casa di cura Citta di Parma”. Gjithashtu punoj dhe nëpër spitale të tjera private, që ndodhen në Parma dhe provinca.

Unë ndjehem shumë mirë që punoj këtu dhe kam pasur një mbështetje shumë të madhe nga ana e kolegëve italianë dhe të shefit tim me të cilin punova për gati 13 vjet, derisa ai ndërroi jetë. Jam ndjerë shumë mirë, më ndihmoi shumë pregatitja që kemi bërë në Shqipëri. Universiteti shqiptar kur kam mbaruar unë ishte shumë i mirë për mendimin tim sepse unë nuk pata asnjë problem për të bërë dy vitet e fundit këtu bëra vitin e gjashtë, duke shkuar në shkollë çdo ditë në universitet dhe provimet e vitit të pestë. Kështu që njohuritë që kisha marrë në Shqipëri ishin të vlefshme, kisha problemin e gjuhës në fillim, por çdo gjë vajti mirë, prandaj gjithmonë them që mjekët shqiptarë janë shumë të përgatitur.

CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja me bashkatdhetarët që jetojnë në qytetin e Parmës?

Shpëtim Baci: Marrëdhëniet që kam me bashkatdhetarët në Parma janë shumë të mira. Në provincën e Parmës mund të jenë gati 8000 shqiptarë që jetojnë, punojnë me familjet e tyre të mrekullueshme, me një organizatë shumë të mirë që quhet “Skënderbeu”, që ekziston këtu nga viti 2006. Kjo organizatë ka një aktivitet të mrekullueshëm me festimet e të gjitha festave kombëtare, siç janë festa e pavarësisë dhe festa e lirisë, festën e 8 marsit dhe 1 majit. Pra të gjitha festat me organizime shumë të mira nga grupi i shoqatës, plus kjo shoqatë ka dhe shkollën shqipe në qytetin e Parmës, ka skuadrën Skënderbeu si dhe grupin e valleve që organizohet nga kjo shoqatë. Unë kam marrëdhënie shumë të mirë sa mund të them që numrin tim të telefonit e kanë të gjithë shqiptarët që jetojnë në Parma. Gjithashtu kam pasur shumë shqiptarë të shtruar në repartin tim.

CMG: Ju keni qenë dhe në vijën e parë të mjekëve në periudhën e vështirë të pandemisë, ku Italia ishte nga vendet më të prekura nga Covid-19. Si e keni përjetuar atë periudhë?

Shpëtim Baci: Të them të drejtën vala e Covid që filloi në fund të shkurtit dhe në mars të vitit 2020 na gjeti të papërgatitur, jo vetëm neve por besoj gjithë botën. Ishte shumë e vështirë të punoje në një repart ku kishte shumë të sëmurë që nuk merrnin dot frymë, me njohuri të pakta që kishim, me ilaçe të pakta që ekzistojnë edhe sot për koronavirusin sepse është virus dhe nuk ekzistojnë ilaçe apo antivirale të efektshme siç ekszistojnë për mikrobe të tjera.

Me vështirësi, por u përpoqëm të punonim mië, u mbyllën të gjitha repartet dhe i dhanë prioritet vetëm sëmundjeve me koronavirus. Edhe në spitalin ku punoj unë u bë reparti Covid, dhe të sëmurët që ishin me probleme respiratore, mundoheshim ti dërgonim në spitalin e madh ku vinin dhe intuboheshin. Ka pasur dhe shqiptarë të sëmurë dhe të vdekur në Parma me koronavirus, siç pati dhe në Shqipëri dhe gjithë botën. Unë kam pasur shumë lidhje dhe me mjekët në sptalin ushtarak në Shqipëri si dhe me shokët e mi që punojnë mjekë familje. Këto komunikime ishin për protokollet që përdoreshin në Itali ditët e para, për mënyrën sesi trajtoheshin të sëmurët. Gjithashtu unë kam dhënë gati 30 intervista në stacionet televizive private dhe shtetërorë të Shqipërisë, ku u mundova me ato që dija të jepja dhe dy këshilla popullit tim në Shqipëri.

