Uzbekistani përfiton nga teknologjia bujqësore kineze
2022-09-15 14:34:54

Foto: VCG

Mbërritja në Uzbekistan e ekspertëve kinezë dhe teknologjive bujqësore kanë sjellë shpresa për rendimente më të larta, kosto më të ulëta dhe rritje të të ardhurave për mijëra fermerë pambuku.

Që nga viti 2018, Instituti i Kërkimeve të Pambukut i lidhur me Akademinë Kineze të Shkencave Bujqësore ka drejtuar një program pilot për prodhimin e pambukut në katër rajone të Uzbekistanit, duke përfshirë një fushë pambuku që mbulon 50 hektarë në Syrdarya dhe fusha të tilla që mbulojnë gjithsej 18 hektarë në tre rajone të tjera.

Për këtë program, studiuesit përdorën teknologjitë më të avancuara të Kinës në prodhimin e pambukut, duke përfshirë aplikimin e përshtatur të plehrave bazuar në kushtet e tokës, teknologjitë e kontrollit të dëmtuesve të gjelbër dhe teknologjinë e ujitjes me pika.

Zv.drejtori i institutit, Ma Xiongfeng deklaroi se eksperimentimi ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm. Sipas tij, rendimenti i farës së pambukut nga fushat në program arriti në 6 tonë për hektar, katër herë më shumë se niveli i rendimentit lokal.

“Më e rëndësishmja është se teknologjia kërkon vetëm një të tretën e sasisë së ujit për vaditje që normalisht kërkohet për fushat lokale, një përparim i rëndësishëm për Uzbekistanin, i cili është përballur prej kohësh me sfidat e thatësirës”,- tha ai.

Pambuku shpesh quhet “ari i bardhë” i Uzbekistanit. Sipas institutit, sipërfaqja e tokës e përdorur për rritjen e pambukut në Uzbekistan përbën dy të tretat e totalit në Azinë Qendrore dhe 40 për qind të totalit të tokës bujqësore të vendit.

Kultivimi i pambukut është një burim të ardhurash për gjysmën e popullsisë në Uzbekistan dhe prezantimi i varieteteve të pambukut dhe teknologjive të mbjelljes së Kinës është pjesë e përpjekjeve më të gjera për të rritur rendimentin dhe të ardhurat e fermerëve, tha Ma.

Suksesi i projektit pilot u përshëndet me reagime pozitive nga autoritetet në Uzbekistan. Presidenti Shavkat Mirziyoyev nënshkroi një dekret presidencial në dhjetor 2018, duke bërë thirrje për krijimin e një komiteti të posaçëm për të sjellë teknologjinë kineze të mbjelljes së pambukut në kombin e Azisë Qendrore. Sipas dekretit, më shumë se 10 për qind e fushave të pambukut në Uzbekistan do të adoptojnë teknologjinë nga Kina.

Në gusht 2020, farat e gjashtë varieteteve të pambukut të zhvilluara nga instituti morën miratimin nga Ministria e Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale në Kinë për eksporte në Uzbekistan dhe Taxhikistan.

Rendimenti i pambukut në Uzbekistan këtë vit është kërcënuar nga një valë e vazhdueshme e të nxehtit, sipas faqes zyrtare të Presidencës.

Gjatë një takimi në korrik, presidenti Mirziyoyev theksoi sfidat e reja në industrinë e pambukut si rezultat i ndryshimeve klimaterike, me vapën e vazhdueshme këtë vit që çoi në një situatë të jashtëzakonshme për këtë sektor.

Ai tha se kombi duhet të mobilizojë të gjitha burimet për të shfrytëzuar potencialin e prodhimit të pambukut, duke përfshirë përdorimin e qasjeve shkencore në prodhimin e farës, përzgjedhjen e varieteteve, plehërimin, ujitjen dhe kontrollin e dëmtuesve.

Ma deklaroi se është e rëndësishme që Kina dhe Uzbekistani të forcojnë bashkëpunimin në përgjigjen e tyre ndaj ndryshimeve klimaterike në industrinë e pambukut.

Sipas tij, futja dhe promovimi i teknologjive kineze në Uzbekistan duhet të mbështetet nga promovimi i materialeve dhe pajisjeve përkatëse, shumë prej të cilave nuk mund të prodhohen në vend.

“Do të jetë një proces në vazhdimësi. Ne kemi nevojë për më shumë agrobiznese kineze për të investuar në Uzbekistan në mënyrë që fermerët të mund të marrin materialet e nevojshme të prodhimit për të mbështetur përmirësimet e tyre teknologjike”,- shtoi ai.

Projekti i pambukut është vetëm një pjesë e hapave të bashkëpunimit të gjerë bujqësor midis Kinës dhe Uzbekistanit.

Në rajonin Syrdarya, kompania “Yangling Modern Agriculture International Cooperation” po zhvillon një park pilot për shkencën dhe teknologjinë moderne bujqësore, duke përfshirë rritjen e varieteteve të reja për kikirikët, sojën dhe misrin.

“Kina ishte partneri më i madh tregtar i Uzbekistanit, burimi më i madh i importeve dhe destinacioni më i madh i eksportit në gjysmën e parë të këtij viti, me vëllimin e tregtisë dypalëshe që u rrit me 34.4 për qind në bazë vjetore në 4.53 miliardë dollarë”,- bëri të ditur Ministria kineze e Tregtia.