Programi hapësinor kinez me ekuipazh tërheq më shumë vëmendjen e publikut
2022-09-22 14:12:14

Foto: VCG

Programi hapësinor kinez me ekuipazh, që ka startuar 30 vjet më parë, është bërë më popullor mes kinezëve, të cilët e mbështesin fort dhe kanë një vizion më të gjerë për eksplorimin e hapësirës.

Më 21 shtator 1992, Kina miratoi zyrtarisht programin hapësinor me ekuipazh, “Projekti 921”.

Grupi i parë i astronautëve kinezë u rekrutuan të gjithë nga pilotët elitë të Forcave Ajrore të Kinës. Midis tyre ishin Yang Liwei, udhëtari i parë hapësinor i Kinës i dërguar në hapësirë në vitin 2003 dhe Zhai Zhigang, i cili kreu shëtitjen e parë hapësinore për Kinën. Të dyve iu dha titulli “Hero i Hapësirës”.

Që atëherë, astronautët kinezë janë në qendër të vëmendjes. Ata japin intervista ose mbajnë fjalime para studentëve. Shkrimi autobiografik i Yang “Një ditë në hapësirë” është përfshirë edhe në tekstin shkollor kinez për nxënësit e shkollave të mesme në të gjithë vendin.

Në një sondazh të kryer nga “China Youth Daily”, në korrik 2021, pasi Kina nisi anijen kozmike Shenzhou-12 për të dërguar tre astronautë kinezë në modulin bazë të stacionit hapësinor, 98.3 për qind e 2047 pjesëmarrësve të moshës 14-35 vjeç thanë se i kushtuan më shumë vëmendje industrisë së hapësirës ajrore.

Sondazhi tregoi gjithashtu se 65.9 për qind kishin një interes të fortë në industrinë e hapësirës ajrore.

Me përparimin e programit, aktivitetet e popullarizimit të shkencës në orbitë janë bërë një tjetër fokus i vëmendjes së publikut.

Wang Yaping (Foto:VCG)

Në vitin 2013, astronautja Wang Yaping mbajti një leksion shkencor në televizion për një audiencë prej mbi 60 milionë nxënësish gjatë misionit Shenzhou-10. Ajo fitoi titullin e mësueses së parë të hapësirës në Kinë.

Rreth tetë vjet më vonë, pasi Qang shkoi në stacionin hapësinor të Kinës për një mision gjashtëmujor, ajo dha dy leksione të tjera hapësinore me anëtarët e tjerë të ekuipazhit ZhaiZhigang dhe Ye Guangfu. Nxënësit e saj ishin në klasa në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong Kongut (SAR), Makao SAR, Lhasa në Rajonin Autonom të Tibetit, Urumqi në Rajonin Autonom të Xinjiang Ujgur dhe qytete të tjera kineze.

Gjatë leksioneve, astronautët u treguan nxënësve mbi jetesën dhe punën në modulin bazë Tianhe. Ata demonstruan gjithashtu disa eksperimente në kushte të gravitetit zero, të tilla si kristalizimi i tretësirave të mbingopura, ndarja e ujit nga vaji dhe hedhja e objekteve në kushte të gravitetit zero, që mahnitën shikuesit në Tokë.

Hapësira e bollshme në stacionin hapësinor dhe transmetimi me bandë të gjerë mes hapësirës dhe Tokës kanë bërë të mundur që për herë të parë publiku të ndjekë nga afër jetën dhe punën e astronautëve kinezë.

Foto: VCG

Që nga shtatori 2022, Agjencia Hapësinore e Kinës ka publikuar rreth 110 videoklipe përmes llogarive të saj të medieve sociale, duke regjistruar jetën në orbitë dhe punën e astronautëve. Gjithashtu, përfshihen aktivitete jashtë moduleve, ushtrime fizike, ekzaminime shëndetësore dhe shikimin e Lojërave Olimpike të Tokios dhe Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit.

Këto videoklipe kanë fituar një audiencë të madhe në të gjithë vendin. Njerëzit janë të interesuar të dinë se si astronautët i presin flokët, çfarë ëmbëlsirash hanë gjatë Festivalit të Mesvjeshtës, apo si e festojnë Festivalit të Pranverës.

Publiku zbuloi se këta heronj të guximshëm të hapësirës janë njerëz magjepsës në punën dhe jetën e tyre të përditshme.

Në “Bilibili”, një nga platformat më të mëdha të shkëmbimit të videove në Kinë, një videoklip i astronautit Tang Hongbo duke ngrënë një mollë ndërsa punonte në stacionin hapësinor është parë mbi 879.000 herë dhe ka marrë pothuajse 1800 komente.

Një koment me afro 9000 pëlqime thotë: “Një kafshim i vogël për njeriun, por gjigant për njerëzimin”.

Yang Liwei (Foto: VCG)

Ndërsa ekspozimi i shpeshtë i astronautëve të Kinës në stacionin hapësinor ka tërhequr më shumë vëmendjen e publikut të gjerë, programi hapësinor me ekuipazh është bërë i lidhur më ngushtë me jetën e përditshme të njerëzve.

Arkëtimet e filmave pasqyrojnë popullaritetin e tij. Gjatë kësaj vere u projektua komedia fantastiko-shkencore “Mon Man”, që arkëtoi 2.87 miliardë juanë (rreth 409.56 milionë dollarë amerikanë) në vetëm një muaj. Filmi flet për një astronaut kinez, i cili e gjen veten të bllokuar në Hënë dhe lufton për të mbijetuar i vetëm.

Megjithatë, nuk është filmi më i famshëm për programin hapësinor me ekuipazh të Kinës. Filmi i suksesshëm fantastiko-shkencor i vendit 2019 “The Wandering Earth” arkëtoi në total rreth 4.69 miliardë juanë.

Vazhdimi i tij “The Wandering Earth II” zbuloi në gusht trailerin, duke njoftuar se projektimi është përcaktuar për Vitin e Ri Hënor Kinez në vitin 2023.

Interesi i njerëzve për programin hapësinor me ekuipazh të Kinës është përtej të qenit vëzhgues. Në të ardhmen, ata shpresojnë të marrin pjesë personalisht.

Sipas Yang Yiqiang, ish-komandant i përgjithshëm i projektit të raketave “Long March-11” dhe tani drejtues i një ndërmarrjeje komerciale të hapësirës ajrore, Kina ka të ngjarë të fillojë një shërbim udhëtimi suborbital në vitin 2025. Do të kushtojë rreth 2 milionë deri në 3 milionë juanë për person. Ai tha se kompania po zhvillon një mjet turistik hapësinor suborbital dhe ka në plan të kryejë testin e parë pa pilot. Pas më shumë se dhjetë fluturimesh testuese, kompania mund të nisë shërbimet e turizmit hapësinor për publikun.