Kina hodhi poshtë akuzat e ShBA-së me të drejtat e pakicave kombëtare në Kinë
2022-09-23 22:06:49

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun hodhi poshtë të mërkurën akuzat e bëra nga përfaqësuesit e ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe BE-së lidhur me të drejtat e pakicave kombëtare në Kinë.

nga VCG

nga VCG

Duke folur në mbledhjen e nivelit të lartë të Sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të përkujtuar 30-vjetorin e miratimit të Deklaratës për të Drejtat e Njerëzve që u përkasin Pakicave Kombëtare ose Etnike, Fetare dhe Gjuhësore, Zhang theksoi që Kina është një shtet i unifikuar me shumë kombësi, ku 56 kombësi janë të lidhura ngushtë dhe së bashku synojnë zhvillimin e përbashkët dhe harmonik për ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët të kombit kinez.

“Për fat të keq, përfaqësuesit e ShBA-së, Britanisë së Madhe e BE-së, duke shpërfillur plotësisht faktet, po abuzojnë me debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme dhe mbledhjen e sotme për të hedhur akuza të pabaza ndaj Kinës, të cilat ne i kundërshtojmë me vendosmëri dhe i hedhim poshtë kategorikisht," tha Zhang.

Duke marrë si shembull Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore, përfaqësuesi kinez tha se, falë përpjekjeve të përbashkëta të kombësive të ndryshme, rajoni ka gëzuar "rritje të qëndrueshme ekonomike, harmoni dhe qëndrueshmëri shoqërore, përmirësim të vazhdueshëm të jetesës së njerëzve, përparim kulturor e harmoni fetare".

Lidhur me të ashtuquajturin "vlerësim mbi Xinjiang-un" të publikuar nga Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut më 31 gusht, Zhang theksoi se ky dokument "nuk ka asnjë mandat ligjor, nuk ka miratimin e vendit të interesuar e nuk ka asnjë fakt për të mbështetur pretendimet e tij."

"I ashtuquajturi 'vlerësim' nuk është gjë tjetër veçse një produkt pervers i diplomacisë shtrënguese dhe manipulimit politik të ShBA-së e të forcave të tjera perëndimore. Kjo tregon se Zyra është kthyer në një mjet politik të ShBA-në dhe forcave të tjera perëndimore për të përdorur çështjet e lidhura me Xinjiang-un për të frenuar Kinën," tha ai.

Zhang vuri në dukje se vende si ShBA-ja e Britania e Madhe bëjnë të gjitha llojet e akuzave të pabaza kundër vendeve të tjera, dhe u kërkoi atyre të shikojnë problemet e veta.

"Ajo që duhet të bëjë me të vërtetë ShBA-ja, është të përballet me gjenocidin e amerikanëve rrënjës dhe të sigurojë mbajtjen e përgjegjësisë dhe dhënien e dëmshpërblimit ndaj tyre, të zhdukë diskriminimin racial sistematik kundër aziatikëve e pakicave të tjera etnike, të zhdukë padrejtësinë shoqërore dhe t'i lejojë pakicat etnike të marrin frymë lirisht e të zhvillohen në mënyrë të barabartë," tha përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara.

“I bëjmë thirrje Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe Raportuesit të Posaçëm për Çështjet e Pakicave që të vazhdojnë të ndjekin çështjen e shkeljes e të drejtave të pakicave nga vende si ShBA-ja. I nxitim ato pak vende që të ndalojnë politizimin e çështjeve të të drejtave të njeriut, standardet e dyfishta e ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe të punojnë për të trajtuar çështjet e veta të të drejtave të njeriut," shtoi ai.