Samiti në Samarkand dëshmi e shpresave për shpëtim nga kriza globale shkaktuar prej ‘botës së vjetër’
2022-09-19 11:41:33

Samarkandi historik i Uzbekistanit, qyteti i lashtë i kryqëzimit të kulturave botërore për më tepër se dy mijëvjecar e gjysëm dhe një ndër ‘stacionet’ më të rëndësishme të Rrugës së Mëndafshit, regjistroi një datë tjetër historike në kronologjinë e tij sepse në atë qytet përfaqësuesit e vendeve të gati rreth gjysmës së popullsisë së globit, që përbëjnë anëtarësinë e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), dëshmuan se rendit njëpolar të botes së imponuar nga perëndimi i ka ardhur fundi dhe rruga e vetme për të dal nga qorrsokaku është ndërtimi i një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit.

Kjo imperativë është bërë e domosdoshme dhe urgjente përballë tablosë që paraqet shoqëria njerëzore sot e mbërthyer nga kriza shumëplaneshe dhe sfida të rrezikshme, që rrallë janë ndeshur në historinë botërore. Dhe kur njerëzimi po përjeton situatën më kritike që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk mungojnë përpjekjet intensive për të ndalur rënien në humnerë, përpjekje të cilave u jep impuls rigjallërimi Kina dhe udhëheqja e saj për të ecur në kahjen drejt paqes, zhvillimit të qëndrueshëm e global, bashkëpunimit dypalësh, rajonal e ndërkombëtar dhe shuarjes së konflikteve kudo që ndodhin.  

Pjesë e këtyre përpjekjeve ishte edhe mbledhja e 22-të e Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, e cila u mbajt në qytetin e Samarkandit në Uzbekistan më 15-16 shtator 2022 me pjesëmarrjen e 15 kryetarëve shtetesh dhe drejtuesish të 10 organizatave ndërkombëtare të cilat bashkëpunojnë me OBSh-në.

Ky takim në këtë nivel kaq të lartë ishte signifikativ se për herë të pare pas tre vjetësh udhëheqësit e vendeve anëtare të kësaj organizate u mblodhën me prani fizike, çka e bëri atë një mundësi unike për efektivitet më të lartë në diskutimet dypalëshe e shumëpalëshe në marzhinat e samitit mbi çështje të marrëdhënieve të dyanshme, rajonale dhe globale shumë prej të cilave ishin akumuluar që nga fillimi i pandemisë.

nga VCG

nga VCG

Sikurse tha ish-zëvendëssekretari i përgjithshëm i OBSh-së, Vladimir Potapianko në një intervistë disa ditë para punimeve të saj, kjo organizatë është mjaft e re dhe me zhvillim të shpejtë, që do të vazhdojë të gjejë pozicionin e saj në një botë që ndryshon me shpejtësi.  "Unë besoj mbi bazën e vizionit të përbashkët të shpallur nga liderët e vendeve anëtare, të respektit ndaj Shpirtit të Shangait dhe zbatimit të parimeve, detyrave e qëllimeve të formuluara për një kohë të gjatë. OBSh-ja do t'u japë patjetër energji pozitive marrëdhënieve ndërkombëtare dhe do të sjellë përfitime për të gjitha vendet dhe popujt e botës", tha Potapianko.

Sipas tij, periudha e fundit e trazirave gjeopolitike, veçanërisht sanksionet kundër Rusisë, i kanë shtyrë vendet e OBSh-së të mendojnë seriozisht se si të mbrojnë marrëdhëniet e tyre tregtare nga kufizimet. “Një rrugë është që këto vende të kalojnë gradualisht nga dollari amerikan në monedhat e veta kombëtare në pagesat e tyre të ndërsjella tregtare,” tha ish-numri dy i OBSh-së.       Vlerë të shtuar mori ky samit nga prania aktive e Presidentit të Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning tha në konferencën për shtyp më 13

Duke iu rikthyer takimit të Samarkandit e shikoj të arsyeshme të rikujtohen disa të dhëna lidhur me historikun e kësaj organizate e themeluar në vitin 2001 si pasardhëse e ‘Shangai Pesë’, e cila jo vetëm nuk u shpërbë sikurse dëshironin SHBA, që e siluruan atë që kur u krijua me iniciativën serioze largpamëse të Kinës më 1996, por u zgjerua gjithnjë më tepër.

