Greqia dhe Maqedonia e Veriut forcojnë bashkëpunimin energjetik
2022-09-15 13:17:03

Foto: Xinhua

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Dimitar Kovachevski, ranë dakord të martën në Athinë të punojnë për të  forcuar bashkëpunimin në sektorin e energjisë.

Mitsotakis siguroi se Greqia është e gatshme të mbështesë Maqedoninë e Veriut gjatë këtyre kohërave sfiduese, sipas transmetuesit kombëtar grek “ERT”, cituar nga “Xinhua”.

“Sigurisht, mendoj se është në interes të të dy vendeve që të promovojnë investimet e kompanive greke në Maqedoninë e Veriut dhe të lidhin infrastrukturën tonë në një mënyrë të tillë që do të rrisë lidhjet energjetike mes dy vendeve tona”,- tha lideri grek.

“Ne kemi bërë shumë përgatitje për këtë sezon dimëror, por me interes të madh dhe me rëndësi të madhe për ne janë lidhjet e ngushta që kemi me Greqinë, veçanërisht që furnizimi me lëndë të parë për prodhimin e energjisë elektrike në objektet tona të mbetet i hapur gjatë gjithë dimrit dhe pranverës së vitit 2023”, - tha Kovachevski.

Ai gjithashtu falënderoi Greqinë për mbështetjen në fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. (Elona)