Dhuna me armë bëhet "frikë" e thellë në ShBA
2022-09-15 14:53:43

Foto: VCG

Për shumë familje, viti i ri shkollor është një fillim i ri emocionues, por për Alfred Garzën, një qytetar nga Uvalde në shtetin amerikan të Teksasit, u kthye në një kujtim të dhimbshëm. Më shumë se tre muaj më parë, një njeri i armatosur hyri në shkollën fillore lokale "Robb" dhe vrau 19 nxënës dhe dy mësues, duke përfshirë vajzën e vetme të Garzës. Në atë kohë, presidenti amerikan Joe Biden premtoi të bënte diçka konkrete dhe në qershor nënshkroi atë që ai e quajti projektligjin më të rëndësishëm të kontrollit të armëve gjatë 30 vjetëve. Por tragjedia e gjakderdhjes së njerëzve të pafajshëm nuk është zbutur.

Fundjavën e kaluar, në Ilinois, Kentaki, Indiana, Pensilvani, Nju-Jork... të shtënat me armë kanë krijuar radhazi një tjetër “fundjavë të përgjakshme” në ShBA. Të dhënat më të fundit të publikuara nga uebsajti  "Gun Violence Archives" të hënën  tregojnë se, që nga fillimi i këtij viti, më shumë se 31 000 veta kanë humbur jetën nga dhuna me armë në ShBA, mesatarisht 122 të vrarë në ditë.
Dhuna me armë është bërë një "frikë" e rrënjosur thellë në ShBA dhe kampuset  janë më  të goditurat prej saj. Sipas një studimi të fundit të Universitetit të Miçiganit, 75 për qind e adoleshentëve amerikanë besojnë se të shtënat janë bërë burimi kryesor i stresit për ta. Është fillimi i semestrit të vjeshtës dhe një skenë unike për shumë kampuse amerikane është se studentët duhet të përgatiten për incidente të shtënash në çdo kohë pas mësimit. Në Teksas, për shembull, duke filluar nga qershori, distrikteve shkollore në të gjithë shtetin u është kërkuar të kryejnë deri në 16 orë "trajnim për reagimin ndaj armëve", duke përfshirë të shtënat dhe përmbajtje të tjera.

Pse ka kaq shumë incidente të dhunës me armë në vendin më të zhvilluar të botës? Analistët vunë në dukje se kjo nuk ndodh vetëm për shkak se themelet e dispozitave të Amendamentit të Dytë të Kushtetutës së ShBA-së mbi të drejtën e zotërimit të armëve janë të vështira për t'u lëkundur, por edhe prej dallimeve ndërmjet dy partive për çështjen e kontrollit të armëve në Shtetet e Bashkuara.