Gjiknuri: Drutë për ngrohje, me gjysmën e çmimit për pensionistët dhe familjet në nevojë
2022-09-12 11:44:30

Foto: ATSH

Qytetarët me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe ata që janë me ndihmë ekonomike do të mund të blejnë dru për ngrohje në dimër me gjysmën e çmimit. Nisma është ndërmarrë nga Bashkia e Elbasanit, e cila këtë vit ka vendosur t’i menaxhojë vetë shpërndarjet e drunjve, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve më në nevojë.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, ndërsa vizitoi fushën e druve, shoqëruar dhe nga kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, vlerësoi nismën që u vjen në ndihmë familjeve në nevojë, raporton “ATSH”.

Gjiknuri tha se qëllimi nuk është rikthimi te drutë si formë alternative ngrohjeje, por ndihma për qytetarët në një periudhë të vështirë energjetike. Ai sqaroi se lënda drusore që do të përdoret për ngrohje është siguruar nga prerjet e nevojshme për mirëmbajtjen e pyjeve duke marrë më parë dhe miratimin e ekspertëve.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja deklaroi se nga ky vendim do të përfitojnë rreth 2000 familje më në nevojë. (Fatosi)