Dhe ja ku është aktualisht Organizata e Bashkëpunimit të Shangait si grupimi më i madh rajonal në Euroazi në përbërje të të cilit janë tetë shtete anëtare (Kina, India, Kazakistani, Kirgistani, Pakistani, Rusia, Taxhikistani dhe Uzbekistani), katër shtete vëzhguese (Afganistani, Bjellorusia, Irani dhe Mongolia) dhe gjashtë partnerë të dialogut (Armenia, Azerbajxhani, Kamboxhia, Nepali, Sri Lanka dhe Turqia). Për shkak të profilit të saj të mirëfilltë të bashkëpunimit ekonomik dhe sigurisë, OBSh-ja ka fituar me shpejtësi terren të madh në të gjithë Azinë. Nuk është aspak për tu çuditur që një numër vendesh nga Lindja e Mesme dhe Azia Juglindore janë rreshtuar për t'u bashkuar si partnerë, vëzhgues dhe anëtarë të dialogut jo vetëm nga përfitimet e garancitë që ofron për zhvillim të drejtë e të barabartë, por edhe përballë situatës së re botërore kur SHBA e fuqitë e tjera perëndimore si dhe aleancat e tyre nuk ofrojnë as zhvillim, as barazi, as siguri, veçse vazhdojnë me metodat e vjetruara hegjemoniste. E kësisoj në samitin vjetor të krerëve të shteteve në Samarkandit, Irani fitoj anëtarësimin e plotë në organizatë, ndërsa Arabia Saudite, Katarri dhe Egjipti u bënë partnerë të dialogut. Veç sa më sipër,  Bjellorusia do të fillojë procesin e anëtarësimit; Armenia, Azerbajxhani, Kamboxhia dhe Nepali do të bëhen vëzhgues; dhe Bahreini dhe Maldivet do të fillojnë procesin e anëtarësimit si partnerë të dialogut. Ndërkohë raportohet se Emiratet e Bashkuara Arabe duan të bashkohen në organizatë si anëtare, duke anashkaluar kushtet e tjera të pranimit. Siria, Iraku, Izraeli, Bangladeshi dhe Vietnami gjithashtu shpresojnë të bashkohen si partnerë ose vëzhgues të kësaj organizate.     

Pra jo vetëm që OBSh-ja nuk është e mbyllur ndaj anëtarësimit të vendeve nga më të ndryshme, por profili i saj pasurohet me lidhjet që ka vendosur me organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale, duke përfshirë Komisionin Ekonomik dhe Social të OKB-së për Azinë dhe Paqësorin, Bankën Aziatike për Zhvillim, Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore dhe Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive. Një memorandum mirëkuptimi midis Sekretariatit të OBSh-së dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Lidhjes së Shteteve Arabe u përfundua gjatë samitit të saj të vitit të kaluar në Dushanbe, Taxhikistan.

Zhvillimet që kanë ndodhur në botë në dekadën e fundit sollën më dinamizëm në veprimtarinë e OBSh-së, e cila është organizata e parë ndërkombëtare e krijuar nga Pekini më 2001, duke e kthyer atë nga një organizatë rajonale në një organizatë globale. Duke patur gjithnjë Azinë Qendrore në fokus ajo është shtrirë në vendet e Gjirit, Azisë Jugore, Azisë Juglindore dhe Kaukaz. Kjo organizatë zë 30 për qind të prodhimit ekonomik global. Anëtarësia e saj përbënte 24 përqind të GDP-së globale, më shumë se gjysma e asaj të G7 dhe më tepër se sa ajo e BE-së në vitin 2000, kurse popullsia e saj është sa 44 përqind e asaj botërore. 

Në Forumin e Boao-s 2022, Presidenti Xi ritheksoi qëllimin e Deklaratës së Dushanbe-së të OBSh-së 2021, ku ai artikuloi një rend botëror që nuk drejtohej më nga Perëndimi duke e quajtur atë një bashkësi me fate  të përbashkëta të njerëzimit.      

nga VCG

Prandaj nuk ka asgjë për tu habitur se përse OBSh-ja, e iniciuar nga Kina, zgjerohet duke iu shtuar anëtarë të rinj në statuse të ndryshme. Për popujt e këtyre vendeve është zhvillim i mirëpritur sepse organizata punon e kontribuon në mënyrë konstruktive për stabilitet, siguri dhe nxitje të bashkëpunimit shumëpalësh në Azinë Qendrore dhe më tej.   

