Presidenti kinez takohet me homologun e vet azerbajxhanas
2022-09-16 11:35:32

Presidenti kinez Xi Jinping u takua me presidentin azerbajxhanas Ilham Aliyev të enjten pasdite në kompleksin "Forumlar Majmuasi" në Samarkand të Uzbekistanit.

Xi Jinping-u vuri në dukje në këtë takim se ky vit shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Azerbajxhanit. Kina mbështet rrugën e zhvillimit të Azerbajxhanit të zgjedhur në mënyrë të pavarur nga populli i tij. Të dy palët duhet t'i shikojnë dhe të planifikojnë marrëdhëniet dypalëshe nga një lartësi strategjike, të rrisin besimin e ndërsjellë strategjik, të forcojnë mbështetjen e ndërsjellë, të thellojnë bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta dhe të punojnë për një bashkëpunim të qëndrueshëm, të thellë e praktik në fusha të ndryshme.
Kreu i shtetit kinez theksoi më tej se në tani gjendja ndërkombëtare po kalon ndryshime të thella e komplekse. Sa më e ndërlikuar të jetë situata, aq më e madhe është nevoja që bashkësia ndërkombëtare të forcojë solidaritetin dhe bashkërendimin. Kina mirëpret që Azerbajxhani t'u bashkohet  Nismës së Zhvillimit Global dhe Nismës së Sigurisë Globale. Të dy palët duhet të zgjerojnë tregtinë, të rrisin numrin e trenave të mallrave Kinë-Evropë dhe të sigurojnë funksionimin e lirshëm të zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit.
Xi shprehu besimin se bashkëpunimi në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" ndërmjet Kinës e Azerbajxhanit gëzon perspektiva të gjera. Të dy palët duhet të përmirësojnë shkëmbimet njerëzore e kulturore dhe të thellojnë miqësinë mes dy popujve. Kina mbështet Azerbajxhanin në zhvillimin e bashkëpunimit me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), për të bashkëpunuar për sigurinë, stabilitetin, zhvillimin e begatinë rajonale.
Presidenti Ilham Aliyev theksoi nga ana e tij se Azerbajxhani dhe Kina janë partnerë të vërtetë strategjikë. Të dyja palët mbajnë komunikim të ngushtë për çështjet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi dypalësh po përparon në mënyrë të qëndrueshme. Pala azerbajxhanase e falënderon palën kineze për ofrimin e vaksinave kundër COVID-19, çka demonstron plotësisht frymën e solidaritetit që ka treguar gjithmonë Kina. Azerbajxhani do ta shfrytëzojë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve si një mundësi për të thelluar bashkëpunimin praktik në fusha të ndryshme.
Presidenti Aliyev tha më tej që vendi i tij i përmbahet politikës së "Një Kine", mbështet fuqishëm  Kinën në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, sigurisë e integritetit territorial dhe kundërshton me vendosmëri çdo veprim që ndërhyn në punët e brendshme të Kinës ose synon ndarjen e saj. Pala azerbajxhanase mbështet  Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën e Sigurisë Globale të propozuara nga pala kineze dhe do të angazhohet në mënyrë aktive në bashkëpunimin në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" me palën kineze.