Shefi i ndihmës i OKB-së bën thirrje për fonde për Sirinë
2022-09-16 14:14:08

Foto: VCG

Nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare, Martin Griffiths, bëri thirrje për më shumë fonde për Sirinë për të përmbushur nevojat humanitare dhe të jetesës.

Plani i reagimit humanitar të OKB-së për Sirinë kërkon 4.4 miliardë dollarë për vitin 2022. Përveç kësaj, plani rajonal i refugjatëve, i cili kujdeset për nevojat e refugjatëve në rajonin jashtë Sirisë, arrin në 6.1 miliardë dollarë për këtë vit, duke e çuar totalin në 10.5 miliardë dollarë, tha ai në një takim të Këshillit të Sigurimit, citon “Xinhua”.

Deri më sot, vetëm një e katërta e planit të reagimit humanitar është financuar. Sipas Griffiths, plani rajonal prej 6.1 miliardë dollarësh ka vetëm 20 për qind financim.

Angazhimi me donatorët rajonalë tregon se Kombet e Bashkuara mund mos të arrijnë as gjysmën e kërkesave të financimit për planin e reagimit humanitar deri në fund të këtij viti. Kjo padyshim ka një ndikim të drejtpërdrejtë në gjendjen e vështirë të shumë sirianëve, paralajmëroi Griffiths.

Rreth 14.6 milionë persona në Siri, më shumë se gjysma e tyre fëmijë, kanë nevojë për ndihmë humanitare. Ky është niveli më i lartë i nevojës që nga fillimi i krizës, tha Griffiths. Sipas tij, vit pas viti nevojat rriten, hendeku shtohet dhe stresi dhe vuajtjet e popullit sirian nga kjo krizë vazhdojnë të përkeqësohen. (Irma)