CMG: Vini shpesh për ta vizituar Shqipërinë, dhe a keni nostalgji për vendlindjen sa herë që vini në atdhe?

Shpëtim Baci: Shqipërinë e vizitoj të paktën njëherë në vit, ku mundohem të vij në radhë të parë për të takuar të afërmit e mi, nënën, vëllezërit, motrat dhe gjithë njerëzit e mi që i kam në Ersekë. Gjithashtu siç e përmenda më lart shoqëria, ku më 10 shtator bëmë 30 vjetorin që ishim mjekë dhe ishte kënaqësi të takohesha me shokë që nuk i kisha parë që në vitin 1992 sepse u larguam. Shumë shqiptarë janë larguar në Amerikë, Kanada, Itali, Gjermani dhe komunikonim vetëm me telefona, por të paktën u takuam. Mundohem të vij, kam shumë lidhje dhe shumë shokë mjekë por jo vetëm. Gjithashtu kam gjithë familjen time në Shqipëri sepse në Itali kam gruan dhe fëmijët, por prindërit janë në Shqipëri.

Jam shumë i kënaqur se shikoj që Shqipëria ka ecur dhe këtë e thotë një shqiptar që kishte tre vite pa ardhur sepse në kohën e Covid nuk lëvizëm. Të them të drejtën pashë Vlorën, Tiranën dhe Korçën. Në Vlorë pashë një ndryshim rrënjësor, unë kam punuar shtatë vjet mjek në Marinën e Vlorës, dhe pashë një ndryshim të madh dhe një bukuri të Vlorës, Pra pashë një ecuri shumë të madhe të Shqipërisë në krahasim me tre vitet e fundit që e kisha lënë.

CMG: Ke menduar ndonjëherë që të largohesh nga Parma në një qytet tjetër të Italisë, apo shtet tjetër?

Shpëtim Baci: Unë ndjehem shumë mirë në Parma dhe me kolegët, me qytetin si dhe shqiptarët që jetojnë këtu. Kam blerë shtëpi në Parma, njëri nga fëmijët punon dhe tjetri studion këtu. Gruaja punon në të njëjtin spital ku punoj dhe unë dhe për momentin nuk kam menduar të lëviz nga Parma. Është një qytet që më bëri mjek për herë të dytë dhe ndjehem si në shtëpinë time.

CMG: Fëmijët tuaj e kanë trashëguar profesionin e mjekut nga ju apo ndjekin fusha të tjera?

Shpëtim Baci: Djali i madh është 28 vjeç dhe punon ekonomist, ndërsa djali i vogël është 14 vjeç dhe do të bëhet mjek, por duhet ta vendosë vetë ai, unë mundohem t’i jap këshillat e mia.

CMG: Cili do të ishte mesazhi juaj si mjek profesionist për të gjithë të rinjtë që studiojnë në fushën e mjekësisë?

Shpëtim Baci: Në qoftë se një student do të bëhet mjek dhe ka dëshirë dhe vullnet, arrin të bëhet mjek në Shqipëri, Itali dhe në Amerikë. Unë kam shumë mjekë në Parma  dhe jemi të paktën gjashtë që punojnë këtu, por njoh dhe të tjerë, me vullnet dhe dëshirë për të realizuar. Studentët shqiptarë që kanë lindur dhe jetojnë në Parma janë shumë mirë dhe kanë atë dëshirën të ecin përpara. Kështu që këshilla ime është që të studiojnë dhe të bëjnë shumë praktikë në spital. Mbasditeve nuk duhet të riijnë në kafe, por të shkojnë të bëjnë praktikë në spital sepse profesioni ynë në radhë të parë duhet të jetë humanizmi, duhet të jesh i dashur me pacientin dhe ta trajtosh atë sikur është njeriu yt. Kush ka dëshirë arrin dhe e realizon këtë ëndërr.

Intervistoi: Gazmend Agaj