Platforma e të mësuarit arrin miliona përdorues
2022-09-15 16:56:14

Kina ka ndërtuar platformën më të madhe të mësimit digjital në botë, duke ofruar burime arsimore për qindra miliona studentë dhe mësues nga e gjithë bota. Që prej marsit, kur nisi funksionimin, ajo është vizituar rreth 4 miliardë herë nga më shumë se 600 milionë persona. Po ashtu, shërbimi i punësimit i platformës ofron mundësi punësimi për miliona të diplomuar të rinj.

Kina ka ndërtuar platformën më të madhe të mësimit digjital në botë, duke ofruar burime arsimore për qindra miliona studentë dhe mësues nga e gjithë bota, bëri të ditur ministri kinez i Arsimit, Huai Jinpeng.

Platforma e mësimit të zgjuar (www.smartedu.cn), e cila filloi funksionimin në mars, është vizituar rreth 4 miliardë herë nga më shumë se 600 milionë persona, tha ai në një konferencë shtypi të mbajtur së fundi nga Departamenti i Publicitetit i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, mbi arritjet e reformës arsimore dhe zhvillimit që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i PKK-së në vitin 2012.

nga VCG

nga VCG

Platforma, e cila mbulon të gjitha fazat e arsimit, nga shkolla fillore deri në universitet, ofron burime mësimore digjitale për nxënësit dhe studentët nga 146 vende dhe rajone. Për më tepër, shërbimi i punësimit i platformës ofron gjithashtu mundësi punësimi për miliona të diplomuar të rinj, tha ai.

Në dekadën e fundit, shkalla e regjistrimit në arsimin parashkollor u rrit me 23.6 pikë përqindjeje në 88.1 për qind vitin e kaluar, ndërsa shkalla e regjistrimit në arsimin e lartë u rrit me 27.8 pikë përqindjeje në 57.8 për qind, theksoi ministri Huai.

Sipas tij, normat e regjistrimit të parashkollorëve dhe të ciklit para gjimnazit kanë arritur nivelin mesatar të vendeve me të ardhura të larta.

Ai theksoi se tashmë janë zgjidhur dhe problemet e hershme të braktisjes së shkollave fillore dhe nëntëvjeçare, duke arritur në zero braktisje.

“Në 10 vitet e fundit, ndihma financiare për nxënësit me vështirësi ekonomike është dhënë pothuajse 1.3 miliardë herë. Sipas një programi të veçantë, më shumë se 950.000 studentë nga rajonet rurale dhe të pazhvilluara janë regjistruar në universitetet kryesore”,- deklaroi ministri.

Lyu Yugang, drejtor i departamentit të arsimit bazë të ministrisë, tha se politika e ndjekur për të reduktuar barrën e tepërt të detyrave të shtëpisë dhe mësimdhënies pas shkollës për shkollat fillore dhe nëntëvjeçare ka arritur përparim të madh qëkur u prezantua vitin e kaluar.

Sipas sondazheve të palëve të treta, 87.8 për qind e nxënësve thanë se detyrat e shtëpisë së tyre janë reduktuar ndjeshëm dhe më shumë se 90 për qind e të pyeturve thanë se mund t'i mbaronin në një kohë të caktuar, tha ai.

Ministri Huai tha se situata e punësimit të të diplomuarve të rinj këtë vit mbetet e qëndrueshme, pavarësisht sfidave të paprecedenta si numri rekord i të diplomuarve, pandemia dhe rënia ekonomike.

nga VCG

nga VCG

“Në fakt, punësimi i studentëve të kolegjit është përballur me shumë sfida dhe vështirësi gjatë viteve të fundit. Por, janë zbatuar një sërë politikash miqësore për punësimin dhe situata ka qenë e qëndrueshme për shumë vite”,- tha ministri Huai.

Sipas tij, janë ofruar më shumë udhëzime për punësim dhe të diplomuarit inkurajohen të punojnë në nivelet bazë dhe në rajonet qendrore dhe perëndimore. Për më tepër, shtoi ai, autoritetet kanë ofruar ndihmë të synuar për punësim për të diplomuarit me vështirësi financiare dhe aftësi të kufizuara dhe normat e punësimit të tyre kanë tejkaluar mesataren kombëtare vitet e fundit.

Sun Zao, zëvendëssekretari i Partisë i Universitetit Xi'an Jiaotong, tha se universiteti ka ndërtuar një sistem të synuar të ndihmës financiare bazuar në të dhënat e mëdha mbi zakonet e shpenzimeve të studentëve.

Që nga viti 2006, universiteti ka mbledhur të dhëna për shpenzimet e studentëve brenda dhe jashtë kampusit, në mënyrë që sa herë që kishte ndryshime të papritura në shpenzimet e tyre ose rënie të konsiderueshme në notat e tyre, sistemi do t'u kujtonte këshilltarëve studentorë që të kontrollojnë studentët.

Zhang Zhiyong, profesor në Universitetin Normal të Pekinit, tha se promovimi i barazisë ka qenë fokusi kryesor i reformës në arsimin e detyrueshëm nëntëvjeçar në dekadën e fundit.

Të gjitha qarqet kanë realizuar zhvillim të ekuilibruar në arsimin e detyruar. Sipas tij, shkollat në zonat rurale janë rinovuar dhe tashmë nuk ka më klasa me një numër të madh nxënësish.