“OBSh-ja fillimisht u cilësua nga SHBA si një bllok armiqësor, i udhëhequr nga Kina dhe Rusia për të sfiduar supremacinë e saj globale të pas Luftës së Ftohtë. Përkundrazi, evolucioni i saj përputhet me modelin e njohur të "rajonalizmit të ri" në botën në zhvillim, i cili ka prodhuar organizata rajonale të qëndrueshme, si Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit dhe ASEAN-i. Të gjitha janë organizata ndërqeveritare me struktura të ngjashme, që sfidojnë mënyrën mbikombëtare të integrimit në BE”, tha Ishtiaq Ahmad, ish-gazetar, i cili ka qenë zëvëndës kancelar në Universitetin Sargodha në Pakistan dhe bashkëpunëtor Quaid-e-Azam në Universitetin e Oksfordit në një koment me titull ‘Përse Organizata e Bashkëpunimit të Shangait ka rëndësi’ të botuar në Arab News më 21 gusht 2022.   

Xi paralajmëron kundër ‘revolucioneve me ngjyra’ të nxitura nga jashtë

Në fjalimin e tij kryesor në samit nën titullin "Udhëtimi në trendin e kohërave dhe rritja e solidaritetit dhe bashkëpunimit për të përqafuar një të ardhme më të mirë" Presidenti Xi Jinping i bëri thirrje Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait të mbështesë Shpirtin e Shangait, të forcojë unitetin dhe bashkëpunimin dhe të promovojë ndërtimin e një komuniteti edhe më të ngushtë te OBSh-së me një të ardhme të përbashkët.

Xi vuri në dukje se ky vit shënon 20- vjetorin e nënshkrimit të Kartës së Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe 15- vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Fqinjësisë së Mirë, Miqësisë dhe Bashkëpunimit Afatgjatë të Shteteve Anëtare të Organizatës.

Ndërkohë ai deklaroi se bota kishte hyrë në një periudhë të re turbullirash dhe bëri thirrje që liderët e Azisë Qendrore duhet të parandalojnë fuqitë e huaja që të nxisin "revolucione me ngjyra". Bota ka hyrë në një periudhë të re ndryshimesh të trazuara, ne duhet të kuptojmë trendin e kohës, të forcojmë solidaritetin dhe bashkëpunimin dhe të promovojmë ndërtimin e një komuniteti më të ngushtë të fatit me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, tha Xi. 

"Ne duhet të mbështesim përpjekjet e njëri-tjetrit për të mbrojtur interesat e sigurisë dhe të zhvillimit, të parandalojmë forcat e jashtme nga organizimi i revolucioneve me ngjyra dhe së bashku të kundërshtojmë ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera nën çdo pretekst", ai tha, duke kritikuar "lojërat me shumën zero dhe politikën e bllokut".

E udhëhequr nga dy dokumentet themeluese, OBSh-ja ka arritur të eksplorojë një rrugë të re për zhvillimin e organizatave ndërkombëtare, dhe ka shumë për te përfituar nga praktikat e saj ndriçuese, duke përfshirë mbështetjen në besimin politik, bashkëpunimin me përfitim reciprok, barazinë, çiltërsinë dhe gjithëpërfshirjen dhe barazi e drejtësi, vuri në dukje presidenti kinez. Këto pesë pika mishërojnë plotësisht Shpirtin e Shangait, domethënë besimin reciprok, përfitimin reciprok, barazinë, konsultimin, respektin për diversitetin e qytetërimeve dhe ndjekjen e zhvillimit të përbashkët, tha Xi në fjalimin e tij në samit.

Kurse në bisedimet në shkallë të vogël të samitit të 22-të të Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të OBSh-së, e cila u kryesua nga presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev, morën pjesë udhëheqës të vendeve anëtare si presidentët e Rusisë Vladimir Putin, të Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, të Kirgizstanit Sadyr Zaparov, të Taxhikistanit Emomali Rahmon, dhe kryeministrat e Indisë Narendra Modi dhe i Pakistanit Shahbaz Sharif. Ata shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e OBSh-së dhe çështjet kryesore ndërkombëtare e rajonale që lidhen me situatën politike e ekonomike.

Në fjalën e tij, Presidenti Xi vlerësoi lart përpjekjet aktive dhe kontributin e rëndësishëm të Uzbekistanit në përgatitjen e Samitit të Samarkandit e të veprimtarive të tjera dhe në promovimin e zhvillimit të OBSh-së si vendi kryesues i radhës i organizatës për vitin 2023.

Me synimin e ruajtjes së drejtimit të duhur të zhvillimit të OBSh-së, të thellimit të bashkëpunimin në çdo fushë dhe të krijimit të një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e çdo vendi anëtar Presidenti Xi paraqiti katër propozime si më poshtë.

Së pari, të këmbëngulet në Shpirtin e Shangait dhe të konsolidohen uniteti dhe bashkëpunimi. Përballë ndryshimeve komplekse të mjedisit të jashtëm, të gjitha vendet duhet të përkrahin njëri-tjetrin për interesat kryesore dhe çështjet thelbësore.

