Studiuesit raportojnë valë të brendshme oqeanike të krijuara nga shpërthimi i vullkanit Tonga
2022-09-12 11:22:48

 Foto nga  Instituti i Oqeanologjisë dhe i Qendrës për Mega-Shkencën e Oqeanit, nën varësi të Akademisë kineze të Shkencave


Studiuesit kinezë kanë zbuluar valët e brendshme oqeanike të krijuara nga shpërthimi i vullkanit Tonga, sipas një artikulli të fundit kërkimor të botuar në revistën “Acta Oceanologica Sinica”, njofton “Xinhua”.

Valët e brendshme shpërndahen gjerësisht në dete ose në zonat kontinentale. Ato kanë një amplitudë deri në qindra metra dhe kreshta valësh prej disa qindra kilometrash dhe ndikojnë ndjeshëm në mjediset oqeanike, thuhet në artikull.

Por valët e brendshme vërehen rrallë në zonat e hapura të oqeanit për shkak të efektit të fortë të shpërndarjes në oqeanin e thellë.

Raportimi për vëzhgimin e valëve të brendshme të krijuara nga shpërthimi i vullkanit Tonga u bë nga studiuesit e Institutit të Oqeanologjisë dhe të Qendrës për Mega-Shkencën e Oqeanit, nën varësi të Akademisë kineze të Shkencave.

Vullkani Hunga Tonga-Hunga Ha'apai pranë Nuku'alofa, kryeqyteti i Tongës, shpërtheu dhunshëm dhe shkaktoi një cunami në janar.

Satelitët kapën shpërthimin e vullkanit dhe turbulencën atmosferike që gjeneroi në të gjithë globin.

Duke përdorur imazhet satelitore, studiuesit vëzhguan grupe të qarta të valëve të brendshme që përhapeshin në drejtime të ndryshme, thuhet në artikull.

Gjatësia e kreshtave të valëve të brendshme varion nga më pak se 20 km në 67 km. Dhe gjatësia karakteristike e valës varion nga 860.9 metra në më shumë se 1530 metra, që është vlera tipike e valëve të brendshme.

Studimi tregon se shpërthimet vullkanike jo vetëm që shkaktojnë luhatje në atmosferë, por gjithashtu shkaktojnë procese dinamike si valët e brendshme në oqean. (Fatosi)