Kina bën thirrje për masa gjithëpërfshirëse për të garantuar sigurinë ushqimore
2022-09-18 11:13:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, Dai Bing, bëri thirrje për masa gjithëpërfshirëse për të garantuar sigurinë ushqimore, në një takim të Këshillit të Sigurimit për këtë temë.

Ai deklaroi se si një element kyç për realizimin e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme, siguria ushqimore është gjithashtu një sfidë e gjatë me të cilën përballet komuniteti ndërkombëtar, citon “Xinhua”.

“Ne duhet të qëndrojmë të qetë dhe pragmatikë, të përqendrohemi si në të tashmen për të zgjidhur çështjet urgjente ashtu edhe në një periudhë afatgjatë për të arritur qëllimin e zhdukjes së urisë. Konfliktet e armatosura minojnë prodhimin bujqësor, shkatërrojnë infrastrukturën bujqësore, prishin tregtinë dhe ushqimin, shkaktojnë zhvendosje, duke përkeqësuar drejtpërdrejt situatën e sigurisë ushqimore lokale. Komuniteti ndërkombëtar duhet të promovojë fuqishëm zgjidhjen politike të çështjeve të nxehta dhe të nxisë një mjedis paqësor dhe të sigurt për të garantuar sigurinë ushqimore”,- tha Dai.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar zinxhirë industrialë dhe furnizimi të qëndrueshëm dhe të qetë.

Ssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se ka ushqim të mjaftueshëm në botë për të gjithë, por çështja ka të bëjë me shpërndarjen. Dhe Dai theksoi se eksportuesit e mëdhenj të ushqimit dhe vendet me kompani të mëdha drithërash duhet të bashkojnë përpjekjet për të frenuar aktet e rritjes artificiale të çmimeve të ushqimit. Po ashtu, ai kërkoi heqjen e pengesave të ndryshme, për të siguruar rrjedhën e lirë dhe të qëndrueshme të burimeve kryesore bujqësore.

“Në arritjen e sigurisë ushqimore, askush dhe asnjë vend nuk duhet të lihet pas. Ndihma për rajonet dhe vendet në konflikt duhet të rritet. Vendet e zhvilluara duhet të përmbushin angazhimet e tyre zyrtare për asistencën e zhvillimit. Institucionet financiare ndërkombëtare dhe ekonomitë e zhvilluara duhet të rrisin politikat e tyre dhe mbështetjen financiare për vendet në zhvillim që përballen me vështirësi të veçanta”,- tha ai.

Dai theksoi se si vendi më i populluar në botë, Kina ka arritur të ushqejë rreth një të pestën e popullsisë së botës me më pak se 9 për qind të tokës së punueshme në botë. Sipas tij, Kina do të vazhdojë të punojë me të gjitha vendet në botë për të kontribuar edhe më shumë në ruajtjen e sigurisë ushqimore. (Irma)