Së dyti, të respektohet pavarësia strategjike dhe të ruhet stabiliteti rajonal. Është e nevojshme të ndiqet koncepti i sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme. Duke u mbështetur në nevojat e sigurisë kombëtare e rajonale, duhet të forcohet konsensusi për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe të bashkëpunohet për të ruajtur paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.


nga VCG

Së treti, të forcohet aktivisht lehtësimi i tregtisë e investimeve, të ruhet funksionimi i lirshëm i zinxhirit industrial e zinxhirit të furnizimit dhe të realizohet zhvillimi i integruar i ekonomisë rajonale. Po ashtu, duhet të ndërtohet së bashku “Një brez, një rrugë” dhe të ndërlidhet me strategjitë e zhvillimit të të tëra vendeve anëtare.

Së katërti, të këmbëngulet në nxitjen e procesit të zgjerimit të anëtarësisë së OBSh-së për ta zgjeruar këtë organizatë, si edhe duhet të shtohet forca e saj për ruajtjen e drejtësisë ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë President Xi theksoi se Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës do të mbahet së shpejti, për të hartuar në mënyrë të gjithanshme një plan për zhvillimin e Kinës në fazën e ardhshme. Pavarësisht se si do të ndryshojë situata ndërkombëtare, Kina do t'i përmbahet gjithmonë zhvillimit paqësor, të hapur, bashkëpunues e të përbashkët, do ta vlerësojë Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait si një përparësi në diplomacinë e vet dhe do të ndihmojë në zhvillimin e vendeve rajonale, duke krijuar përfitime për popujt e të gjitha vendeve.  

Duhet theksuar se fjalimi i kreut të shtetit kinez u prit me interes të veçantë për faktin se jo vetëm është fuqia më e madhe në këtë organizatë dhe arkitekte kryesore e kësaj iniciative, por ajo ka dhënë prova të pakontestueshme se kontributi i saj qëndron larg prepotencës politike e krijimit të numrit një me synime hegjemoniste, është themeli i vetë Kartës së organizatës ku ajo ka rolin kryesor në veprimtaritë tregtare dhe investuese.

Raportet e fundit vlerësojnë se tregtia e Kinës me shtetet e tjera anëtare të organizatës u zgjerua 20 herë nga viti 2001 në 2020, duke arritur në 245 miliardë dollarë në 2020, nga 12 miliardë dollarë që ishte në 2001. Deri vitin e kaluar, Kina kishte investuar 85 miliardë dollarë dhe kishte kontraktuar projekte të tjera zhvillimi me vlerë 280 miliardë dollarë në shtetet anëtare. Vëllimi i përgjithshëm tregtar i vendeve anëtare të OBSh-së gjithashtu u rrit nga 668.09 miliardë dollarë në 2001 në 6.06 trilion dollarë në 2020; dhe pjesa në tregtinë globale u rrit nga 5.4 përqind në 2001 në 17.5 përqind në 2020. Mega projekti ‘Një Brez, Një Rrugë’ është bërë një ndër burimet më të mëdha në botë i investimeve kryesisht në infrastrukturë dhe gjurma e lashtë e Rrugës së Mëndafshit kalon nëpër pjesën më të madhe të vendeve të kësaj organizate.  

Në fjalimet e tyre përfaqësuesit e vendeve të ndryshme ngritën çështje lidhur me krizën energjetike e pasojat e saj mbi popujt e ndryshëm, shmangjen e konflikteve lokale, ndryshimet klimatike etj.

Ndërkohë pak ditë para samitit u zhvillua mbledhja e 19-të e Këshillit të Ministrave të Mbrojtjes të OBSh-së e mbajtur në Tashkent, kryeqytet i Uzbekistanit, më 24 gusht 2022, ku Kina u përfaqësua nga Këshilltari i Shtetit dhe Ministër i Mbrojtjes Gjenerali Wei Fenghe. Bie në sy në fjalimin e tij rikonfirmimi i rëndësisë së Iniciativës Globale të Sigurisë e propozuar nga presidenti Xi. Sipas Iniciativës, Kina është e gatshme të punojë me vendet e tjera për të mbështetur drejtësinë dhe paqen ndërkombëtare, dhe qetësinë botërore, deklaroi Wei në fjalimin e tij virtual nëpermjet lidhjes me video. Wei tha se shoqëria njerëzore po përballet me kriza të shumta dhe sfida të rënda që rrallë shihen në histori dhe duhet të punojmë së bashku për të kapërcyer vështirësitë.

