Shqipëri-Izrael, forcim i bashkëpunimit në shëndetësi
2022-09-15 10:30:26

Foto: ATSH

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, është pritur nga homologu izraelit, Nitzan Horowitz, në Tel Aviv, në një takim të posaçëm në kuadër të sesionit të 72-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Evropën. Në fokus të takimit dypalësh ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë elektronike, rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe mbështetja për përballimin e emergjencave, njoftoi ministrja në faqen e saj në “Facebook”.

“Shteti i Izraelit është një model për shëndetësinë elektronike, përgjigjen ndaj emergjencave dhe kërkimin shkencor. Ndaj duam të forcojmë bashkëpunimin me ju në këto fusha prioritare për ne, përmes zgjerimit të memorandumit të mirëkuptimit mes dy vendeve tona”,- tha Manastirliu.

Duke shprehur gatishmërinë për shkëmbimin mes dy vendeve, ministri i Shëndetësisë së Izraelit, Nitzan Horowitz, tha se janë të gatshëm të nisin menjëherë me grupet e punës, për të mbështetur kërkesat për trajnimin e profesionistëve të shëndetit, për zgjerimin e shëndetësisë elektronike dhe  shërbimin e urgjencës mjekësore.

Mes dy vendeve ka një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, për shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit për tema shëndetësore në fusha me interes të përbashkët; shkëmbimin e vizitave të specialistëve me qëllim përmirësimin e kualifikimit dhe konsultimit; shkëmbimin e informacionit mbi pajisjet mjekësore, farmaceutike dhe zhvillimet teknologjike në lidhje me shëndetin publik.

Kjo marrëveshje do të rinovohet dhe zgjerohet me fusha me interes të përbashkët mes dy vendeve. (Elona)