Foto nga Xinhua
Në fjalimin e mbajtur të premten në takimin e 22-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje se “shpirti i Shangait” është gjithmonë vitaliteti i Organizatës dhe duhet t’i përmbahet asaj për një kohë të gjatë.
Përmes zhvillimit 21-vjeçar, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait është bërë organizata e bashkëpunimit rajonal me sipërfaqen më të madhe territoriale dhe me popullsinë më të shumtë në botë. Këtë vit në gjirin e saj u pranuan si vende anëtare edhe disa shtete të reja, ndërsa disa të tjera, si vende partnere.
Po cila është arsyeja e zgjerimit të pandërprerë të kësaj organizate? Në fjalimin e tij, presidenti Xi Jinping përgjithësoi 5 parime: “Këmbëngulja në besimin e ndërsjellë politik”, “Këmbëngulja në bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta”, “Këmbëngulja në barazi”, “Këmbëngulja në hapje” dhe “Këmbëngulja në drejtësi”. Këto 5 parime tregojnë se Organizata e Bashkëpunimit të Shangait nuk ndjek rrugën e ballafaqimit ideologjik, përkundrazi promovon dialogun, respekton interesat thelbësore dhe rrugën e zhvillimit të vendeve anëtare, duke kërkuar zhvillimin e përbashkët dhe iu përmbajtur multilateralizmit.
Si vend anëtar themelues i Organizatës, Kina ka marrë gjithmonë veprime aktuale për zhvillimin e saj. Në këtë samit presidenti Xi Jinping paraqiti një sërë masash për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të kësaj organizate të fokusuar në paqe e zhvillim. Ndërsa në fushën e sigurisë politike pala kineze sugjeroi të kundërshtojë ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera, të promovojë zgjidhjen e problemit të Afganistanit dhe të heqë dorë nga ballafaqimi grupor.
Sa i përket bashkëpunimit aktual, pala kineze theksoi se duhet të forcohet më tej ndërtimi i përbashkët i nismës “Një brez, një rrugë” dhe bashkimi i kësaj nisme me strategjitë e zhvillimit të vendeve të ndryshme përkatëse, ndërsa duhet të shpejtohet ndërtimi i sistemit të pagesës e shlyerjes ndërkufitare me monedha vendase. Njëkohësisht Kina do të ndërtojë qendrën e të dhënave të mëdha Kinë-Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe do t’u japë vendeve në zhvillim dhe atyre në nevojë ndihma ushqimore me një vlerë prej 1.5 miliardë juanësh. Këto masa do të jenë në favor të thellimit të bashkëpunimit dhe përfitimeve të përbashkëta mes vendeve të Organizatës.
Vlen të theksohet se në “Deklaratën e Samarkandit” të bërë në këtë samit, u përfshinë iniciativa për sigurinë globale e paraqitur nga pala kineze dhe përkrahja e vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait për nismën “Një brez, një rrugë”. Drejtori i Qendrës Studimore për Çështjet e Azisë Jugore e Ndërkombëtare të Islamabadit në Pakistan, Mohamud Hassan Khan u shpreh se ideja për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe iniciativa për zhvillimin global të paraqitur nga presidenti Xi Jinping do të forcojnë bashkimin e kësaj organizate.
Samiti i Samarkandit miratoi mbi 40 dokumente lidhur me ekonominë, financat, teknikën e shkencën, humanizmin, ndërtimin e sistemit, shkëmbimet e jashtme etj. dhe bënë 4 deklarata për mbrojtjen e sigurisë energjetike ndërkombëtare, të sigurisë ushqimore ndërkombëtare, të zinxhirit të furnizimit si dhe përballimin e ndryshimit të klimës dhe mbrojtjen e sigurisë. Këto dokumente tregojnë edhe një herë përpjekjet e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në përballim të krizave e sfidave globale. (Fani)