Mbahet me sukses Panairi i 22-të Ndërkombëtar për Investimet dhe Tregtinë i Kinës
2022-09-14 18:19:01

foto/VCG

foto/VCG

Ditët e fundit u mbyll me sukses Panairi i 22-të Ndërkombëtar për Investimet dhe Tregtinë i Kinës, në të cilin u arritën shumë rezultate të rëndësishme. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning tha se mbajtja e suksesshme e këtij panairi tregoi edhe një herë qëndrimin pozitiv të Kinës për të zgjeruar hapjen dhe bashkëpunimin dhe për t’u integruar në botë. 

Mao Ning bëri të ditur se tema e edicionit të sivjetshëm të këtij panairi ishte “Zhvillimi global: Ndarja e mundësive digjitale dhe investimet për një të ardhme të gjelbër”. Mbi 90 vende e rajone, më shumë se 800 grupe tregtare, 4 000 ndërmarrje dhe afro 60 mijë tregtarë morën pjesë në panair me prani fizike ose nëpërmjet lidhjes me internet. Në panair u arritën mbi 480 marrëveshje për projekte bashkëpunimi, me një vlerë investimesh që arrin në 342 miliardë juanë. 

Një nga pikat kryesore të këtij panairi ishte bashkëpunimi ekonomik-tregtar brenda nismës “Një brez, një rrugë”. Çdo palë zhvilloi mbi 60 veprimtari rreth bashkëpunimit ndërkombëtar në kuadër të kësaj nisme. Pjesëmarrësit ranë dakord se qysh nga propozimi i nismës para nëntë vjetësh, Kina dhe vendet përgjatë “Një brez, një rrugë”kanë ruajtur lirshmërinë e tregtisë, dhe bashkëpunimi në fushën e investimeve ka bërë përparim të ri. Sipas të dhënave të Administratës së Përgjithshme të Doganave, nga janari deri në gushtin e sivjetshëm, vlera e përgjithshme e import-eksportit të Kinës me vendet pjesëmarrëse në nismën “Një brez, një rrugë" arriti në 8.77 trilion juanë, me një rritje 20.2 % në krahasim me vitin e kaluar, shtoi Mao. 

“Kjo tregon se ndërtimi i përbashkët me cilësi të lartë i ‘Një brez, një rrugë’ jo vetëm përmirëson nivelin e infrastrukturës dhe të ndërlidhshmërisë mes vendeve, por edhe ka ndërtuar një platformë të re për promovimin e tregtisë dhe investimeve globale. Kina do të vazhdojë të nxitë bashkëpunimin ekonomik-tregtar ndërkombëtar dhe të promovojë zhvillimin e lulëzimin global. Dera e hapur e Kinës ndaj botës do të hapet më tej,”u shpreh zëdhënësja e diplomacisë kineze.   (Fang Xiaoyu/Artan)