Në një artikull shkruar nga Presidenti Xi e të botuar në gazetën Kazakhstanskaya Pravda më 13 shtator 2022 para vizitës së tij zyrtare në Kazakistan dhe samitit të OBSh-së në Samarkand Xi theksoi: “Të udhëhequr nga Iniciativa Globale e Sigurisë, ne duhet të veprojmë mbi konceptin e sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme dhe të punojmë së bashku për të promovuar zbatimin e Iniciativës së Bashkëpunimit për Sigurinë e të Dhënave të Kinës+Azisë Qendrore. Ne duhet të bashkojmë duart për të luftuar terrorizmin, separatizmin, ekstremizmin, trafikun e drogës dhe krimet e organizuara transnacionale dhe të garantojmë sigurinë e tubacioneve të naftës dhe gazit dhe projekteve të tjera të mëdha bashkëpunimi dhe personelit të tyre. Ne duhet të kundërshtojmë me vendosmëri ndërhyrjen e forcave të jashtme dhe të punojmë së bashku për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit tone”.    

Ndërkohë në fjalimin e tij në mbledhjen e lartëpërmendur të Këshillit të Ministrave të Mbrojtjes së OBSh-së, Ministri i Mbrojtjes Wei u rikujtoi vendeve anëtare të organizatës se Tajvani është rajon i Kinës dhe çështja e Tajvanit është çështje e brendshme e saj. Kina e ka kundërshtuar me vendosmëri, duke dënuar dhe marr kundërmasa të vendosura ndaj vizitës së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit të Kinës në fillim të gushtit. Wei deklaroi se qëndrimi i Kinës është kuptuar dhe mbështetur gjerësisht nga më shumë se 170 vende dhe organizata ndërkombëtare në botë, gjë që Kina e vlerëson.

nga VCG

nga VCG

Bota njëpolare është atrofizuar…

Udhëheqësit e shteteve anëtare të OBSh-së nënshkruan dhe publikuan deklaratën e Samarkandit të Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të organizatës më 16 shtator 2022. Gjithashtu takimi miratoi një numër deklaratash dhe dokumentesh për ruajtjen e sigurisë globale të ushqimit, sigurinë ndërkombëtare të energjisë, adresimin e ndryshimeve klimatike dhe mbajtjen e një zinxhiri furnizimi të sigurt, të qëndrueshëm dhe të larmishëm. Sipas njoftimeve u nënshkruan rreth 30 dokumente që kanë në thelb forcimin e ndërveprimit shumëplanësh të OBSh-së me synimin për të çuar bashkëpunimin e brendshëm të saj në një nivel më të lartë.

Deklarata e Samarkandit, dokumenti përfundimtar që u lëshua në përfundim të samitit, pasqyron marrëveshjet e përbashkëta të dakortësuara nga të gjitha vendet e OBSh-së e tërheq vëmendjen mënyra si ajo synon të kontribuojë e të trajtojë zgjidhjen e problemeve rajonale dhe globale përmes një procesi që identifikon disa prioritete që çojnë më tej zhvillimin e organizatës.

Sikurse është e konsakruar në Kartën e saj duhet theksuar se kjo organizatë ka vlerë të veçantë se ka arritur me sukses të qëndrojë larg tipeve perëndimore të grupimeve të mbyllura gjeopolitike shumë prej të cilave janë të orientuara kundër vendeve të tjera në frymën e Luftës së Ftohtë. Edhe takimi i këtij viti përforcoi se fryma e Samarkandit është për të nxitur bashkëpunimin shumëpalësh dhe shumë dimensional pa paragjykime e prepotencë të fuqive të mëdha. Marrëveshjet e nënshkruara që nuk ishin pak, por edhe fjalimet e udhëheqësve të vendeve anëtare transmetuan mesazhin e forcimit të bashkëpunimit në interes reciprok duke i shërbyer gjithashtu ringjalljes globale të botës në krizë, gjë që nuk po munden ta bëjnë as SHBA e as aleatët e saj sikurse as aleancat e tyre të asfiksuara. Në ndryshim të plotë nga takimet si ky i Samarkandit ku Kina e vende të tjera anëtare u ofruan me propozime konkrete për bashkëpunim e ringjallje ekonomike rajonale e globale, shuarje të konflikteve dhe paqe, të gjitha takimet ndërkombëtare ku merr pjesë SHBA, zyrtarët e saj i kthejnë ngjarjet në arena sulmesh frenetike ndaj Kinës duke lëshuar tonelata shpifje e fabrikime mbi të drejtat e njeriut dhe së fundmi duke shigjetuar popullsinë e rajonit të Xinjiangut, që jeton në paqë, siguri e begati sëbashku me 1.4 miliard bashkatdhetarët në vend.